2018-02-24 07:00:00

Më 24 shkurt kalendari përkujton Shën Sergjin e Shën Bakun, murgjër e martirë


Më 24 shkurt Kisha katolike përkujton Shën Sergjin e Shën Bakun, murgjër e martirë të Cezaresë së Kapadokisë. Në epokën e persekutimeve të Dioklecianit, të dyve iu pre koka më 24 shkurt, të një viti të papërcaktuar mirë,  me urdhrin e guvernatorit  të Armenisë e të Kapadokisë, Sapriço, i cili duke u gjendur në Cezare, urdhëroi të mblidhen para tempullit pagan të gjithë të krishterët e qytetit për t’i detyruar ta nderonin kultin e Jupiterit. Në mesin e turmës doli edhe Sergji, një gjykatës i plakur, i cili prej kohe e kishte lënë detyrën e tij në fushën e drejtësisë për të jetuar shpirtërisht Ungjillin e Krishtit si oshënar. 

Prania e Shën Sergjit shkaktoi një fenomen të papritur, atë të fikjes së zjarreve që ishin përgatitur për flijime të kultit pagan. Për këtë fenomen të çuditshëm iu ngjit faji të krishterëve, të cilët me refuzimin e tyre e irrituan zotin. Atëherë doli para Sergji dhe shpjegoi se arsyeja e pafuqisë së hyjnive pagane duhej kërkuar shumë më lartë, në gjithëpushtetin e Zotit të vërtetë e të vetëm, që adhurohet nga të krishterët.

Sergji arrestohet e dënohet para guvernatorit, i cili me gjykim të shpjet e dënoi me prerjen e kokës. Dënimi u ekzekutua menjëherë: ishte data 24 shkurt. Trupi i martirit, i bartur prej të krishterëve, u varros në shtëpinë e një gruaje të përshpirtshme e besimtare. Më vonë, reliket u transportuan në Spanjë, në qytetin e Andaluzisë, Ubeda. Gati të harruar nga burimet hagjiografike greke e bizantine, Sergji e Baku patën popullaritet në botën Perëndimore, falë edhe tregimit të hollësishëm mbi martirizimin e tyre për shkak të pohimit e të dëshmimit të fesë në Krishtin. 

Siç përmendem, reliket e Shën Sergjit qenë mbartur në Spanjë, në qytetin Ubeda, ndërsa kulti i dy martirëve u përhap me shpejtësi në shumë vise të Lindjes por edhe në viset shqiptare në përgjithësi e në Shqipëri në veçanti, ku për nder të këtyre shenjtorëve u ndërtua një Kishë me vlera të mëdha historike dhe kulturore pranë kuvendit benediktin të Sergjit e Bakut në breg të lumit të Bunës, në fshatin Shirq, emri i të cilit fshat vjen vetë nga ai i Shenjtit Sergj.

Reliket e Shën Sergjit qenë mbartur në Spanjë, në qytetin andaluzian Ubeda, ndërsa kulti i dy martirëve u përhap me shpejtësi në shumë vise të Lindjes e edhe në Shqipëri, ku në nder të tyre u ngrit një nga Kishat më madhështore, një nga vlerat më të mëdha historike e kulturore të Shqipërisë.

Historia

Kisha e Shenjtërve Sergji e Baku ndodhet vetëm 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, në të djathtë të fshatit Dajç, buzë vendit ku bashkohet lumi Drin me Bunën, ndodhet Kisha e Shirqit. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI si kushtim ndaj dy martirëve të kishës bizantine, Serçit dhe Bakut, varret e të cilëve ndodhen pranë lumit Eufrat në Azi, afër një kështjelle të quajtur Rozafa. Aktualisht specialistët po punojnë për të zbardhur enigmën e lidhjes së Rozafës së largët me emrat dhe historinë e Kishës së Shirqit.

Ndërkohë historianët pohojnë se kisha ka qenë vendi i preferuar i princërve malazezë e shqiptarë, kryesisht për martesat e tyre. Helena e Rashës, princesha e Bizantit dhe vajza e perandorit latin, Balduin, ka qenë një ndër figurat më të lidhura me Kishën e Shirqit. Pikërisht këtu ajo ka bërë kurorëzimin e saj. Sipas dokumenteve historike, princesha helene në vitin 1290 ka bërë rikonstruksionin e kishës. Arkitektura e kishës është tepër e veçantë. Eshtë një përzierje e stilit roman me atë gotik. Sipas historianëve, Kisha e Shirqit ka ruajtur formën e plotë të saj deri para 200 viteve. Që nga ajo kohë ajo është shkatërruar gradualisht. Shkatërrimi i plotë i saj konsiderohet të jetë bërë 10 vitet e fundit, pasi shteti nuk vuri dorë mbi të.

Rrënojat

Nga kisha e njohur e Shirqit ka mbetur shumë pak: një anë muri dhe një gur i gjatë. Specialistët i quajnë “nefsi jugor dhe një pilaster guri”. Para 10 vitesh ka pasur edhe një fasadë tjetër muri dhe një shtyllë, të cilat i ka shkërmoqur erozioni së bashku me varret që gjendeshin aty. Fasada e murit të mbetur është e bërë me gurë të latuar dhe me disa rreshta tullash të holla. Harqet janë tepër të veçanta. Megjithëse ajo ç’ka mbetur është shumë pak, bota shqiptare duhet ta konsiderojë Kishën e Shirqit si një monument me vlerë të madhe historike dhe kulturore.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.