2018-02-22 14:00:00

Ushtrimet shpirtërore: në shëmbëlltyrën e djalit plangprishës, një familje si jona


Sot, dita e pestë e Ushtrimeve shpirtërore në Ariccia, predikuar Papës e Kuries Romake nga don José Tolentino Mendonça. Don José Tolentino Mendonça kujton se shëmbëlltyra e djalit plangprishës është histori, që pasqyron realitetin e familjeve, në të cilat marrëdhëniet ndërmjet vëllezërve brehen nga ndjenja shkatrrimtare. Ndërmjet tyre, zilia. Ndërsa ati është ikonë e mëshirës.

E një nga rreziqet më të mëdha të udhës shpirtërore, është shikimi i përqendruar mbi vetveten. Vetëm mbi vetveten, në të cilën shikojmë fillesën e fundin e të gjitha sendeve. Këtë kujtoi don José Tolentino Mendonça, zëvendës-rektor i Universitetit katolik të Lisbonës, duke e përqendruar meditimin e tetë të Ushtrimeve shpirtërore për Papën dhe bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake, që vijojnë në Ariccia, mbi shëmbëlltyrën e djalit plangprishës.

Në këtë shëmbëlltyrë - pohoi - shikojmë duke dalë në skenë një familje njerëzore, si ajo, nga vjen secili prej nesh. Pasqyrë, ku mund të shikojmë gjithçka, edhe vetveten. Histori, që na përfshin brenda saj, për të shikuar, të problematizuara - shpjegoi predikatari - marrëdhëniet ndërmjet vëllezërve. Dhe e kuptojmë menjëherë sa delikate është lidhja e atit me bijtë dhe e bijve ndërmjet tyre. E edhe brishtësinë e ndjenjave, që endim  në marrëdhëniet me njëri-tjetrin.

Dëshira për rravgim

Shëmbëlltyra - shpjegoi predikatari - na vë në diskutim. “Brenda nesh, në të vërtetë, nuk kemi vetëm gjëra të bukura, të harmonishme, probleme të zgjidhura me fund. Brenda nesh ka edhe ndjenja të mbytyra, fjalë të pathëna, që presin të sqarohen. Ka edhe sëmundje e fije të këputura, që duhen lidhur. E ka edhe zona vuajtjeje, situata, që duhen pajtuar, kujtime e heshtje të detyruara, që duhen lëshuar në dorë të Zotit, sepse vetëm ai mund t’i shërojë. Dhe e gjithë kjo zhvillohet brenda një vorbulle gënjeshtare, të diktuar nga shoqëria e konsumit, e cila premton të kënaqë gjithçka e gjithkënd, duke e identifikuar lumturinë me ngopjen. Mund të shndërrohemi, kështu, në njerëz të ngopur, të rrumbullosur, të kënaqur, të zbutur. Por kjo ngopje, që vjen nga konsumi - kujtoi në vijim don José Tolentino Mendonça -  nuk është realizimi, por burgu i dëshirës.

Shpresa të sëmura

Nevojës për liri të djalit të vogël, që bën hapa të gabuara e përkundet në djepin e ëndrrës së gjithëpushtetit, i shtohet shpresa e sëmurë e djalit të madh:

“Janë të njëjtat shpresa, që depërtojnë me lehtësinë më të madhe dhe në shpirtin tonë: hasim të njëjtat vështirësi për ta jetuar vëllazërinë, pretendojmë t’i kushtëzojmë vendimet e atit, nuk na pëlqen aspak ta shikojmë tjetrin më mirë se veten. E gjithë kjo krijon mllef e paaftësi për ta pranuar logjikën e mëshirës”.

Rreziku i smirës

E hapave të gabuara të djalit të vogël, të shtyrë, në rininë e parë, nga dëshira për të rravguar, për të parë botën, për të realizuar ca ëndrra e ca dëshira shpesh të parealizueshme, i shtohet, pastaj, një rrezik tjetër, që ia bren shpirtin djalit të madh. Smira. Zilia. E edhe kjo është sëmundje - vijoi predikatari - sëmundja e dëshirës së papërmbushur. Është mungesë dashurie, dëshirë e palumtur, shterpe, për të marrë hak. Djali i madh, që nuk ka arritur t’i zgjidhë problemet me të vëllain, është akoma përplot me agresivitet, me dëshirën për shpagim. E kundërta e zilisë, është mirënjohja. Kjo e ndërton dhe e rindërton pa fund botën.

Mëshira, Ungjill për t’u zbuluar

Pranë e pranë këtyre dy figurave, në të cilat, në një farë mënyre shikojmë si në pasqyrë vetveten, duket ati:

“Është ikonë e mëshirës. Ka dy djem dhe e kupton se duhet të sillet ndryshe me njërin e ndryshe me tjetrin, duke i shikuar të dy me të njëjtin sy, atë të atit”.

Mëshirë - tha në përfundim predikatari - nuk do të thotë t’i japësh tjetrit, atë që i takon. Mëshira është dhembshuri, mirësi, falje. Është të japësh më shumë, të japësh përtej asaj, që duhet dhënë, të shkosh shumë më përtej sesa duhet. Është dashuri e dhënë me tepri, që mjekon plagët, lehtëson dhimbjet, shëron shpirtin. Mëshira  është një nga epitetet e Zotit. Zoti është mëshirë! “Të besosh në Zotin, do të thotë të besosh në mëshirën. Mëshira - përfundoi predikatari - është Ungjill, që duhet zbuluar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.