2018-02-21 13:57:00

Ushtrimet shpirtërore: Jezusi i mbledh gjithë lotët e botës


Sot, dita e katërt e Ushtrimeve shpirtërore në Ariccia, predikuar Papës e Kuries Romake nga don José Tolentino Mendonça. Në qendër të reflektimit, lotët e grave të Ungjillit, që flasin për etjen e Jezusit.

 

Lotët janë shprehje e etjes për jetë, për marrëdhënie. Sot paradite, në meditimin e gjashtë të këtyre Ushtrimeve shpirtërore, në praninë e Papës  dhe të Kuries Romake, meshtari portugez don José Tolentino Mendonça foli për domethënien e lotëve në jetën e njeriut e në marrëdhëniet me Zotin, me citime të shumta shkëputur nga Ungjilli e nga një mori autorësh me famë botërore.

Lotët e grave të Ungjillit

Maria, e veja e Nain, mëkatarja…: nuk mund të mos i kujtojmë gratë e shumta, të pranishme në Ungjill. Që ndryshojnë për nga kushtet e jetesës, gjendja ekonomike, mosha, pamja. Por që kanë edhe një të përbashkët: të gjitha janë ungjillëzuese. Stili i tyre është shërbimi. Nuk bëjnë kurrë pyetje për ta “zënë në kurth” Jezusin, si  farizenjtë. Çka i bashkon dukshëm, janë sidomos lotët, që u gurrojnë nga emocionet, konfliktet, gëzimet, plagët.

E lotët na kujtojnë se Zoti mishërohet në jetët tona, në dështimet tona, në takimet tona. Në Ungjijtë, edhe Krishti loton! Bëhet njeri, njëri nga ne, e prej këndej, lotët tonë përmblidhen e bëhen lot në sytë e Tij. Një lot i madh. Që e mbart kudo me vete. Kur qan, Krishti i mbledh e i merr mbi vete të gjithë lotët  e botës,

Dëshira për jetë 

Janë pikërisht gratë e Ungjillit, që u japin të drejtën e qytetarisë lotëve, duke treguar rëndësinë e kësaj shenje - kujtoi meshtari-poet e telog, e, në vijim, citoi psikoanalisten Julia Kristeva, jo besimtare. Shkencëtarja na kujton se kur një pacient i depresionuar arrin të derdhë lot, ndodh diçka tejet e rëndësishme. Lotët e tij tregojnë se nis të largohet nga tundimi i vetëvrasjes, sepse lotët nuk shprehin kurrë dëshirën për të vdekur. Përkundrazi: janë shprehje e  “etjes sonë për jetë”.

Zoti e di sa dhëmbin lotët

Që në fëmijërinë e hershme, vaji shpreh etjen për marrëdhënie. Të shumtë shenjtorët, si Injaci i Lojolës, që qanin me rrëke lotësh. E filozofi Cioran thoshte se në Gjyqin e Mbramë do të peshohen vetëm lotët tonë, që i japin një kuptim pavdekësie moshës sonë, e edhe se dhurata e fesë është pikërisht se na mëson si të qajmë: lotët mund të na bëjnë shenjtorë, pasi të kemi qenë njerëz.

Biografia jonë mund të rrëfehet edhe përmes lotëve: lotëve të gëzimit, të festës, të emocioneve të shndritshme e, e edhe të netëve tona të errta, të dhimbjes zemërçjerrëse, të braktisjes, të pendimit. Të mendojmë  një çast për lotët që kemi derdhur, e për ata që na kanë mbetur pa derdhur, na janë grumbulluar në grykë, duke na munduar shumë më tepër, se lotët e derdhur. Janë gjithnjë aty, e na peshojnë rëndë edhe sot e kësaj dite. E ndjejmë fort dhimbjen e  lotëve tonë të paderdhur. Zoti i njeh të gjithë lotët e i mbledh si lutje. Besim, pra. Të mos ia fshehim Atij!

Kërkimi marrëdhënieve

Për Gregorin e Naziancenit lotët, në një farë mënyre, janë pagëzimi i pestë. E Nelson Mandelës, në burg, iu rrënuan sytë aq, sa humbi aftësinë për të derdhur lot, kur kishte aq nevojë ta bënte këtë, për të shuar sadopak etjen e tij për drejtësi. Në fund të fundit - vijoi meshtari predikatar - kur qajmë, mundohemi të mos na shikojë kush, por, në të vërtetë, dëshirojmë që tjetri të na shikojë me sytë plot lot. Sepse “është etja për tjetrin, që na bën të qajmë”: vjen një mik e ne ndjejmë se mund t’i shfrejmë emocionet tona më intime. Duke qarë me lot. Që në këtë rast shprehin gëzimin e takimit!








All the contents on this site are copyrighted ©.