2018-02-21 14:23:00

Papa në ushtrimet shpirtërore në Ariccia. Nënë Tereza, në meditimin e mbrëmshëm


Motra e më të varfërve të botës, shenjtja shqiptare e bamirësisë, merr pjesë simbolikisht në meditimet e Ariccia-s, ku që të dielën e kaluar, janë mbledhur Papa dhe kardinajtë e Kuries Romake për ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve. “Siç na mëson Nënë Tereza e Kalkutës – theksoi predikatari portugez, don Josè Tolentino de Mendonça – fjalët e Jezusit ‘Kam etje’, shkruar në çdo kapelë të Misionareve të dashurisë, nuk kanë të bëjnë vetëm me të kaluarën, por janë të gjalla edhe sot”.

Duhet ta rizbulojmë gjithnjë Shpirtin Shenjt, sepse, nganjëherë, jemi Kishë pa gjallëri, pa rini, pa harenë e këtij Shpirti, që na bën Kishë në dalje.  Etja e Krishtit, shpjegoi teologu dhe poeti që udhëheq ushtrimet shpirtërore, “i thyen zinxhirët, që na mbajnë të mbyllur në faj e në egoizëm, duke na penguar përparimin e zhvillimin e lirive të brendshme. Etja e Tij çliron energjitë më të thella, fshehur brenda nesh, që të bëhemi burra e gra plot dhembshuri, zejtarë të paqes si Ai, pa i ikur vuajtjes dhe konflikteve të botës sonë të copëtuar, por duke marrë vendin që na takon e duke krijuar bashkësi e hapësira dashurie, për të sjellë shpresën mbi këtë tokë”.

Fjala etje, në Ungjillin e Shën Gjonit, përveçse në skenën e Kalvarit, përmendet edhe tri herë të tjera: kur Krishti takon samaritanen, pastaj në fjalët që Ai thotë për bukën e jetës, si edhe në festën e tëbanave. Kur Jezusi takon samaritanen, nënvizoi don Josè, thotë: “Kushdo që pi këtë ujë, përsëri do të ketë etje. Kurse, kush do të pijë ujin, që unë do t’i jap, kurrë më nuk do të ketë etje”. E kur flet për bukën e jetës, Jezusi pohon: “Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje!”. Ndërsa, gjatë festës së tëbanave, Jezusi kumton: “Kush ka etje le të vijë tek unë! Le të pijë kush beson në mua”.

“Në të vërtetë – shpjegoi predikatari i ushtrimeve shpirtërore të Papës e të Kuries Romake – etja për të cilën flet Jezusi është etje ekzistenciale, që shuhet duke e përputhur gjithnjë e më shumë jetën tonë me të Tijën. Të kesh etje do të thotë të kesh etje për Të. Kështu, jemi të thirrur të jetojmë një centralitet kristologjik: të dalim nga vetja e ta kërkojmë në Krishtin atë ujë, që e shuan etjen tonë, duke e kapërcyer tundimin e vetëmjaftimit, që kaq shumë na sëmur e na tiranizon”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.