2018-02-20 12:42:00

Bioetika katolike për embrionet hibride njeri-dele. Flet don Roberto Colombo


Të mungon një krah apo një këmbë? Mund ta riprodhosh duke rritur një embrion me qeliza njerëzore në barkun e një deleje për t’i marrë pastaj gjymtyrën, që ke humbur. Natyrisht, nuk është kaq e lehtë, por shkencëtarët, që shpallën pak ditë më parë se janë prodhuar me sukses “produkte embrionale hibride ndërllojesh” shpresojnë ta kenë ndihmuar mjekësinë, në fushën e transplantimit të organeve. Duke zgjuar një sërë dyshimesh etike e jo vetëm ndër katolikët.

Si u krijua embrioni njeri-dele

         Skuadra e Davis dhe e Stanford University në Kaliforni të SHBA-ve kultivoi embrione, që përmbajnë një qelizë njerëzore çdo 10 mijë qeliza delesh, duke e mbajtur në jetë këtë lloj kafshe surrogate për tri javë me radhë brenda mitrës së deles. Kjo lloj krijese është 99% dele, por edhe 1% njerëzore. Është vetëm hapi i parë në krijimin e këtyre kimerave. Pjesa njerëzore e embrioneve, që u shkatërruan pas 28 ditësh, ishte tejet e vogël, por suksesi i krijimit të një embrioni dyllojesh e afron frikshëm inxhinjerinë gjenetike me fantashkencën.

Shqetësime antopologjike dhe etike

         Të paktën kështu e mendon pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë e Kirurgjisë në Universitetin Katolik të Romës, don Roberto Colombo. “Janë ngritur shumë pikëpyetje nga studiues të tjerë për fatin e qelizave pluripotente në embrionin, që zhvillohet brenda kafshës: ato mund të lindin koloni qelizash të paradiferencuara e të diferencuara edhe në organe të ndryshme nga ato të transplantimit, pa përjashtuar trurin, duke zgjuar kështu, shqetësime të rënda antropologjike dhe etike”. Mundësi e pranuar edhe nga vetë shkencëtarët, të cilët deklarojnë se do t’i ndërpresin eksperimentet, në rast se zhvillohet përmes tyre një tru njerëzor.

Qëllimi i eksperimenteve

         “Qëllimi i këtyre eksperimenteve – shpjegon don Colombo, që është njëkohësisht edhe anëtar i Akademisë Papnore për Jetën – është verifikimi i mundësisë për të rritur në embrionet e në fetuset e kafshëve, inde të përshtatshme për të formuar organet për transplantim, për të cilat ka gjithnjë e më pak donatorë njerëzorë. Qelizat staminale pluripotente mund të vijnë nga embrione njerëzore zhvilluar në epruvetë, ose nga vetë pacientët që presin transplantimin e, në këtë rastin e fundit, ka më pak rrezik që trupi të mos e pranojë organin e transplantuar”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.