2018-02-16 14:46:00

Kardinali Baldisseri: e rëndësishme për Kishën të dëgjojë zërin e të rinjve


Të rinjtë do të jenë në qendër të Asamblesë së ardhshme të Sinodit të Ipeshkvijve e, në këtë fazë përgatitore, duhet të jenë të parët që flasin e që shprehin dëshirat e aspiratat, edhe duke përdorur teknologjitë e reja të komunikimit. Kardinali Lorenzo Baldisseri nënvizon se ftesa për të marrë pjesë u drejtohet të gjithëve, edhe atyre, që nuk besojnë.

Në konferencën e shtypit për paraqitjen e Takimit para-sinodal, që do të zhvillohet në Romë, nga 19 deri më 24 mars, lidhur me Asamblenë XV të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve, foli kardinali Lorenzo Baldisseri. Hirësia e Tij është sekretar i përgjithshëm i Sekretarisë së Sinodit të Ipeshkvijve e, në mikrofonin tonë, shpjegon rëndësinë e përgatitjes për punimet e marsit dhe të pjesëmarrjes së të rinjve në këtë fazë:

“Dëshirojmë që të rinjtë të dëgjohen e të jenë të parët që flasin. Prandaj na u duk shumë e rëndësishme, që ata vetë të bëheshin si “Etër sinodalë”. Organizuam për ta një javë të tërë, që do të zhvillohet para Javës së Madhe. E të diel, më 25 mars – të Dielën e Larit - do të kremtojmë Ditën Botërore të Rinisë me karakter dioqezan, në Sheshin e Shën Pjetrit. Duhet t’i dorëzojmë Atit të Shenjtë dokumentin e hartuar nga të rinjtë gjatë kësaj jave. Mendoj se ky dokument do t’u jepet Etërve sinodalë në muajin tetor,  e do të shërbejë edhe për të plotësuar punën tonë lidhur me Instrumentum Laboris. Të rinjtë e ftuar do të caktohen nga konferencat ipeshkvnore. Do të jenë të pranishëm edhe të rinjtë e Kishave lindore, 15 vetë; e pastaj, përfaqësues të lëvizjeve katolike; seminaristë; postulantë - natyrisht djem e vajza rregulltarë. E pastaj edhe të tjerë - nga vullnetariati; ata që janë jashtë Kishës; e edhe ata, që e vënë në dyshim fenë - agnostikët - e, thotë Papa, “Pse jo? Edhe ateistët”. Natyrisht të gjithë! Të Gjithë janë të ftuar!

Përsa u përket shpresave të të rinjve lidhur me Kishën, cilat janë kërkesat e tyre e dëshirat e tyre më të larta?

E para është ajo, që e përsërisim gjithnjë: “Duam të na dëgjojnë!”. E dyta: “Duam të kemi edhe një vend në Kishë”. E treta, duam të marrim pjesë aktive!”. Propozime të mëdha, ideale të mëdha. Për fat të keq, sot ka pakëz institucionalitet, edhe mungesë veprimtarësh në fushën baritore: të rinjtë e e meshtarët janë pakësuar e oratoret, për mungesë personeli e ndihmash, nuk janë më të përshtatshme. E gjithë kjo, bën që i riu të ndjehet pak si i përjashtuar; nuk ka më hapësirë. Ndërsa ka etje të madhe për jetën dhe kuptimin e saj.

Papa Françesku i vë shumë rëndësi dëgjimit të të rinjve të ardhur nga periferitë: ndoshta janë këta, që kanë dëshira e perspektiva më të vështira…

Në të vërtetë, është pikërisht kështu. Të rinjtë e periferive - në kuptimin më të gjerë të fjalës - janë edhe më të rrezikuarit. Eshtë edhe periferia “gjeografike”, e jo vetëm ajo ekzistenciale në vetvete. E shikojmë se të rinjtë nuk kanë vërtet me kë të flasin, kujt t’i drejtohen. Atëhere bien pre, bëhen viktima të organizatave të drogës. Të seksit, etj. etj.. Flitet shpesh edhe për trafikun e njerëzve, për të kujtuar se periferitë ekzistenciale a gjeografike janë shqetësuese. Kisha duhet të merret me këto periferi; nuk duhet të jetë vetëm në qendër, por të shkojë edhe jashtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.