2018-02-15 13:13:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 24


Gjatë emisionit të njëzetekatërt të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, po ndjekim pas Skënderbeun në fushatën e re në ndihmë të Mbretit të Napolit.

Pikërisht për shkak të kësaj fushate Kastriotit iu desh të nënshkruante paqe me sulltanin, që t’i kishte shpatullat e sigurta. Pa harruar, para se të niste bisedimet, të njoftonte Papën, duke e ditur se Piu dëshironte që Skënderbeu t’i shkonte në ndihmë aragonezit, por jo duke bërë paqe me turkun.

Atëhere Skënderbeu nisi në Romë Martin Muzakën “… që t’i kërkonte leje Papës, duke e lutur të dërgonte një legat në Shqipëri, për t’ia besuar  qeverisjen e vendit  gjatë ekspeditës së tij në Itali” 1

Kërkesa e Skënderbeut nuk i pëlqeu Piut II i cili, më 29 qershor 1460, iu përgjigj se nuk duhej të kishte bërë paqe me otomanët e se dërgimi i legatit nuk i dukej as i nevojshëm e as në përkim me vështirësitë, që po kalonte Kuria. Madje e këshillonte Skënderbeun t’ia kërkonte Venedikut legatin për mbrojtjen e vendit gjatë ekspeditës në Itali.1 Për më tepër i premtoi edhe se do të ndërhynte pranë Republikës detare, nëse do të vendoste ta bënte këtë propozim. 2

Ishte një nga çastet më të vështira të jetës së Kastriotit. E ndjeu veten si të zënë në një rrjetë, nga e cila nuk e kishte të lehtë të dilte.

Mëkat që dokumentet e kohës nuk e ndriçojnë mjaftueshëm këtë çast. Por sigurisht që, më pas, Papa e Skënderbeu duhet të jenë marrë vesh përsëri, gjë që çoi në armëpushimin me turkun, duke parashikuar të gjitha të papriturat e mundshme, përndryshe si do të mund të shpjegohej gjesti i çmendur i Kastriotit tejet të mençur, domethënë, nënshkrimi i armëpushimit me një armik të pabesë, për të vrapuar në Itali?

Ndërkaq Kastrioti, ndërsa priste rregullimin diplomatik të situatës,  dërgoi në Itali, në shtator 1460, kontingjentin e parë të ushtarëve shqiptarë. Në dhjetor 1460 njoftoi mbretin se, sapo ta kishte nënshkruar armëpushimin,  do të vihej për udhë edhe ai vetë. Vonesa e bisedimeve e mbështet tezën tonë, sipas së cilës kushtet e armëpushimit qenë hartuar në marrëveshje me Papën.

Së fundi, armëpushimi u nënshkrua e ushtria shqiptare u nis për në Itali (gusht 1461), duke u ndaluar pakëz në Raguzë ku, me ndërmjetësimin e Piut II, Kastrioti mori një ndihmë të ndjeshme, përveç pritjes mbretërore.3

Me këtë rast, nënshkroi aleancën me qytetin bregdetar të Adriatikut. E kështu, përveç Venedikut, edhe Raguza duhet të ruante kufijtë e Shqipërisë, në mungesë të Kastriotit. Pas këtyre premtimeve, Kryetrimi shqiptar rifilloi lundrimin e, më 25 gusht 1461, zbarkoi pranë Barlettës, ndërsa mbreti Ferrante ishte i rrethuar në këtë qytet, nga trupat e Gjonit Anzhù.

Arritja e forcave shqiptare e përmbysi menjëherë situatën në favor të Mbretit të rrethuar në Barletta, që u çlirua sakaq nga Kastrioti, i cili e mori menjëherë në dorë mbojtjen e qytetit, ndërsa Davos mbahej fort në Andria e Duka i Venozës, në Minervino Murge. Këta tre mbrojtës kishin kundër Princin e Tarantos, ndërsa në Trani, De Foxën, kundërshtarin më kokëfortë të mbretit.

Kastrioti iu sul të parit, duke e mbytur ushtrinë e tij në gjak. Pak ditë më vonë, shtiu në dorë me dredhi edhe Tranin. Por, një vit më pas, nuk mundi të merrte pjesë në betejën e Orsarës (18 gusht 1462), fitorja  përfundimtare e së cilës i hapi Mbretit Ferrante rrugën e rikthimit në Napoli. Themi përfundimtare, sepse në kulmin e dimrit, të dërguarit e së shoqes e nxisnin Skënderbeun të kthehej me nxitim në atdhe, mbasi turqit, duke u afruar fundi i armëpushimit, përgatiteshin të rifillonin sulmet kundër Shqipërisë. E kështu, në ditët e para të janarit 1462, Kastrioti u largua nga Italia e, pas një ndalese në Raguzë, arriti në Shqipëri (shkurt 1642), ku, falë shërbimit të shkëlqyer të informacionit, mundi të konstatonte menjëherë cilat ishin qëllimet e sulltanit.

1 S. Masci, vep. cit. fq 171

2 S. Masci, vep. cit.

3 Gegaj, vep. cit. fq 121








All the contents on this site are copyrighted ©.