2018-02-14 16:44:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 23


Në emisionin e njëzetetretë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, e lamë Papën Piu II para një vendimi të guximshëm, e Skënderbeun, ndërmjet dy zjarresh: të vetëve e të huajve.

Në vitin 1461, i shkurajuar nga  ftohtësia e shteteve italiane, Piu II mendoi një plan tejet të çuditshëm: kthimin e sulltanit në fenë katolike. I shkroi, prandaj, një letër të gjatë, që niste me fjalët: “Po ulem të shkruaj disa rreshta për shpëtimin tënd, lavdinë e paqen e përbashkët dhe ngushëllimin  e shumë popujve”. Kështu niste letra, një nga dokumentet më të jashtzakonshme, që mbahet mend në historinë e Kishës të perëndimit të krishterë. Një çast domethënës i së kaluarës. Kush e shkruante letrën, ishte Piu II, në shekull Enea Silvio Piccolomini. Kush do ta merrte, ishte as më pak e as më shumë se Mehmeti II, sulltan i Perandorisë otomane, që kishte pushtuar Kostandinopojën, duke i dhënë fund Perandorisë së Lindjes. Papa, me letrën e tij, pa fjalë të tepërta, i kërkon Sulltanit drejtpërdrejt të heqë dorë nga Profeti e të bëhet katolik. Jemi në zemër të vitit 1400. Hija e Islamit zgjatet mbi Ballkanet, për të arritur, së shpejti, në portat e Vjenës. Perëndimi duhet të kishte reaguar shumë më parë. Po krishterimi ishte i përçarë politikisht e fetarisht. Ndërsa turqit dukeshin të bashkuar, të organizuar, të gjithëfuqishëm. Simbol i tyre ishin jeniçerët, model i tmerrshëm i ushtarit tejet të disiplinuar, të shkëputur nga gjiri i prindërve dhe të edukuar me fanatizëm fetar e ushtarak. Me këta ushtarë Sulltani, që kishte pushtuar Kostandinopojën, ëndërronte t’i sulej Perëndimit e të pushtonte edhe Romën. Madje besonte se ëndrra do t’i realizohej së shpejti.

Piu II, duke shpresuar se letra do të kishte sukses, për ta përshpejtuar afrimin e turqve me fenë katolike, ngarkoi Cuisano-n ta studionte hollësisht Kuranin. Por, si dështoi kjo përpjekje, jo vetëm që nuk ia nisi letrën e shkruar Sulltanit, por u rikthye tek plani i parë, kryqëzata.1

Sulltani, ndërkaq, vijonte taktikën e raskapitjes së kundërshtarit. Pas shkretimeve  e djegieve të vitit të mëparshëm, në pranverën e vitit 1460 nisi kundër Kastriotit një ushtri prej 40 mijë burrash, nën komandën e Karashabeut. Kastrioti i zu pritë pranë Liqenit të Ohrit dhe e shkallmoi, pa e lënë t’i shkelte më tej tokat shqiptare.

Atëhere Sulltani u rikthye tek taktika e  miklimit, duke ofruar për herë të dytë, paqen aq të dëshiruar. Kastrioti këtë herë pranoi, pa humbur kohë, por me një kusht: turqit duhet t’i rikthenin Beratin e Sfetigradin. Po, ç’e shtynte Gjergjin të merrte një kthesë kaq të fortë politike? Mjaftojnë ngjarjet e Napolit, për ta kuptuar. Don Ferrante i Aragonës ndodhej përballë një opozite të fortë, që e pengonte seriozisht të ulej në fron. Meqë Skënderbeu kishte shumë detyrime mirënjohjeje ndaj aragonezëve e   ndihma e Napolit do të ishte e domosdoshme për operacionet e ardhshme, e akoma, ekzistonte një traktat aleance, përmes të cilit Kruja ishte nën mbrojtjen e aragonezëve - vendosi  t’u shkonte në ndihmë.2   

Ndërkaq, ndërsa fitonte kohë me Sulltanin, lidhte aleancë me Hungarinë. Pikërisht në këto kushte arrinte në Shqipëri ambasadori i Ferrantes, Marco Caravasio, i cili shpejtoi t’i paraqiste Skënderbeut gjendjen e tmerrshme të mbretit të vet. E, në emër të tij, t’i kërkonte ndihmë. Edhe Piu II, që i njihte mirë pretendentët për fronin e Napolit, anzhuinët, e nxiste Skënderbeun të vraponte në ndihmë të Napolit. E Gjergji e qetësonte, duke i premtuar ndihmën e vet e duke iu përgjigjur me këto fjalë nxitjes së Papës: “Edhe nëse në shpirtin tim nuk do të kishte kurrfarë shtytjeje për ta ndihmuar birin e mikut tim, dëshira e Papës do të ishte për mua urdhër për të kaluar në çast në Itali3

 Pikërisht për këtë fushatë të re të Kastriotit në ndihmë të Mbretit të Napolit e ngjarje të tjera, do të flasim në emisionin e 24-t.

 

1 Hergenrother, Storia Univ. della Chiesa, V, fq. 305

2 Fan Noli, vep. cit. fq. 123








All the contents on this site are copyrighted ©.