2018-02-09 15:08:00

Françesku: për të luftuar trafikun, duhen rishikuar modelet e zhvillimit ekonomik


Papa Françesku priti sot, në Sallën Klementine, në Vatikan, anëtarët e  Grupit të Shën Martës, në përfundim të Konferencës së pestë ndërkombëtare, mbajtur në Romë dje e sot, pranë Akademisë Papnore të Shkencave. Sivjet iu kushtua perspektivës botërore mbi trafikun e qenieve njerëzore dhe formave moderne të skllavërisë që - theksoi Papa - vijojnë të shkaktojnë vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore.

Trafiku, fenomen i përhapur dhe i toleruar

Format moderne të skllavërisë - kujtoi Françesku - janë shumë më të përhapura sesa mund të përfytyrohen. Madje i gjejmë deri - shkak turpi e shkandulli ky - në gjirin e shoqërive tona më të përparuara. E më pas nënvizoi:

“Britma e Zotit drejtuar Kainit, që gjindet në faqet e para të Biblës: ‘Ku është yt vëlla?’na nxit t’i shqyrtojmë seriozisht format e ndryshme të bashkëpunimit, me të cilat shoqëria e toleron dhe e inkurajon, posaçërisht për qëllime seksuale, shfrytëzimin e burrave, të grave e deri të fëmijëve të pambrojtur”.

Të rishikohen modelet aktuale ekonomike

Më pas Papa vërejti se nismat, të cilat synojnë ta luftojnë konkretisht trafikun e njerëzve, duhet t’i kenë gjithnjë më shumë parasysh sektorët më të gjerë, që lidhen me problemin, si për shembull, përdorimin plot përgjegjësi të teknologjive e të mjeteve të komunikimit, për të mos folur për studimin e ndërlikimeve etike të modeleve të zhvillimit ekonomik, që  interesohen, në radhë të parë, për të përfituar nga shfrytëzimi i njerëzve.

Duhen ndihmuar viktimat, për t’u rikthyer dinjitetin

Por nuk mjafton çmontimi i rrjeteve kriminale, që favorizojnë trafikun. Duhen  ndihmuar viktimat e këtyre krimeve, duke i shoqëruar në udhën e rikthimit në radhët  e shoqërisë dhe të ripërtëritjes së dinjitetit të tyre njerëzor. E Papa uroi që punimet e Konferencës së Grupit të Shën Martës të ndihmojnë edhe për të thelluar vetëdijen e nevojës në rritje për mbështetjen e viktimave të këtyre krimeve, duke i shoqëruar  në udhën e ripërfshirjes në shoqëri dhe të rikthimit të dinjitetit të humbur njerëzor. Hap themelor ky - përfundoi Papa - për shërimin dhe përtëritjen e indit shoqëror në tërësinë e tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.