2018-02-07 18:41:00

Serbia dhe Mali i Zi mund të hyjnë në BE, në vitin 2025


Strategji e re e Bashkimit Evropian për Ballkanin. Brukseli është gati të integrojë vende të reja. Perspektiva për hyrjen e Serbisë e të Malit të Zi në vitin 2025, është objektiv “ambicioz dhe i besueshëm”. Por, jo më parë se të zgjidhen të gjitha problemet e brendshme.

         Ky është lajmi, që erdhi dje nga Strasburgu, ku u paraqit strategjia e re e Bashkimit Evropian për zgjerimin me vendet e Ballkanit perëndimor. Është sfida evropiane për të ardhmen e krejt rajonit, edhe sot, i bllokuar në limbin e tensioneve të dhunshme të brendshme.

Deklaratat e krerëve të BE-së

         “Nuk është fjala për ndonjë afat, as për ndonjë objektiv, do të jetë rrugë jo e thjeshtë, por e mundshme”, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për punët e jashtme dhe për politikën e sigurisë, Federica Mogherini.

         Kështu, Serbia dhe Mali i Zi inkurajohen nga dokumenti i publikuar dje, që e konsideron “të mundshëm” integrimin e tyre në vitin 2025, me kusht që Beogradi dhe Podgorica të impenjohen “në realizimin e reformave të vërteta e në zgjidhjen përfundimtare të problemeve me vendet fqinje”. Pra, portat për Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Bonsjë-Hercegovinën dhe Kosovën janë të hapura, por me kufi. Në majën e çështjeve për t’u zgjidhur është sidomos, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për të cilin të dyja qeveritë janë impenjuar në një dialog të vështirë, me ndërmjetësues Bashkimin Evropian.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, paralajmëroi, sidomos Beogradin

         Për këtë, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, paralajmëroi, sidomos Beogradin, se askush nuk do të hyjë në familjen evropiane “deri sa të mos ketë zgjidhur problemet e brendshme”. “Bashkimi Evropian – saktësoi komisari i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn – nuk do të pranojë asnjë shtet të ri anëtar, që nuk i ka zgjidhur konfliktet e tij dypalëshe e kjo nuk është vetëm në interes të Serbisë, por edhe të Kosovës”.

Gjashtë masa konkrete për të mbështetur rajonin

         Në strategjinë e paraqitur dje, Brukseli parashikon të ndërmarrë, në periudhën 2018-2020, gjashtë masa konkrete për të mbështetur rajonin, në sektorë që shkojnë nga shteti i së drejtës tek energjia, nga siguria tek agjenda dixhitale, nga lufta kundër kriminalitetit të organizuar tek infrastrukturat.








All the contents on this site are copyrighted ©.