2018-02-07 13:05:00

Papa: homelia të përgatitet mirë, jo si konferencë


“Fjala e Zotit hyn nga veshët, arrin në zemër e shkon në duar, për vepra të mira”. Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa Françesku u thellua në shpjegimin e kuptimit të Ungjillit e të homelisë në Liturgjinë e Fjalës, duke vijuar, kështu, katekizmin kushtuar Meshës Shenjte.

Ungjilli është goja e Krishtit

“Shenja e kryqit mbi ball, mbi gojë e mbi kraharor”, ashtu si qirinjtë dhe temjani, shërbejnë për të nderuar “praninë e Krishtit”, i cili  na jep “lajmin e mirë”. Lajm që shndërron. Që të fton të bësh kthesë. Është, pra, fjalë e drejtpërdrejtë, ajo që na drejtohet e kërkon të jemi vigjilentë e të  vëmendshëm, jo aq për të ditur si shkuan punët, por për të kuptuar se çka tha e çka bëri Jezusi dikur, vijon edhe sot të pulsojë nga jeta. Prandaj, ka shumë rëndësi ta dëgjosh Ungjillin me zemër të hapur, sepse Fjala e Zotit kërkon edhe përgjigje konkrete në jetën e secilit.

Homelia nuk është fjalim i rastit, aq më pak, konferencë

Për të përçuar mesazhin e tij - vijoi Papa - Krishti  shërbehet edhe nga fjala e meshtarit që, pas Ungjillit, mban homelinë. Ja pse ky duhet të jetë shërbim i vërtetë. Shërbim që u bëhet të gjithë atyre, të cilët marrin pjesë në Meshë. I përgatitur me kujdes, jo si të ishte fjalim i rastit, katekizëm, konferencë a leksion. Homeli do të thotë të rifillosh atë dialog, që është hapur tashmë ndërmjet Zotit e popullit të vet, me qëllim që të përmbushet, pastaj, në jetë.

Jo më shumë se dhjetë minuta

Papa Bergoglio foli edhe për kohën e zgjatjes së homelisë, që nuk duhet t’i kalojë kurrë dhjetë minutat, sepse përndryshe, disa i zë gjumi, të tjerë ia nisin thashethemeve, ose dalin jashtë, për të tymitur ndonjë cigare. Homelia, pra, duhet të jetë e shkurtër dhe e përgatitur mirë, duke u bazuar mbi lutjen dhe studimin e Fjalës së Zotit. Në Liturgjinë e Fjalës, përmes Ungjillit e homelisë, Zoti vijon dialogun me popullin e vet, i cili e dëgjon me vëmendje e nderim e, njëkohësisht, pranon se është i pranishëm  e veprues. Vetëm dëgjimi i “lajmit të mirë” ka aq forcë, sa t’i shndërrojë  realisht njeriun e botën.  

Përshëndetja drejtuar Cirkut Medrano e Rony Rollert Circus

Gjatë përshëndetjeve në gjuhën italiane, Françesku falënderoi, ndërmjet tjerësh, grupet famullitare si dhe drejtuesit e artistët e Cirqeve “Medrano” e “Rony Rollert Circus”:

“Dëshiroj t’ju falënderoj për punën tuaj - nënvizoi duke folur lirisht - punë,  që krijon bukuri. Ju e arti juaj shprehni bukurinë e, përmes kësaj bukurie, bëni që ne të gjithë të arrijmë më lart, më pranë Zotit. Puna juaj e bukur  na bën mirë të gjithëve. Shumë faleminderit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.