2018-02-06 11:01:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 17


Në emisionin e shtatëmbëdhjetë të rubrikës, në vazhdim të veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, marrëdhëniet e Skënderbeut me Papën Nikolla V, deri në përfundimin e kësaj papnie.

Folëm, në emisonin e kaluar, për sherret e reja, tejet delikate, që u krijuan, pas atyre me Dukagjinët. Këtë herë, nga disa priftërinj të cilët, të nxitur  nga myslimanët, shtinë në dorë pronat kishtare të trojeve të Kastriotit, duke kërkuar mbrojtjen e turqve. Sapo e mori vesh këtë lajm, Papa veproi energjikisht. Ngarkoi menjëherë ipeshkvin e Lesinës, nuncin e tij apostolik në Bosnjë, të ndërhyne pranë atyre … “clerici et presbyteri… minime formidantes excomunicationes ac alias sententias  censuras et poenas…”, (klerikë e pleq…. që do të dënoheshin me të gjitha dënimet, me shkishërim e dënime të tjera…) duke i porositur t’ia rikthejnë menjëherë të zotit pasuritë e zaptuara e duke i kërcënuar, në rast të kundërt, me dënime të rënda kishtare, priftërinjtë e edhe shekullarët, që kishin kryer këtë veprim të pamatur. 1

Gjatë gjithë çështjes lindore, Papa Nikolla V ndërhyu me shumë zell, ashtu si pararendësi sepse, në kohën e tij, ishte ndërmjet të paktëve që e kishin kuptuar rëndësinë e rrezikut të tmerrshëm turk.

E, ashtu si Papa Eugjeni IV, edhe Nikolla V e pati shumë për zemër Kastriotin, i cili mund të jepte një kontribut të shquar në këtë drejtim. E dëshmon këtë, një letër e kardinalit Piccolomini, drejtuar kardinalit Carvajal, më 1 janar 1454. Në të, Papa i ardhshëm Piu II, pasi numëron masat e marra nga Nikolla V për luftën kundër turkut, brohoret: “… quid enim quinque triremes vestrae contra Turchos efficere possununt? Quid illa quinque milia(ducati) quae alii tria milia dicunt, Scanderbeo concessa?...”2 Kujton, pra, shumat e të hollave, që Papa Nikolla i kishte premtuar e edhe dhënë Skënderbeut. Duke komentuar këto fjalë, Stefano Masci3 shpreh gjykimin e mëposhtëm: “Kjo letër është shumë domethënëse, sepse flet vetë për politikën, që do të ndiqte pastaj Piu II, mbasi dëshmon se, qysh asokohe, diplomati senez e pati kuptuar më së miri rëndësinë që kishte për mbarë krishterimin lufta kundër turqve”.

Lidhur me çështjen e Dukagjinëve, Papës Nikolla V iu desh të ndërhynte rishtas disa vjet më pas, për të përfunduar me sukses pajtimin e tyre me Skënderbeun e edhe me Kishën.

Më 22 gusht 1454 i ngarkonte ipeshkvijtë Andreu e Nikolla t’i rikthenin në gjirin e Kishës Dukagjinët e shkishëruar dhe banorët e principatave të tyre, të cilët e dëshironin këtë kthim: “desiderant et proponant a favoris prestacione ac confederationis prosecutione, et aliis, in detrimentum Christianorum per eos hactenus attemtatis hujusmondi deinceps se penitus inierint et invicem reconciliati existant”3

Por ndërsa Papa bënte çmos për ta ndihmuar Kryetrimin shqiptar, duke ia sheshuar rrugën e duke ia lehtësuar barrën e rëndë, që kishte marrë mbi vete, i trokiti në portë vdekja. Nikolla V i mbylli sytë për dritën e kësaj bote më 24 mars 1455. Ashtu si paraardhësi i tij, mori me vete në varr shqetësimin për rrezikun turk dhe hidhërimin për moskuptimin - nga ana e shteteve italiane - të këtij rreziku të rëndë, gjë që ia kishte kufizuar shumë mundësitë për të vepruar.

Por veprimtaria e Papnisë së tij, që i shtohej asaj të paraardhësit, do të përbënte një dokumentin të çmuar për veprimtarinë e Kishës përballë rrezikut turk si dhe një kontribut  me vlerë për papët  pasardhës.

Në emisionin e ardhshëm, i tetëmbëdhjeti, do të njihemi me marrëdhëniet ndërmjet Skënderbeut e Papës së ri, që zu vendin e Nikollës V: Kalistit III.

 

1 Pastor, Storia dei Papi, I, 766

2. Cugnoni, E. S. Piccolomini, 1883, fq. 415, n. 33

3 S. Masci, vep. cit. fq 164

4  Theiner, Vetera monumenta Slavorum merid. historiam inlustrantia, Roma, 1862, I fq 413.








All the contents on this site are copyrighted ©.