2018-02-06 14:40:00

Papa në Mesazhin e Kreshmëve 2018: “Ruajuni nga profetët e rremë, që e shuajnë dashurinë!”


Në Mesazhin e tij për Kreshmët 2018, Papa Françesku na kërkon të vërejmë nëse zemra jonë kërcënohet nga mashtrime, që na bëjnë skllevër të kënaqësisë, të parasë, të drogës, të marrëdhënieve “përdor e hidh” dhe të realiteteve virtuale të mjeteve të komunikimit. Për t’u shëruar nga akullimi i dashurisë së shuar, ilaçet që këshillon Kisha janë lutja, lëmosha e agjërimi. E, nga 9 deri më 10 mars, adhurimi e rrëfimi në “24 orë për Zotin”.

Kjo, porosia e Papës në mesazhin për Kreshmët 2018, datuar 1 nëntor, Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve, duke u frymëzuar nga fjalët e Jezusit në Ungjillin e Mateut: “Me qenë se paudhësia do të shtohet, shumëkujt do t`i ftohet dashuria”(Mt 24,12)

Jezusi mbi Malin e Ullinjve: profetët e rremë do të mashtrojnë shumëkënd

“Profetët e rremë do të mashtrojnë shumëkënd!”. Këto fjalë i Biri i Zotit do t’i shqiptonte mbi Malin e Ullinjve, pak para se të pësonte mundimet e Tij. Duke iu përgjigjur pyetjes së dishepujve: “Jezusi kumton mundimin e madh - shpjegon Françesku - e përshkruan edhe gjendjen, në të cilën do të mund të gjindej bashkësia e besimtarëve: përballë ngjarjeve të dhimbshme, disa profetë të rremë do të gënjejnë shumëkënd, aq sa të kërcënojnë ta shuajnë në zemra dashurinë, qendër e gjithë Ungjillit”.

Papa pyet: kush janë sot profetët e rremë? Disa - shkruan - janë si shortarët, që magjepsin gjarpërinjtë. Përfitojnë nga emocionet njerëzore për t’i bërë njerëzit skllevër e për t’i çuar atje, ku dëshirojnë vetë. I tërheqin burrat e gratë me joshjet e kënaqësisë, që zgjat vetëm një të imtë e që besohet se është lumturi, ose me ëndrrën e parasë, që i bën skllevër të fitimit a të interesave meskine.

Sharlatanë, që “mjekojnë” vuajtjet me drogë e realitete virtuale

Profetë të tjerë të rremë - shton Françesku - janë “sharlatanët”, që premtojnë fundin e thjeshtë e të menjëhershëm të vuajtjeve, gjë që, më pas, përfundon me zhgënjim të plotë, sepse premtim i paaftë për t’u bërë ballë mundimeve. Të rinjve u ofrohet ilaçi i drogës, marrëdhëniet “përdor e hidh”, fitimet e lehta, por të pandershme. Ose ëndrra për një jetë “plotësisht virtuale”, në të cilën marrëdhëniet duken shumë më të thjeshta e më të shpejta, për të  përfunduar, pastaj, dramatikisht pa kuptim.

Janë mashtrues - shpjegon Papa - që ofrojnë sende pa pikë vlere e të heqin çka është më e çmuar, si dinjiteti, liria e aftësia për të dashur. Është mashtrimi i kotësisë - komenton akoma - që vjen nga djalli “ati i mashtrimit”.

Na takon ne - fton Papa - të hyjmë në zemrën tonë e të shqyrtojmë nëse kërcënohet nga gënjeshtrat e këtyre profetëve të rremë. “Duhet të dimë ta njohim atë, që lë brenda nesh gjurmë të mirë, sepse vjen nga Zoti e vlen vërtet për të mirën tonë”.

Djalli banon në ngricën e dashurisë së mbytur

Siç e përfytyron Dante Aligheri në Ferrin e tij, “djalli rri ulur mbi një fron prej akulli, sepse banon në ngricën e dashurisë së mbytur”. Cilat janë shenjat - pyet akoma Papa në Mesazhin e tij kreshmor - që na tregojnë se në shpirtin tonë dashuria është në rrezik, mund të akullohet e të mbarojë? Mbi të gjitha, “etja për para”, që çon në mospranimin e Zotit e të dëshirës për të gjetur ngushëllim në Të, duke parapëlqyer më shumë pikëllimin tonë, sesa Fjalën e Tij. Mospranim, që shndërrohet në dhunë kundër atyre, të cilët shikohen si kërcënim për “siguritë tona”: kundër fëmijës së palindur, plakut të sëmurë, mikut kalimtar, të huajit, por edhe të afërmit, që nuk përkon me ëndrrat tona, me shpresat tona.

Dashuria e akullt dëmton krijimin dhe bashkësitë tona

Kur ftohet dashuria, vuan edhe krijimi: “Toka - denoncon Papa - helmatiset për shkak të çkujdesjes e të interesave”, detet, të ndotura, mbulojnë mbeturinat e anijeve të mbytura, gjatë emigrimeve të detyruara, qielli është plot me makina, nga të cilat reshen mjete vdekjeje. E në bashkësitë tona  sjell - kujtoi Bergoglio, duke cituar nxitjen e tij apostolike “Evangelii gaudium” - plogështinë egoiste, pesimizmin shterp, tundimin për t’u izoluar e për t’u angazhuar në luftëra të vazhdueshme vëllavrasëse, mendësinë e botës, që na nxit të merremi vetëm me dukjen, duke  e rëgjuar, kështu, zellin misionar.

Ilaçet, lutja, lëmosha e agjërimi

Nëse i shikojmë brenda nesh e rreth nesh këto sinjale - shkruan Françesku - Kisha na ofron, në kohën e Kreshmëve “ilaçin e lutjes, të lëmoshës e të agjërimit”.

Me lutjen “e ndihmojmë zemrën tonë t’i zbulojë mashtrimet” me të cilat gënjejmë vetveten

Lëmosha, që na çliron nga lakmia, duhet të bëhet për të gjithë stil i vërtetë jete. Sa do të dëshiroja - pohon Papa -  që përballë çdo vëllai, në kërkim të ndihmës, të mendonim se “aty është thirrja e Provanisë hyjnore”. Në të vërtetë, nëse Zoti sot shërbehet nga unë për të ndihmuar një vëlla, si mundet, nesër, të mos mendojë edhe për nevojat e mia?

Agjërimi, në fund, na çarmatos, na bën të rritemi, na zgjon, na bën më të vëmendshëm ndaj Zotit e ndaj të afërmit dhe e forcon vullnetin për ta dëgjuar zërin e Zotit, i vetmi që mund ta shuajë vërtet urinë dhe etjen tonë!

24 orë për Zotin, adhurim e pajtim!

Papa u bën thirrje edhe jo katolikëve, të gatshëm për ta dëgjuar zërin e Zotit: “Nëse, si ne, jeni të lodhur nga përhapja e padrejtësisë, që ka marrë dhenë - shkruan - nëse ju shqetëson ngrica, që paralizon zemrat e veprimet, nëse shikoni se mungon kuptimi i një njerëzimi të vetëm, bashkohuni me ne për t’iu lutur së bashku Zotit, për të agjëruar së bashku me ne e për të dhuruar, sipas mundësisë, lëmoshë në ndihmë të vëllezërve”.

E, për anëtarët e Kishës, rast për të rifilluar të duan, do të jetë - kujton Françesku - nisma “24 orë për Zotin”: në çdo dioqezë, ndërmjet së premtes dhe së shtunës, 10 mars, së paku një kishë do të jetë e hapur gjithë ditën për adhurim e rrëfim.

Kështu, Natën e Pashkëve - përfundon Papa - drita e qiriut të Solemnitetit, do ta dëbojë me të vërtetë errësirën dhe dëgjimi i Fjalës së Zotit, me shujtën e Bukës eukaristike, do të ndezë në zemrën tonë fenë, shpresën e dashurinë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.