2018-02-05 13:29:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 16


Në emisionin e gjashtëmbëdhjetë të rubrikës, në vazhdim të veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, do të kujtojmë ngjarjet e viteve 1450-‘52, kur Kastrioti, tejet i ligështuar pas Rrethimit të parë të Krujës, deshi t’ia jepte zotërimet e tij Venedikut, nëse do të vinte ta ndihmonte atë, e jo armikun. Po venecianëve u leverdiste më shumë  të tregtonin me turqit, sesa me Prijësin shqiptar. Atëherë, duke pasur nevojë të ngutshme për ndihmë, nuk i mbeti rrugë tjetër, veçse të kërkonte aleatë të tjerë jashtë vendit. Në dëshpërim e sipër, i lodhur nga luftërat e brendshme e nga frika e një sulmi të ri të Sulltanit, më 26 mars 1451 iu drejtua Mbretit të Napolit, Alfonsit V, armik i osmanllinjve e edhe i Venedikut. Sipas sistemit feudal të kohës, Skënderbeut iu desh të vetëshpallej formalisht vasal i Alfonsit dhe të angazhohej t’i paguante vit për vit një shumë të hollash. Ndërsa Mbreti i Napolit mori përsipër t’i dërgonte Lidhjes shqiptare forca ushtarake dhe ndihma financiare për vijimin e luftës kundër turqve. U nënshkrua, kështu, më 26 mars 1451, traktati i Gaetës, i cili do të shërbente si gur themeli për kryqëzatën kundër sulltanit, që aq shumë e dëshironte Papa. Por edhe kjo ndërmarrje dështoi. Skënderbeu vijoi të ishte zot në viset e veta dhe të trajtohej nga mbreti i Napolit si aleat me të drejta të barabarta. Prej këndej Cutolo 1, me të drejtë nënvizon se prijësi shqiptar e vinte politikën e Shqipërisë nën vartësinë e Mbretit të Napolit vetëm në dukje, ndërsa punët ishin ndryshe.

Venediku, që i ndiqte me vëmendje të madhe ngjarjet shqiptare, pa menjëherë në këtë traktat, një goditje të rëndë kundër politikës së tij. Prej këndej u përgjigj duke e ndërprerë menjëherë pensionin, që i paguante Kastriotit qysh nga viti 1448. Njëkohësisht nisi t’i frynte zjarrit të urrejtjes ndërmjet Nikollë e Pal Dukagjinit dhe Skënderbeut, duke i nxitur Dukagjinët t’i kundërviheshin politikës së tij, me të cilën ishin të lidhur deri në atë kohë. Grindja e re krijoi rrezikun e vijimit të vëllavrasjes, pikërisht në maj të vitit 1451, kur niseshin për në Shqipëri kontingjentet e para të trupave napoletane e, me ta, një vit më pas, zbriste drejt trojeve shqiptare edhe një ushtri turke, nën komandën e Talip Pashës.

Gjithsesi viti 1451 nuk pati vetëm kapitje e sherre, por edhe një ngjarje tejet të hareshme, martesën e Gjergjit me Andronikën, apo Donikën, të bijën e Gjergj Arianitit, princit të Vlorës e të Kaninës. Kjo martesë solli pajtimin e Skënderbeut me shtëpinë e Arianitëve që, pas krizës së vitit 1450, kishin marrë anën e venedikasve. Por krijoi edhe sherre e pakënaqësi të reja ndër të dyja palët, kryesisht ndërmjet katër djemve arianitas e edhe Hamzë Kastriotit, që e konsideronte veten trashëgimtar të ligjshëm të të ungjit të lavdishëm, e, deri në atë çast, të pamartuar.

Ndërkaq, ndërsa Kastrioti përgatitej ta dërmonte turkun në Modricë  e  në luginën e Mezadrit, veprimtaria shkatrrimtare e Dukagjinëve e vuri seriozisht në rrezik realizimin e planeve  të tij mbrojtëse. E kjo e nxiti Papën të ndërhynte për pajtimin ndërmjet tyre. Për këtë qëllim, më 18 korrik 1452, dërgoi  kryeipeshkvin e Drishtit si përfaqësues të tij, në emër të Kishës “pro nonnullis ardui nostris et romane Ecclesie negotiis…”2, e, dy ditë më pas, e urdhëroi të njëjtin kryeipeshkëv të ndërmjetësonte  për ta fashitur urrejtjen e madhe, që kishte lindur ndërmjet prijësve shqiptarë “…quae res magna molestia non afficit…” 3 E që ndërmjetësia të realizohej me sukses, Nikolla V, më 13 gusht 1452, e porositi ndërmjetësuesin e tij të organizonte një takim me kundërshtarët. Më në fund takimi u realizua në Durrës e, më 25 tetor, në praninë  e përfaqësuesit venedikas, Pal e Nikollë Dukagjini u pajtuan me Kastriotin 4.

Nga Roma, Nikolla V, siç tregon takimi i sapokujtuar, i ndiqte me vëmendje të madhe ngjarjet e Shqipërisë dhe ndërhynte për t’ia sheshuar udhën fatosit, që mbronte, sypagjumë e me armët gjithnjë ngjeshur, popullin dhe fenë e vet, duke u sulur si shqiponja kundër armikut, deri atëherë të pathyeshëm. 

Një vit më pas, Papa do të ndërhynte përsëri sepse, pasi pati sheshuar sherret ndërmjet Dukagjinasve e Skënderbeut, lindën sherre të reja, tejet delikate, krijuar nga disa priftërinj të cilët, të nxitur  nga myslimanët, kishin shtënë në dorë pronat kishtare të trojeve të Kastriotit, duke kërkuar mbrojtjen e turqve. Po për këtë sherr të ri do të flasim në emisionin e  17-të të rubrikës sonë, kushtuar marrëdhënieve të Skënderbeut me Papët e Romës.

 

1. Cutolo, vep. cit, fq 112

2. Ark.Sek.Vat. T.37, fq 211

3. Pisko, Skanderbeg, Historische Studien, 1894, IV, 138

4. S. Masci, në Revistën Albania, qershor 1941, faq 164








All the contents on this site are copyrighted ©.