

Në emisionin e gjashtëmbëdhjetë të rubrikës, në vazhdim të veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, do të kujtojmë ngjarjet e viteve 1450-‘52, kur Kastrioti, tejet i ligështuar pas Rrethimit të parë të Krujës, deshi t’ia jepte zotërimet e tij Venedikut, nëse do të vinte ta ndihmonte atë, e jo armikun. Po venecianëve u leverdiste më shumë të tregtonin me turqit, sesa me Prijësin shqiptar. Atëherë, duke pasur nevojë të ngutshme për ndihmë, nuk i mbeti rrugë tjetër, veçse të kërkonte aleatë të tjerë jashtë vendit. Në dëshpërim e sipër, i lodhur nga luftërat e brendshme e nga frika e një sulmi të ri të Sulltanit, më 26 mars 1451 iu drejtua Mbretit të Napolit, Alfonsit V, armik i osmanllinjve e edhe i Venedikut. Sipas sistemit feudal të kohës, Skënderbeut iu desh të vetëshpallej formalisht vasal i Alfonsit dhe të angazhohej t’i paguante vit për vit një shumë të hollash. Ndërsa Mbreti i Napolit mori përsipër t’i dërgonte Lidhjes shqiptare forca ushtarake dhe ndihma financiare për vijimin e luftës kundër turqve. U nënshkrua, kështu, më 26 mars 1451, traktati i Gaetës, i cili do të shërbente si gur themeli për kryqëzatën kundër sulltanit, që aq shumë e dëshironte Papa. Por edhe kjo ndërmarrje dështoi. Skënderbeu vijoi të ishte zot në viset e veta dhe të trajtohej nga mbreti i Napolit si aleat me të drejta të barabarta. Prej këndej Cutolo 1, me të drejtë nënvizon se prijësi shqiptar e vinte politikën e Shqipërisë nën vartësinë e Mbretit të Napolit vetëm në dukje, ndërsa punët ishin ndryshe.
Venediku, që i ndiqte me vëmendje të madhe ngjarjet shqiptare, pa menjëherë në këtë traktat, një goditje të rëndë kundër politikës së tij. Prej këndej u përgjigj duke e ndërprerë menjëherë pensionin, që i paguante Kastriotit qysh nga viti 1448. Njëkohësisht nisi t’i frynte zjarrit të urrejtjes ndërmjet Nikollë e Pal Dukagjinit dhe Skënderbeut, duke i nxitur Dukagjinët t’i kundërviheshin politikës së tij, me të cilën ishin të lidhur deri në atë kohë. Grindja e re krijoi rrezikun e vijimit të vëllavrasjes, pikërisht në maj të vitit 1451, kur niseshin për në Shqipëri kontingjentet e para të trupave napoletane e, me ta, një vit më pas, zbriste drejt trojeve shqiptare edhe një ushtri turke, nën komandën e Talip Pashës.
Gjithsesi viti 1451 nuk pati vetëm kapitje e sherre, por edhe një ngjarje tejet të hareshme, martesën e Gjergjit me Andronikën, apo Donikën, të bijën e Gjergj Arianitit, princit të Vlorës e të Kaninës. Kjo martesë solli pajtimin e Skënderbeut me shtëpinë e Arianitëve që, pas krizës së vitit 1450, kishin marrë anën e venedikasve. Por krijoi edhe sherre e pakënaqësi të reja ndër të dyja palët, kryesisht ndërmjet katër djemve arianitas e edhe Hamzë Kastriotit, që e konsideronte veten trashëgimtar të ligjshëm të të ungjit të lavdishëm, e, deri në atë çast, të pamartuar.
Ndërkaq, ndërsa Kastrioti përgatitej ta dërmonte turkun në Modricë e në luginën e Mezadrit, veprimtaria shkatrrimtare e Dukagjinëve e vuri seriozisht në rrezik realizimin e planeve të tij mbrojtëse. E kjo e nxiti Papën të ndërhynte për pajtimin ndërmjet tyre. Për këtë qëllim, më 18 korrik 1452, dërgoi kryeipeshkvin e Drishtit si përfaqësues të tij, në emër të Kishës “pro nonnullis ardui nostris et romane Ecclesie negotiis…”2, e, dy ditë më pas, e urdhëroi të njëjtin kryeipeshkëv të ndërmjetësonte për ta fashitur urrejtjen e madhe, që kishte lindur ndërmjet prijësve shqiptarë “…quae res magna molestia non afficit…” 3 E që ndërmjetësia të realizohej me sukses, Nikolla V, më 13 gusht 1452, e porositi ndërmjetësuesin e tij të organizonte një takim me kundërshtarët. Më në fund takimi u realizua në Durrës e, më 25 tetor, në praninë e përfaqësuesit venedikas, Pal e Nikollë Dukagjini u pajtuan me Kastriotin 4.
Nga Roma, Nikolla V, siç tregon takimi i sapokujtuar, i ndiqte me vëmendje të madhe ngjarjet e Shqipërisë dhe ndërhynte për t’ia sheshuar udhën fatosit, që mbronte, sypagjumë e me armët gjithnjë ngjeshur, popullin dhe fenë e vet, duke u sulur si shqiponja kundër armikut, deri atëherë të pathyeshëm.
Një vit më pas, Papa do të ndërhynte përsëri sepse, pasi pati sheshuar sherret ndërmjet Dukagjinasve e Skënderbeut, lindën sherre të reja, tejet delikate, krijuar nga disa priftërinj të cilët, të nxitur nga myslimanët, kishin shtënë në dorë pronat kishtare të trojeve të Kastriotit, duke kërkuar mbrojtjen e turqve. Po për këtë sherr të ri do të flasim në emisionin e 17-të të rubrikës sonë, kushtuar marrëdhënieve të Skënderbeut me Papët e Romës.
1. Cutolo, vep. cit, fq 112
2. Ark.Sek.Vat. T.37, fq 211
3. Pisko, Skanderbeg, Historische Studien, 1894, IV, 138
4. S. Masci, në Revistën Albania, qershor 1941, faq 164
| All the contents on this site are copyrighted ©. |