2018-02-04 03:00:00

Caravaggio, i treguar si moskurrë, falë teknologjive Sky


Nga 19 deri më 21 shkurt 2018, në kinematë italiane do të shfaqet filmi  “Caravaggio, Shpirti e Gjaku”. Sipas Claudio Strinatit, “Drita e Caravaggios i paraprin dritës filmike, kinematografike. Kush e xhiroi filmin, e kuptoi këtë koncept dhe diti ta shprehë”. Në prag të shfaqjes, për Vatican News, një fragment i filmit:

Drita e hija, jeta e vdekja, mëshira e mëkati, realiteti e mashtrimi, piktori e njeriu. Rreth këtyre realiteteve kontradiktore, por të pandashme, shtjellohet filmi, që përbën një risi të padiskutueshme për botën e kinematografisë, titulluar “Caravaggio, Shpirti e Gjaku”, prodhuar nga Sky e Magnitudo Film, në bashkëpunim me Palazzo Reale dhe Vatican media. Është shtegtim në shpirtin e Michelangelo Merisit, piktor i njohur universalisht, forca e të cilit vijon ta mrekullojë kë depërton në jetën, që  del nga telajot e tij, për t’i folur pambarimisht njerëzve të të gjitha kohëve. E për t’i emocionuar, për t’i ngashëryer, për t’ua shkundur ndërgjegjen.

Kryeveprat e Caravaggios në 8K

Mjeshtria e regjisorit meksikan Jesus Garces Lambert, autor i disa dokumentarëve të mirënjohur, prodhuar nga disa rrjete televizive ndërkombëtare, formati Cinemascope 2:40, falë të cilit të duket sikur e prek pëlhurën e pikturave dhe formati 8K, që krijon mundësinë t’i perceptosh me sy të lirë hollësirat e papashme, si penelatat origjinale të Merisit, janë elementet themelore, që e bëjnë këtë realizim filmik të pashoq në llojin e tij.

Film “për ta prekur” veprën e Caravaggios

Përmes këtij filmi, publiku krijon marrëdhënie gati fizike, të ndjeshme, të prekshme, me 40 nga veprat më të njohura të artistit, që jetoi ndërmjet shekullit XVI e XVII, të ruajtura në Milano, Firence, Romë, Napoli e Maltë: që nga kompozimi enigmatik “Pushim gjatë ikjes në Egjipt”, tek “Madalena pendestare”, “Kthimi dramatik i Shën Palit” e deri tek “Rrahja e Krishtit me kamxhik”, “Veprat prekëse të Mëshirës” dhe “Thirrja e Shën Mateut”, që ndodhet në Kapelën Contarelli të kishës romake të Shën Luigjit të francezëve. 

Seriozitet shkencor e realizim i lartë

“Caravaggio, Shpirti e Gjaku”, nuk është vetëm kërkim në veprën e Mjeshtrit, por edhe mënyrë për t’i njohur më nga afër, luftën e brendshme e kontrastet shpirtërore të një Artisti, jeta e të cilit është  përplot me fakte tronditëse gjaku, rrëfyer me zërin e Manuel Agnellit. Figurat, që parakalojnë njëra pas tjetrës, flasin vetë për kërkimin e thellë ndër arkivat, në të cilat ruhen gjurmët e kalimit të këtij Njeriu të panënshtruar, nëpër rrugët aspak të lehta të kësaj bote. Gjë që na kujton se nënshtrimi ndaj mediokritetit nuk ka krijuar kurrë Artistë të denjë për këtë emër. Këshilltar shkencor i veprës është një nga specialistët më në zë të piktorit, historiani i artit, Claudio Strinati. E tregon në film artistin,  përkrah me koleget Mina Gregori e Rosella Vodret, që na zbulojnë rezultatet më të fundme  mbi ductus pictoricus të Michelangelo Merisit. “Ky prodhim - shpjegon Strinati - është film që bashkon në një gjë të vetme, rreptësinë shkencore të dokumentarit, me emocionet e filmit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.