2018-02-04 02:00:00

Atë Vinçenc Malaj ofm, studiues i shquar, në përvjetorin e vdekjes


Me 4 shkurt kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Atë Vinçenc Malajt, françeskan e studiues i njohur shqiptar. Atë Vinçenc Malaj, lindi më 1 dhjetor 1928 në Ljarje të Krajës, vdiq më 4 shkurt 2000 në Tuz, ku edhe u varros. Ndërmjet këtyre dy datave, kemi një jetë plot veprimtari, që filloi me thirrjen për rrugë rregulltare ndër françeskanë, vijoi me studimet në liceun Illyricum, kushtet e përjetshme të jetës rregulltare ndër bijtë e shën Françeskut të Asizit, studimet filozofike e teologjike në Zagreb e ato linguistike në Romë, me prof. Ernes Koliqin, shugurimin meshtarak e kremtimin e Meshës së parë në Tuz më 13 tetor 1957.

Pra françeskani Atë Vinçenc Malaj qe meshtar dhe studiues i njohur që la një trashëgimi të pasur kulturore. Bashkëpunoi me revistën “Shenjzat” të prof. Ernest Koliqit, ku botoi disa studime; shkroi veprën “Kuvendi I Arbënit”, studioi veprën e imzot Pjetër Bogdanit, bëri shumë gjurmime mbi historinë kombëtare të popullit shqiptar, mbi krishterimin ndër shqiptarë e mbi atletin e Krishtit, heroin Gjergj Kastriotin Skënderbeut, artin e tjera.

Në moshë të shtyrë u rikthye atje ku kishte nisur jetën rregulltare: në Shkodër, ku dha mësim në Seminarin ndërdioqezan, që sapo ishte hapur, mbi historinë e kombit dhe të krishterimit shqiptar, duke i mësuar të rinjtë shqiptarë mbi të kaluarën dhe rrënjët etnike e shpirtërore, shpresë e ardhmërisë së Kombit dhe të Kishës së martirizuar shqiptare. 

Atë Vinçenc Malaj “Vdekja”

Vdekje n’t’vërtetë nuk ka,
ajo s’âsht landë,
as ekzistencë...
Ajo, po, âsht ekstazë,
një kurrgjâsend,
ankth, trishtim,
tymtajë...
shkapërcim prej shtegut n’shteg,
m’tjetrânë si bazë,
kalim prej shkretisë n’oazë...
Rrugë që njitet përpjetë
prej bregut në breg
e ulet prap n’teposhtë
n’tatpjetë...

Ajo âsht urë,
tejkalim si nëpër unazë,
tunel, galerí nëndhese,
udhëtim ânemëkand
prej një jete së shkurtë
e të shueme
të këtij shekulli të zí
në tjetrën jetë:
mâ të mirë,
mâ të bukurmâ të lirë
fatlume në lumní...

Marrë nga përmbledhja poetike “Papërdhokë e gurë faqokë”, Botim i Misionit Françeskan, Tuz-Malësi, Tuz 2010, fq. 32








All the contents on this site are copyrighted ©.