2018-02-03 15:01:00

Papa Françesku: fajdeja poshtëron e vret


Fajdeja e korrupsioni ishin temat në qendër të audiencës së Papës me anëtarët e Këshillit Kombëtar Italian kundër Fajdesë, të cilët i priti sot në Sallën Klementine, në Vatikan.

“Fajdeja është mëkat mortar: vret jetën, merr nëpër këmbë dinjitetin e njerëzve, është shteg për korrupsionin e pengesë për të mirën e përbashkët”. Papa Françesku e vuri edhe një herë gishtin mbi këtë plagë të hapur e akoma shumë të rëndë, duke u takuar, në Vatikan, me anëtarët e Këshillit Kombëtar Italian kundër Fajdesë. Në fjalën, që u drejtoi të pranishëmve, pohoi edhe një herë me forcë se fajdeja i dobëson bazat  shoqërore dhe ekonomike të vendit. Asnjë shtet nuk mund ta programojë gjallërimin serioz të ekonomisë, kur ka shumë familje të mbytura në borxhe, shumë viktima krimesh të rënda, shumë njerëz të korruptuar. Nga shtete të tilla vështirë të presësh përmirësime në jetën e vendit.

Fajdeja poshtëron e mbyt

Gjatë 26 vjet shërbimi, Këshilli Kombëtar Italian kundër Fajdesë ka shpëtuar prej morsës së borxhit të krijuar nga fajdeja, më se 25 mijë familje, duke ua rikthyer dinjitetin e shpresën. Është angazhim, që synon të mbrojë jetë, shtëpi e ndërmarrje të vogla, për të cilat Papa Bergoglio i falënderoi të pranishmit, duke vlerësuar guximin e ngulmimin e tyre. Fajdeja poshtëron e vret - pohoi me forcë - është një e keqe e kahmotshme,  që i lidh e i shtrëngon viktimat si gjarpër.

Të rikthehemi tek stili i jetës së thjeshtë

Për ta parandaluar këtë plagë, duhen shëruar njerëzit nga sëmundja e borxhit të marrë për të jetuar, ose për të shpëtuar ndërmarrjen, duke i edukuar me stil të thjeshtë jetese, me aftësinë për ta dalluar atë, që është e tepërt, nga ajo, që është e nevojshme. Nuk duhet harruar se në bazë të krizës ekonomike është gjithnjë koncepti i jetës, që vë në plan të parë përfitimin, jo personin. Por nuk mund të vriten vëllezërit, në emër të parasë – shtoi Françesku. Kështu institucionet publike duhet të vënë në qendër të politikave ekonomike dinjitetin njerëzor, etikën, solidaritetin dhe të mirën e përbashkët, duke i frenuar mjetet që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, janë shkaktare të fajdesë, si për shembull, loja e bixhozit.

Një humanizëm i ri ekonomik

Papa uroi, në përfundim, "lindjen e një humanizmi të ri ekonomik”, për t’i dhënë fund ekonomisë që vret, sistemeve, në të cilat burrat e gratë nuk janë më njerëz, po mjete të logjikës së hedhurinës, që krijon çekuilibrime të thella. Takimi, dëgjimi e afërsia duhet të jenë në qendër të angazhimeve të autoriteteve publike - vijoi Papa - e, në përfundim uroi që Zoti t’i frymëzojë autoritetet publike, që njerëzit e familjet të përfitojnë nga ligji, si çdo realitet tjetër ekonomik e t’i ndihmojë drejtuesit e sistemit bankar të vigjilojnë mbi cilësinë etike të veprimtarive të instituteve të kreditit. Ia vlen – përfundoi - të nënvizohet se shumë banka lindën dhe u përhapën nëpër botë pikërisht për t’i nxjerrë të varfërit nga tuneli i fajdesë, me hua pa pengje e pa interesa.








All the contents on this site are copyrighted ©.