2018-02-01 15:59:00

“Krijesa Hyjnore” në Vatikan, ekspozita që u jep dritë të vegjëlve


U përurua, këto ditë, në Muzetë vatikanase, ekspozita me dhjetë fotografi të mëdha, në të cilat rijetojnë kryeveprat e artit kishtar, të interpretuara nga 45 njerëz me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore dhe familjarët. Imzot Verdon pohon se përmes tyre mund ta shikojmë me sy të rinj bukurinë, falë vlerave shpirtërore të këtyre autorëve vërtet të veçantë.

E titulluar “Krijesa Hyjnore”, ekspozita që propozon dhjetë punime fotografike të Leonardo Baldinit, mund të soditet në Sallën e Muzeve të Vatikanit. Fotografitë, “fryt i dashurisë dhe i krijimtarisë artistike të shumëkujt” - shkruan në hyrje të katalogut drejtoresha e Muzeve të Vatikanit, Barbara Jatta, ekspozohen deri më 3 mars, me hyrje të lirë, pranë riprodhimit të veprës origjinale, objekteve të skenës dhe fotove të prapaskenës. 

Bukuria e vërtetë shpirtërore

Ekspozita, tejet origjinale, ideuar nga Adamo Antonacci, nën kujdesin e Micol Fortit i cili në Muzetë e Vatikanit merret me  Koleksionin e Artit bashkëkohor, u paraqit  për herë të parë në mars 2017, në Muzeun e Veprës, në Firence, falë intuitës së drejtorit, imzot Timothy Verdon:

“Kjo ekspozitë e jashtëzakonshme na kujton se bukuria e vërtetë është përbrenda nesh, në shpirt, jo  përjashta - u shpreh për Vatican news, imzot Verdon - madje, na bën ta shikojmë me sy të rinj bukurinë e jashtme, falë thjeshtësisë, entuziazmit, vlerës shpirtërore të njerëzve, që u bënë interpretë të këtyre kryeveprave. Ekspozitë për syrin kjo, e, më shumë akoma, për shpirtin,

Kryveprat e artit kishtar, jetojnë në mënyrë të re

“Janë trupa, që shoqëria e ka të vështirë t’i përfshijë në radhët e veta – sqaron Micol Forti, kurator i ekspozitës dhe i Koleksionit të Artit Bashkëkohor të Muzeve të Vatikanit - e ekspozita  rrëfen se brishtësi e forcë, qëndresë e ligështi, siguri e dyshime janë faqe të së njëtës medalje e se edhe ne të gjithë jemi fytyra të së njëjtës së vërtetë”

Akoma imzot Verdon nënvizon se kryeveprat, të cilat të gjithë i kemi studiuar në shkollë e në doracakë arti, jetojnë në një  mënyrë të re, falë pjesëmarrjes  së aktorëve të kësaj ekspozite, që na krijojnë një mundësi të re për t’i rivlerësuar disa nga kryeveprat më të mëdha të traditës sonë, duke na i hapur sytë për të parë një bukuri jo thjesht estetike:

“Ishte vërtet gjë e thjeshtë të punoje me ta - tregon ideatori i planit, Adamo Antonacci, i Stranemani International - nuk e besonim se do të arrinin në një kulm të tillë, jo pse ishin njerëz me kufizime, por pse nuk ishin profesionistë. E megjithatë ia dolëm t’i fotografojmë në një ditë të vetme, sepse të gjithë u sollën si artistë të vërtetë. Sikur dolën nga telajot, për të hyrë në jetë. Në një jetë biblike, që nisi të rijetonte në skenat e realizuara prej këtyre protagonistëve të çuditshëm.

Na bëjnë ta shikojmë Pjetri të shndërruar në ëngjëllushin muzikant të Rosso Fiorentinos; Sarën, në rolin e Zojës së Palermos, në çastin e lajmërimit të Engjëllit, vepër e Antonello da Messina; Benediktën e Rebbekën, me pamjen e dy engjëjve të Adhurimit të Krishtit Fëmijë, të Gherardo delle Notti. E pastaj sodisim si rijetojnë Lajmërimi i Caravaggios e Vajtimi mbi Krishtin e vdekur të Mantegn-ës. E kështu, deri tek “Puthja e Judës” e Montanarit, foto e ekspozuar pranë pikturës origjinale, ruajtur pikërisht në Muzetë e Vatikanit.

“Krijesat hyjnore interpretojnë jetën e Jezusit", në Muzetë e Vatikanit

Kufizimet janë zbulesë e pranisë së Zotit. Prej këtu, vite më parë, lindi edhe ideja për një realizim të kësaj natyre - shpjegon Antonacci. – Lindi  duke lexuar librin “Nata”, të Elie Wiesel, që tregon sesi, në një kamp përqendrimi, nazistët vendosin të mbysin një fëmijë e t’i detyrojnë gjithë të internuarit ta sodisin skenën. E ata e sodisnin e pyesin veten: “Ku është Zoti?”. E  Wiesel gjegjet: “Është ai fëmijë, që vdes”. E atëherë më erdhi në mendje ideja  se Zoti duket pikërisht atje, ku ne mendojmë se mohohet. Për shumë shekuj besohej se gjymtimet ishin mohim i pranisë së Zotit, nësa janë dukje e Tij. Prej këndej menduam të krijojmë prej tyre, figura që përkojnë me pamjen e Krishtit, të Zojës e të Shenjtorëve, të interpretuar pikërisht nga njerëz të tillë.

Është ekspozitë për Vatikanin e Papës Françesku - përfundon imzot Verdon - sepse vlerëson të vegjlit, vlerëson ata, në të cilët Jezusi na kujton se shikojmë pikërisht atë vetë, duke na ftuar ta ndjejmë praninë e Tij në njerëzit e vuajtur, të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. “Krijesa hyjnore”, është ekspozitë, që i vlerëson njerëzit, duke i parë me sy të krishterë!








All the contents on this site are copyrighted ©.