2018-02-01 17:10:00

Imzot Kondrusiewicz: nga Papa, shpresë për një vizitë të tij në Bjellorusi


Sot, Papa Françesku priti në audiencë ipeshkvijtë e Bjellorusisë, të cilët ndodhen në Vatikan, në vizitën e tyre “ad Limina Apostolorum” (te varret e Apostujve). Gjendja fetare dhe shoqëroro-politike e vendit ishte në qendër të bisedës së Atit të Shenjtë me ipeshkvijtë. Kryeipeshkvi i Minskut, imzot Tadeusz Kondrusiewicz, nënvizon, në mikrofonin tonë, se Ati i Shenjtë pyeti sidomos për marrëdhëniet me Kishën ortodokse. Ipeshkvijtë e sqaruan Papën se Kisha Katolike ka marrëdhënie vëllazërore me atë Ortodokse. Ata e ftuan Françeskun të shkojë për vizitë në Bjellorusi. E shpresat nuk janë të vogla, nënvizon kryeipeshkvi i Minskut.

         “Na e dha këtë shpresë  - thotë imzot Kondrusiewicz – e do t’ia çoj këtë mesazh popullit tonë. Gjatë takimit, iu dhurua Atit të Shenjtë edicioni i parë i Besëlidhjes së Re në gjuhën bjelloruse. Në Bjellorusi shërbejnë 500 meshtarë, prej të cilëve 90 të huaj. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit e Kishës janë shumë të mira, por ka disa probleme – shton prelati. – Ndër to, lejet e qëndrimit për meshtarët e huaj dhe për ndërtimin e kishave të reja. Gjithashtu, mungon një marrëveshje bazë ndërmjet Bjellorusisë dhe Selisë së Shenjtë. Edhe për këtë, folëm me Papën Françesku”, përfundon ai.








All the contents on this site are copyrighted ©.