

Sot, Papa Françesku priti në audiencë ipeshkvijtë e Bjellorusisë, të cilët ndodhen në Vatikan, në vizitën e tyre “ad Limina Apostolorum” (te varret e Apostujve). Gjendja fetare dhe shoqëroro-politike e vendit ishte në qendër të bisedës së Atit të Shenjtë me ipeshkvijtë. Kryeipeshkvi i Minskut, imzot Tadeusz Kondrusiewicz, nënvizon, në mikrofonin tonë, se Ati i Shenjtë pyeti sidomos për marrëdhëniet me Kishën ortodokse. Ipeshkvijtë e sqaruan Papën se Kisha Katolike ka marrëdhënie vëllazërore me atë Ortodokse. Ata e ftuan Françeskun të shkojë për vizitë në Bjellorusi. E shpresat nuk janë të vogla, nënvizon kryeipeshkvi i Minskut.
“Na e dha këtë shpresë - thotë imzot Kondrusiewicz – e do t’ia çoj këtë mesazh popullit tonë. Gjatë takimit, iu dhurua Atit të Shenjtë edicioni i parë i Besëlidhjes së Re në gjuhën bjelloruse. Në Bjellorusi shërbejnë 500 meshtarë, prej të cilëve 90 të huaj. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit e Kishës janë shumë të mira, por ka disa probleme – shton prelati. – Ndër to, lejet e qëndrimit për meshtarët e huaj dhe për ndërtimin e kishave të reja. Gjithashtu, mungon një marrëveshje bazë ndërmjet Bjellorusisë dhe Selisë së Shenjtë. Edhe për këtë, folëm me Papën Françesku”, përfundon ai.
| All the contents on this site are copyrighted ©. |