2018-01-31 13:23:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skanderbeut (1444-1468)” n. 12


Në emisionin e dymbëdhjetë të rubrikës, duke vazhduar shfletimin e veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra,  fillimi i duelit të madh të Gjergj Kastriotit me Sulltanët e Stambollit, që pretendonin ta pushtonin gjithë botën e njohur deri në atë kohë. Akti i parë i dramës, beteja e Torviollit.

Pasi kishte shtënë në dorë Krujën, Gjergji çliroi, njërën pas tjetrës, fortesat e Petrelës, Gurit të Bardhë, Tetovës, Stelushit dhe një varg kështjellash të tjera në afërsi të Krujës, të cilat kontrollonin rrugët tregtare, që lidhnin viset bregdetare me ato lindore. Luftëtarët e Skënderbeut, ndërkohë, kaluan në Dibrën e Sipërme, ku në bashkëveprim me trupat e Gjergj Arianitit e të Zahari Gropës çliruan qytetin e Ohrit dhe kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradit), të ngritur në veriperëndim të Manastirit, me një pozicion shumë strategjik për kontrollin e rrugëve që lidhnin Përlepin e Manastirin me rajonet në perëndim të tyre. Bashkë me Ohrin dhe Sopotnicën në duart e shqiptarëve ranë edhe Struga, Kërçova, si dhe kështjella më të vogla që kontrollonin rrugët tregtare në hapësirat e Dibrës së Sipërme. Në jug të Shkupit, Skënderbeu përfshiu, për herë të parë, nën zotërim të Kastriotëve rajonin malor të Mokrës (malet Jakupice) dhe vuri nën kontroll rrugën e rëndësishme Shkup-Kërçovë, traseja e së cilës kalonte përgjatë luginës së lumit Treska.

U lidh, pastaj, me Venedikun dhe thirri kuvendin e Princave shqiptarë, që u mbajt në Kishën e Shën Kollit, në Lezhë, asokohe nën sundimin venecian. Ishte data 1mars 1444.

Si u mor vendimi t’i shpallej luftë pushtuesit, Gjergji krijoi një rrjet informatorësh dhe nisi të përgatisë  kontingjente të reja me taktikën  e ushtrive turke. Kështu, në qershorin e vitit 1444, kishte formuar një ushtri me 15 mijë burra, gjysma e të cilëve, kalorës të sprovuar. Me ta u bë gati ta priste armikun, i sigurt se Sulltani nuk do ta falte kurrë. E armiku nuk vonoi të dukej pikërisht në atë verë të përvëluar, e cila mbeti në histori si vera e sulmit e, njëkohësisht, e fitores së parë, që bëri bujë të jashtëzakonshme në mbarë Evropën e tmerruar.

Në fund të këtij muaji, informatorët e njoftuan Gjergjin se një ushtri turke prej 25 mijë vetësh, nën komandën e Ali Pashës, po marshonte në drejtim të trojeve shqiptare. Kastrioti i zu pritë në grykat e Torviollit ku, në agim të 29 qershorit, u zhvillua ndeshja e parë. Ndeshje e rrufeshme, e tmerrshme. Tri orë pas këtij fillimi, turqit pësuan disfatën e parë të madhe përballë ushtrisë më të re, e edhe më të lavdishme, që lindi në fushën e kësaj beteje.

Me fitoren e Torviollit, emri i Kastriotit nisi të tërheqë vëmendjen  e shteteve italiane e figura e tij, të shikohej si kreu i një ushtrie e kryetrimi i një populli, që kishte rrokur armët për mbrojtjen e lirisë së rifituar. Që aso kohe Gjergj Kastrioti nisi edhe veprimtarinë diplomatike, që zë vend shumë të rëndësishëm ndërmjet bëmave të jetës së tij të jashtëzakonshme.

Hyri menjëherë në lidhje me hungarezët, para se ta fitonte betejën e Torviollit, ndërsa meditonte edhe planin për fillimin e marrëdhënieve të ngushta me shtetet e perëndimit të krishterë, rrugëzgjidhje e vetme  për t’i bërë ballë rrezikut të tmerrshëm turk. Në këtë kohë, kur papnonte Eugjeni IV, nisin edhe lidhjet e para me Selinë e Shenjtë. Këto lidhje do të jenë në qendër të emisionit të 13-të të rubrikës sonë, kushtuar betejave e fitoreve të popullit të vogël shqiptar përballë superfuqisë së kohës, që krenohej  se kishte shtruar Ballkanin, prej nga do të kishte nisur sulmin në drejtim të Evropës, po të mos kishte ndeshur në gjokset e pamposhtura të një çete trimash, me në krye një nga kryetrimat, emri i të cilit do të mbetej në krye të listës së gjeneralëve më të mëdhenj të kohëve. Dhe gjithë kjo ndodhte rreth pesë shekuj më parë…. 








All the contents on this site are copyrighted ©.