2018-01-31 13:10:00

Papa në audiencën e përgjithshme: në Meshë, jo gazeta, në vend të Leximeve


Në Meshë, gjatë Liturgjisë, Fjala e Zotit bëhet Fjalë e gjallë e na drejtohet ne, që e dëgjojmë me fe, këtu e tani. Është Zoti, që dialogon me popullin e  vet, prandaj ndalohen “zgjedhjet subjektive të leximeve”: ndërsa Leximet, që përmbahen në leksionar e që shpallen në mbarë botën, e favorizojnë bashkësinë kishtare dhe e shoqërojnë në udhën, ku ecim të gjithë, krah për krah së bashku.

Këtë nënvizoi Papa Françesku në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, e para që i kushtohet, në ciklin mbi Meshën Shenjte,  Liturgjisë së Fjalës, parë si dialog i Zotit me popullin e vet. Audienca u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra besimtarëve.

Nëse  merresh me llafe, nuk mund ta dëgjosh Fjalën e Zotit

Të mbledhur për të dëgjuar çka bëri e do të bëjë akoma Zoti për ne, nuk duhet të merremi me komente të kota, e as me fjalë të tepërta, por duhet t’ia hapim, në heshtje, zemrën  Fjalës së Zotit, për ta vënë, pastaj, në jetë, atë që dëgjuam.

Duhet ta dëgjojmë! Është çështje jete, siç na e kujton shprehja: “Jo vetëm me bukë jeton njeriu, por me çdo fjalë, që del nga goja e Hyjit”. Jetë, që na jep  çdo fjalë e Zotit. Në këtë kuptim, Liturgjinë e Fjalës e quajmë gosti, të cilën Zoti e shtron për të ushqyer jetën tonë shpirtërore.

Fjala e Zotit nuk duhet zëvendësuar me fjalë të tjera

Refreni i Psalmit - vijoi Françesku - favorizon meditimin e asaj që dëgjohet në leximin paraprijës, prandaj është mirë që Psalmi të këndohet i tëri, ose vetëm refreni. Shpallja liturgjike e të njëjtave lexime - shpjegoi akoma Papa - shpreh e favorizon bashkimin kishtar, duke e shoqëruar udhën e të gjithëve e të secilit.

Kuptohet edhe pse ndalohen disa zgjedhje subjektive, si përjashtimi ose zëvendësimi i leximeve me tekste, të cilat nuk kanë të bëjnë me Biblën. Por - siç kam dëgjuar - ka edhe nga ata që, në vend të Leximeve, këndojnë  gazetën, sepse është lajmi i ditës. Jo!

“Fjala e Zotit është Fjalë e Zotit!”

“Fjala e Zotit, është fjalë e Zotit! Gazeta mund të lexohet më pas. Por në Meshë lexohet Fjala e Zotit. Është Zoti, që flet”.

Ta zëvendësosh këtë Fjalë me fjalë të tjera, do të thotë ta varfërosh e edhe ta komprometosh dialogun ndërmjet Zotit dhe popullit të Tij, në lutje.

Lexues të mirë, që duhet të përgatiten

Ka shumë rëndësi edhe dinjiteti i amvonës, përdorimi i leksionarit si dhe  zgjedhja e lexuesve dhe psalmistëve, që duhet të përgatiten, duke bërë edhe prova. Kështu  krijohet një atmosferë heshtimi, në të cilën besimtari   e ka më të lehtë ta kuptojë çka po i thotë Zoti. “E dimë mirë se fjala e Zotit  është ndihmë e pazëvendsueshme për të mos e humbur udhën - vijoi Papa - është llampë për hapat tanë, dritë mbi udhën tonë”.

Si do të mund ta përballonim shtegtimin tonë tokësor, me mundimet e sprovat e tij, pa u ushqyer e pa u ndriçuar rregullisht nga Fjala e Zotit, që jehon në Liturgji? Natyrisht nuk mjafton ta dëgjosh vetëm me veshë, nëse nuk e pranon në zemër farën e Fjalës hyjnore e nuk i krijon kushtet, që të japë fryt. Fjala e Zotit bën udhë në shpirtin tonë. E dëgjojmë me veshë, na kalon në zemër, nuk mbetet në vesh, duhet të kalojë në zemër! E, nga zemra, në duar. Duar që lëvizin për vepra të mira. Kjo është udha, që bën Fjala e Zotit: nga veshët, në zemër e në duar. T’i nxëmë këto mësime!

Sot Kisha përkujton Shën Gjon Boskon

Në përfundim të audiencës, gjatë përshëndetjes drejtuar shtegtarëve italianë, Papa Françesku nënvizoi se sot Kisha kujton Shën Gjon Boskon, atë e mësues i rinisë, duke i ftuar të rinjtë “ta shikojnë si edukator shembullor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.