2018-01-31 03:00:00

Me 31 janar kalendari kishtar kujton Shën Gjon Boskun


Me 31 janar kalendari kishtar kujton Shën Gjon Bosko-n, themelues i Salezianëve, atë dhe mësues i të rinjve.  Shenjtorë dëshmojnë se bamirësia dhe shёrbimi duhet të zënë vendin e parë në jetën e të krishterit. Këtë na kujton edhe shembulli frymёzues i Shёn Gjon Bosko-s, i cili nё epokёn moderne, i përflakur nga dashuria e Jezusit, Bariut të Mirë, nis të kujdeset për të rinjtë më të braktisur e bëhet për ta atë e mësues.

Saleziani shqiptar dom Domenik Qerimi flet për karizmën e misionit të Salezianëve dhe Salezianeve, posaçërisht për misionin me të rinjtë në Uratorore, ta dëgjojmë..

Gjon Bosku është shenjt i madh i kohëve moderne, pajtor qiellor i studentëve e i botuesve, meshtar torinez, i lindur në vitin 1841. Shenjti kujtohet si krijues i Oratorëve, vend takimi e dëfrimi për të rinjtë, edukimit të të cilëve Shenjti ia kushtoi gjithë jetën, dhe si themelues i vëllezërve Salezianë dhe i motrave Saleziane. Don Bosku vdiq më 31 janar 1888 dhe u kanonizua nga Papa Piu XI në vitin 1934. Festa e tij u kremtua kudo kryejnë misionin familjet saleziane, por kremtimet kryesore u mbajtën në Torino. 

Kujtojmë se familja rregulltare Saleziane është e pranishme ndër shqiptarë. Në Shqipëri që në vitet ’30 dhe pas ndërprerjes gjatë periudhës komuniste, në vitin 1992 rregulltarët salezianë janë kthyer menjëherë, për të ngritur oratorët dhe qendrat e tyre sociale në Tiranë e në Shkodër, në sa prej vitesh vijojnë misionin në Prishtinë e Gjilan të Kosovës, dhe në Podgoricë të Malit të Zi. 

Të guximshëm në shpalljen e Ungjillit e të durueshëm me të rinjtë. Këto veçoritë e rregulltarëve Salezianë. Të rinjtë e shohin botën që ndryshon me shpejtësi, duke shtruar para të rriturve probleme etike, kulturore, ambientale të rëndësishme, që tregojnë se ata vetë kanë vlera të shëndosha. E Salezianët mundohen të jenë në gjendje t’i kuptojnë aspiratat e tyre e të gjejnë përgjigje, që i kanë rrënjët në mesazhin e Jezusit e në thirrjen e veçantë të Shoqërisë së don Boskut.

Don Bosku deshi që vazhdimësia e karizmës së tij në Kishë të sigurohej nga jeta e shuguruar. Edhe sot lëvizja rregulltare saleziane mund të rritet në besnikërinë ndaj thirrjes së saj, vetëm nëse në qendër të bashkësisë vazhdon të mbetet një bërthamë e fortë jetësore personash të shuguruar. Prandaj, për të forcuar identitetin e krejt Kongregatës saleziane, impenjimi i parë duhet të jetë forcimi i thirrjes së çdo saleziani për të jetuar plotësisht besnikërinë e thirrjes së tij për jetën e shuguruar.

Prandaj, është e nevojshme, sipas Papës, që të gjithë rregulltarët të marrin një formim të nivelit të lartë, para se të merren më pas me edukimin e brezit të ri. Për t’i bërë ballë shekullarizimit të kulturës, që nuk kursen as personat e shuguruar, duhet një pjesëmarrje e përhershme në Eukaristinë e përditshme e atë komunitare, në leximin dhe meditimin e Fjalës së Zotit, një pjesëmarrje në jetën e thjeshtë, të varfër e të rregullt të bashkësisë rregulltare saleziane.
Prej këtej lind vërtetësia shpirtërore e përkushtimit apostolik dhe e bashkësisë kishtare. Besnikëria ndaj Ungjillit, jetuar fjalë për fjalë, dhe ndaj Rregullës saleziane, në veçanti jeta rigoroze dhe varfëria ungjillore, e praktikuar në mënyrë koherente, dashuria besnike ndaj Kishës dhe dhurimi bujar i vetvetes për të rinjtë, sidomos për më nevojtarët, do të jenë garancia e lulëzimit të Kongregatës saleziane.

Ky model apostolik i salezianëve mund t’i përgjigjet asaj “emergjence të madhe edukative”, që Papa vuri dukje edhe në temën e Sinodit të ipeshkvijve 2018 kushtuar të rinjve. Të edukosh nuk është e thjeshtë, e sot duket se bëhet gjithnjë e më e vështirë: prandaj jo pak prindër e mësues ndjejnë tundimin për të hequr dorë nga detyra e tyre, e nuk arrijnë as ta kuptojnë se cili është në të vërtetë, misioni që u është besuar atyre.  

Fatkeqësisht, arsyeja qëndron në mungesën e shpresës. Pikërisht prej këndej lind ndoshta vështirësia më e madhe për të kryer një vepër të vërtetë edukative: në bazë të krizës së edukimit qëndron në fakt kriza e besimit ndaj jetës, që në fund të fundit, nuk është tjetër veçse mosbesim në atë Zot që na ka thirrur në jetë. Në edukimin e të rinjve, është jashtëzakonisht e rëndësishme që familja të jetë subjekt aktiv. Ajo është shpesh në vështirësi në përballimin e sfidave të edukimit; shpesh nuk është në gjendje të japë mbështetjen e saj specifike, ose mungon krejtësisht. Impenjimi në favor të të rinjve, karakteristikë për thirrjen e Don Boskut, duhet të përkthehet në impenjimin e njëjtë për përfshirjen dhe formimin e familjeve.

Don Bosku deshi që vazhdimësia e karizmës së tij në Kishë të sigurohej nga jeta e shuguruar. Edhe sot lëvizja rregulltare saleziane mund të rritet në besnikërinë ndaj thirrjes së saj vetëm nëse në qendër të bashkësisë vazhdon të mbetet një bërthamë e fortë jetësore personash të shuguruar. Prandaj, për të forcuar identitetin e krejt Kongregatës, impenjimi juaj i parë duhet të jetë forcimi i thirrjes së çdo saleziani për të jetuar plotësisht besnikërinë e thirrjes së tij për jetën e shuguruar








All the contents on this site are copyrighted ©.