2018-01-31 17:35:00

Kard. Parolin: në Kinë nuk ekzistojnë dy Kisha, por dy bashkësi besimtarësh


“Në Kinë nuk ekzistojnë dy Kisha, por dy bashkësi besimtarësh, të thirrur të përshkojnë udhën e pajtimit gradual drejt bashkimit”: ky është mendimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, pas debatit mbi qëndrimin e Selisë së Shenjtë ndaj Kishës në Kinë dhe pas deklaratës së drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, i cili, në notën e djeshme sqaroi se Papa Françesku dhe Kuria Romake ecin në të njëjtën vijë.

         Ati i Shenjtë, thekson kardinali Parolin në një intervistë të gjatë për gazetën italiane “La Stampa”, ndjek “personalisht kontaktet aktuale me autoritetet” e qeverisë kineze. “Të gjithë bashkëpunëtorët e tij veprojnë në përkim me të. Asnjë nuk ndërmerr nisma private”.

Dialogu dhe besnikëria ndaj traditës

         “Bisedimet në vijim – shpjegon prelati – shkojnë në vazhdën e gatishmërisë për dialog konstruktiv dhe në atë të besnikërisë ndaj traditës së pastër të Kishës”, duke pasur parasysh se, ashtu siç shkruante edhe Benedikti XVI në Letrën për katolikët kinezë, në vitin 2007, “zgjidhja e problemeve ekzistuese nuk mund të arrihet përmes konfliktit të përhershëm me autoritetet e ligjshme civile”. “Prandaj, nuk duhet ruajtur konflikti i përhershëm ndërmjet parimeve dhe strukturave të kundërta, por duhen gjetur zgjidhje baritore realiste, që t’u japin mundësi katolikëve ta jetojnë fenë dhe të vazhdojnë së bashku veprën e ungjillëzimit në kontekstin e veçantë kinez”.

Zgjedhja e ipeshkvijve është jetësore

        Sekretari i Shtetit të Vatikanit nuk e fsheh se mbeten “shumë probleme për jetën e Kishës” në Kinë, të cilat “nuk mund të zgjidhen së bashku”. E, nëse “çështja e zgjedhjes së ipeshkvijve është jetësore” – u përgjigjet kardinali polemikave mbi zgjedhjen ndërmjet ipeshvijve të Kishës së nëndheshme dhe atyre të së ashtuquajturës “Kishë patriotike”, e lidhur me qeverinë e Pekinit – “nuk mund të harrojmë se liria e Kishës dhe emërimi i ipeshkvijve kanë qenë tema të përhershme në marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe shteteve të tjera. Natyrisht, udha e filluar në Kinë përmes kontakteve aktuale – vëren prelati – është graduale dhe has akoma në shumë pengesa të paparashikuara, si edhe në emergjenca të reja të mundshme”. Por, “askush, me ndërgjegje, nuk mund të thotë se zotëron zgjidhjet e përsosura për të gjitha problemet. Nevojitet kohë dhe durim, që të mbyllen plagët e shumta personale hapur si njërës, ashtu edhe bashkësisë tjetër. Fatkeqësisht, është e sigurtë se do të ketë akoma keqkuptime, lodhje dhe vuajtje për t’u përballuar. Por të gjithë kemi besim se kur të kuptohet si duhet çështja e emërimit të ipeshkvijve, vështirësitë e tjera nuk duhet të jenë të tilla sa t’i pengojnë katolikët kinezë të jetojnë në bashkim ndërmjet tyre dhe me Papën”.

Gati për të falur, kjo është perspektiva ungjillore

         Prelati thekson shpresën që, “në dashtë Zoti, të mos flasim më për ipeshkvij ‘të ligjshëm’ e ‘të paligjshëm’, për ‘klandestinë’ e ‘zyrtarë’, në Kishën e Kinës, por të takohemi si vëllezër, duke mësuar sërish gjuhën e bashkëpunimit dhe të bashkimit. Pa këtë përvojë të jetuar – pyet kardinali Parolin – si mundet Kisha në Kinë t’i japë hov ungjillëzimit dhe t’u çojë të tjerëve ngushëllimin e Zotit? Nëse nuk jemi gati të falim, për fat të keq, do të thotë se ka interesa të tjera për t’u mbrojtur: por kjo nuk është perspektivë ungjillore”, vëren kardinali Parolin.

Vuajtjet e së kaluarës janë thesar i madh për Kishën universale

         Atyre që kanë frikë se kështu mund të zhduken me “një të goditur” vuajtjet e së kaluarës e madje, edhe ato të së tashmes, kardinali u përgjigjet se është koha “për ta investuar kapitalin njerëzor dhe shpirtëror të sprovave të shumta në ndërtimin e një ardhmërie më të qetë e më vëllazërore, me ndihmën e Zotit”. I siguron se “Kisha nuk do t’i harrojë kurrë sprovat dhe vuajtjet e së kaluarës e të së tashmes së katolikëve kinezë. Ato janë thesar i madh për Kishën universale”.

E kaluara të mos jetë pretekst për mbyllje në vetvete

         Sekretari i Shtetit të Vatikanit u drejtohet më pas katolikëve kinezë: “jemi pranë jush, jo vetëm me lutje, por edhe me impenjimin e përditshëm për t’ju shoqëruar e për t’ju mbështetur në udhën e bashkimit të plotë. Prandaj, ju kërkojmë që askush të mos kapet pas shpirtit të kundërshtimit për ta dënuar vëllain, ose ta përdorë të kaluarën si pretekst për t’i fryrë zjarrit të mërive e të mbylljeve. Përkundrazi, urojmë që secili ta shohë me besim të ardhmen e Kishës, përtej kufizimeve njerëzore”.

Polemikat shterpe e cënojnë bashkimin

         E së fundi, përsa u përket kritikave brenda Kishës për një lloj “dorëzimi” të Selisë së Shenjtë para autoriteteve kineze, Sekretari i Shtetit të Vatikanit nënvizon se mospajtimi është i ligjshëm, por duhet të kontribuojë për bashkimin e jo për përçarjen. Asnjë këndvështrim personal, nënvizon, nuk mund të konsiderohet si interpretuesi i vetëm i së mirës për katolikët kinezë. Prandaj, “Selia e Shenjtë vepron për të gjetur të vërtetën e përbashkët dhe rrugën e mundshme për t’iu përgjigjur kërkesave të ligjshme të besimtarëve, brenda dhe jashtë Kinës. Duhet më tepër përvujtëri dhe përshpirtëri për të zbuluar së bashku planin e Zotit për Kishën në Kinë. Nevojitet më tepër kujdes dhe gjakftohtësi nga ana e të gjithëve për të mos rënë në polemika shterpë, që e cënojnë bashkimin dhe na e vjedhin shpresën për një ardhmëri më të mirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.