2018-01-30 11:40:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skanderbeut (1444-1468)” n. 11


Në emisionin e njëmbëdhjetë të rubrikës, duke vazhduar shfletimin e veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, sot përgjigjja e pyetjes: “Ç’bëhej Gjergj Kastrioti, kur Janosh Huniadi me 12 mijë kalorësit e vet shkëputej nga kampi i mbretit Ladislau, hynte në Bullgarinë veriore dhe pushtonte qytetin e Nishit, mbi Moravë, që u bë bazë për operacionet e tij?”.

Përparim tejet i rrezikshëm për Sulltan Muratin II i cili, për ta ndaluar, nisi një ushtri prej 20 mijë burrash, nën komandën e Kara-Beut, Pashë i Rumelisë dhe të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Pikërisht në këtë çast Kapiteni i pamposhtur u duk në historinë e Evropës perëndimore, pas njëzet vjet vuajtjesh të heshtura dhe heroizmi të fshehur, gjatë të cilave u shndërrua nga peng i Sulltanit, në prijës të ushtrisë turke e, më pas në mbrojtës të Evropës së krishterë.

Udhë e shtruar me gjemba…Çdo hap i tij ndiqej nga syri dinak e i pabesë i  një sulltani, që dyshonte në të gjithë e në gjithçka. Si syri i tërë tiranëve. E aq më shumë, udhë e realizimit të një plani, të cilin e bluante që prej 20 vjetësh në mendje, me një pritje durimtare, plot besim. Duke ëndërruar me sy hapur e duke parashijuar kënaqësinë e madhe të betejave, që do t’i fitonte së shpejti. Por duke provuar, njëkohësisht, edhe një vuajtje po aq të mprehtë, para Moravës, katër hapa larg Dibrës së tij, i rrethuar nga një çetë fatosash shqiptarë, në zemër të hordhive turke.

Në orët e pagjuma të natës, kur kujtimet më të dashura, por edhe më përvëluese, nisin të lulëzojnë në kujtesë, ai rijetonte gjithë tragjedinë e familjes, tërë dramën e Atdheut të vet. E rikthehej në vitet e vegjëlisë, kur, pas mundjes së të atit nga Sulltani, u detyrua të merrte udhën e gjatë e të hidhur të Adrianopojës, së bashku me tre vëllezërit, dy nga të cilët, më vonë, u mbytën mizorisht. Shikonte akoma, në skenën e fantazisë, Atdheun  e pushtuar. Mizoritë e kryera. Të rinjtë shqiptarë që, të marrë peng, zvarriteshin drejt Lindjes, për të shërbyer si jeniçerë në krye të hordhive të Sulltanit, duke ua kthyer shpesh shpatën edhe vëllezërve të tyre të gjakut. Mëmën fatzezë, Vojsavën, duke u shuar nga dhimbja për humbjen e të bijëve. Atin e motuar, i cili pati forcë ta përballonte gjithë këtë mënxyrë deri në vitin 1442. Një vit para se në zotërimet e Kastriotëve të vringëllonte shpata fitimtare e të birit e mbi Kështjellën e Bardhë të Krujës të valëvitej rishtas flamuri i derës së lumnueshme të Gjon Kastriotit. Vetëm e parë nën dritën e këtyre ngjarjeve, mund të kuptohen  fitorja e betejës së Nishit dhe ngjarjet e mëpasme, që e vonuan më se 50 vjet pushtimin e Shqipërisë dhe kërcënimin e turqve kundër Perëndimit të krishterë.

Teatri i këtyre operacioneve, në këtë vjeshtë të akullt të vitit 1443, ishte Morava, që derdhet në Danub. Të dyja ushtritë qenë radhitur ballë për ballë, ndërmjet dy brigjeve. Në njërën anë, të krishterët e mbretit Ladislau, në tjetrën, turqit e Pashait të Rumelisë e të Skënderbeut.

Në agimin e përgjakshëm të 3 nëntorit, Janosh Huniadi kapërceu papritmas lumin e, me një shpejtësi marramendëse, u hodh mbi ushtrinë turke.  Armiku, i çorientuar dhe i tronditur nga rrethimi i papritur i kalorisë hungareze, e humbi fare kontrollin dhe ia dha vrapit me britmën “të shpëtojë kush të mundet!”.

Në këtë skenë të pushtuar nga tmerri, ndoshta edhe falë marrëveshjes së mundshme të fshehtë me armikun1, Skënderbeu shfrytëzoi mundësinë për t’i mbledhur rreth vetes ushtarët shqiptarë e për t’ua zbuluar planin. Si mori miratimin e tyre, e detyroi qatipin e sulltanit t’i lëshonte një ferman të rremë, përmes të cilit caktohej zot i kështjellës atërore të Krujës. Pasi u detyrua ta vriste qatipin, dredhoi rrugë e, në krye të ushtarëve të vet, pas një marshimi të gjatë e të lodhshëm, pa, me emocion të thellë në horizont majat e maleve të Dibrës. Pas pak principata atërore ishte e lirë e një nga ëndrrat e tij më të dashura, e realizuar. Po ëndrra e zgjime të tjera e prisnin; beteja e fitore, besë e tradhti tragjike, refuzime e aleanca, në krye të të cilave, ajo me Selinë Apostolike. Por me ngjarjet, që pasuan çlirimin e Krujës, do t’ju njohim në emisionet e ardhshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.