2018-01-29 15:43:00

Papa për Rotën Romake: nevojitet shqyrtimi i ndërgjegjes së bashkëshortëve


Në deklaratën e vlefshmërisë, ose të pavlefshmërisë së lidhjes martesore, ju gjykatës të Rotës Romake “veproni si ekspertë të ndërgjegjes së besimtarëve të krishterë”, prandaj, së bashku me ipeshkvijtë, meshtarët dhe laikët e impenjuar në baritori, duhet të bëni ç’është e mundur që kjo ndërgjegje të mbetet e gatshme për të vazhduar udhën e hirit të Tënzot në Kishë. Kështu u thotë Papa Françesku gjykatësve të Rotës Romake në fjalën e tij të përurimit të Vitit gjyqësor të tyre, në Sallën Klementine në Pallatin Apostolik.

I juaji, është shërbim për paqen e ndërgjegjes

         Pas përshëndetjes së dekanit të Gjykatës, imzot Pio Vito Pinto, Ati i Shenjtë e përqendron vëmendjen në shërbimin e gjykatësve sidomos për të paqtuar ndërgjegjet e njerëzve, që u drejtohen. Kur vendosni pavlefshmërinë e një martese, thekson Papa, kërkojini Zotit t’ju ndihmojë për të arritur në lidhjen ndërmjet ligjit moral e ndërgjegjes suaj, lidhje që e njeh vetëm Shpirti Shenjt. Vetëm kështu mund të hyni në zonën e shenjtë të ndërgjegjes së besimtarëve.

Dëgjojini besimtarët, që e kanë heshtuar ndërgjegjen

         Për këtë, Papa flet edhe në Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”.

         “Kjo –nënvizon Ati i Shenjtë – rrodhi nga vetëdija e Pasardhësit të Shën Pjetrit dhe e Etërve sinodalë rreth nevojës që barinjtë e Kishës të dëgjojnë arsyet dhe shkaqet e atyre besimtarëve, të cilët e kanë heshtuar vetëdijen dhe e kanë lënë mënjanë atë për vite me radhë, por, më pas, janë ndihmuar nga Zoti e nga jeta të gjejnë pak dritë, duke iu drejtuar Kishës për të arritur paqen e ndërgjegjes”.

Të fejuarit dhe dhurata e fëmijëve

         Sipas Papës Françesku, është e nevojshme të ndihmohen të fejuarit për të ndërtuar një familje, të bazuar mbi planin e Zotit. Gjithnjë në “Amoris Laetitia”, nënvizon Ati i Shenjtë, përcaktohen udhët baritore për t’i ndihmuar të rinjtë të vendosin me vetëdije të lidhen në martesë e ta pranojnë dhuratën e fëmijëve, që është gëzim i madh për Zotin, për Kishën e për njerëzimin.

         “Si t’i shpëtojmë të rinjtë nga zhurma e buja e së përkohshmes, që i shtyn të mos marrin impenjime të qëndrueshme dhe pozitive për të mirën individuale dhe kolektive – pyet Papa. Kushtëzim ky, që e bën të heshtë zërin e së vërtetës, të vetëdijes se vetëm Zoti i shndrit dhe ua hap zemrën për jetën, nëse e lejojnë të hyjë në të”.

         Për t’ia arritur kësaj, Papa Françesku kërkon lidhjen e besnikërisë ndaj magjisterit të Kishës mbi martesën me proceset psikologjike dhe fetare të gjithë njerëzve të thirrur në jetën martesore e familjare.

Martesa dhe familja, e ardhmja e Kishës dhe e shoqërisë

         Nevojitet një katekumenat martesor, thekson Papa, pra, duhet të jenë çiftet me përvojë, që, përveç meshtarëve dhe rregulltarëve, t’u mësojnë të rinjve si duhet të funksionojë martesa, sipas planit të Zotit. Edhe gjykatësit e Rotës Romake, nënvizon Françesku, nuk mund ta ushtrojnë drejtësinë si zbatim të thjeshtë burokratik, pasi kështu do ta tradhtonin ndërgjegjen e krishterë. Për këtë arsye, në të ashtuquajturin “proces i shkurtër”, Papa i ka dhënë jo vetëm rol qendror ipeshkvit dioqezan, por edhe mundësinë për të gjykuar ai vetë, në shkallën e parë të gjykimit, rastet e mundshme të pavlefshmërisë së martesës.

         “Duhet të pengojmë që ndërgjegjja e besimtarëve në vështirësi, për shkak të martesës, të mbyllet para udhës së Hirit Hyjnor. Ky qëllim arrihet përmes shoqërimit baritor, shqyrtimit të ndërgjegjeve dhe veprës së gjykatave tona – përfundon Papa Françesku. Kjo vepër duhet kryer, duke përdorur dijen dhe kërkimin e së vërtetës: vetëm kështu deklarata e pavlefshmërisë së martesës sjell çlirimin e ndërgjegjeve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.