2018-01-29 14:53:00

Papa: kundër antisemitizmit, të zhdukim virusin e indiferencës


“Përgjegjësia” dhe “kujtesa” janë “vaksina” kundër virusit të indiferencës, që përhapet “rrezikshëm në kohët tona, kohë kur jemi gjithnjë e më të lidhur me të tjerët, por gjithnjë e më pak të vëmendshëm ndaj të tjerëve”. Në fjalën për pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare mbi përgjegjësinë e shteteve, të institucioneve dhe të individëve në luftën kundër antisemitizmit dhe kundër krimeve të lidhura me urrejtjen antisemite, Papa Françesku dënon jo vetëm “urrejtjen, në të gjitha format”, por edhe më shumë rrënjët e saj, indiferencën, që “paralizon e pengon të bëjmë ç’është e drejtë, edhe kur e dimë se është e drejtë”.

Askush nuk është ishull

         Në një botë gjithnjë e më të lidhur, nuk mund të shpjegohet paaftësia e njerëzve për t’u shqetësuar për të tjerët. “Globalizimi duhet të na ndihmojë ta kuptojmë se askush prej nesh nuk është ishull e askush nuk do të ketë të ardhme në paqe, pa të ardhme të denjë për të gjithë”. Ja përse, Ati i Shenjtë ngul këmbë mbi përgjegjësinë e secilit, që do të thotë “aftësi për të reaguar”. Nuk është fjala vetëm për të analizuar shkaqet e dhunës e për të refuzuar logjikën e saj perverse, por për të qenë gati dhe aktivë në përgjigje.

Heshtja shqetësuese e Aushvic-Birkenau

         Indiferenca ka qenë gjithnjë një e keqe, që troket në portën e njeriut, nënvizon Papa. Flitet për këtë që në Librin biblik të Zanafillës, me Kainin e Abelin. Është rrënja e vdekjes, që sjell dëshpërim dhe heshtje, denoncon Françesku, duke kujtuar heshtjen “shurdhuese” , që ndjeu gjatë vizitës në kampin nazist të Aushvicit: heshtje shqetësuese, që lë vend vetëm për lotët, për lutjen e për kërkesën e faljes.

Kujtesa është çelësi për të ardhmen

         Në fjalën e shkurtër, por të ndjerë, Papa Bergoglio nënvizon edhe se kujtesa është çelësi për të qenë më të përgjegjshëm në të ardhmen. Pëmend dokumentin e Komisionit për marrëdhëniet fetare me hebraizmin, që sivjet kremton 20-vjetorin e publikimit: “Ne kujtojmë: një reflektim mbi Shoah”. Në vazhdën e fjalëve të shën Gjon Palit II, Ati i Shenjtë thekson se për të ndërtuar shtëpinë tonë të përbashkët, kemi nevojë për një kujtesë të përbashkët, “e cila nuk duhet të mbetet peng e mërive, por, pavarësisht se e përshkuar nga nata e dhimbjes, të hapet drejt shpresës së agimit të ri”.

Të rinjtë të mos lodhen së kërkuari tjetrin

         Ndërtimi i së ardhmes pa “urrejtje” e “diskriminime” është në duart e brezave të rinj, të cilët duhet të promovojnë një kulturë përgjegjësie, kujtese dhe afërsie, si edhe të lidhin një aleancë kundër indiferencës, kërkon Papa Françesku. Ati i Shenjtë vë në pah nevojën e formimit dhe të edukimit për të shkuar drejt një ardhmërie, ku jo vetëm nuk pranohet e keqja, por bashkohen forcat për të ndërtuar të mirën.








All the contents on this site are copyrighted ©.