2018-01-28 02:30:00

Mё 28 janar 1997 ndёrroi jetё Kardinali Mikel Koliqi


Më 28 janar, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së kardinalit shqiptar, Mikel Koliqi, i cili ndërroi jetë nё vitin 1997, një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike shqiptare, njeriu që u bë simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste ateiste në Shqipëri.

Këtë figurë shembullore kishtare e kombëtare po e kujtojmë me fjalët e imzot Klaudio Maria Çelit, ish-Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, i cili në vitin 1991 e pati njohur e takuar në Shkodër dom Mikel Koliqin. Rasti qe një ndër takimet e para që përfaqësuesit e Vatikanit takonin popullin e klerin e persekutuar, që posa kishin dal nga dimri egër i diktaturës ateiste të komunizmit. I zgjodhëm pikërisht këto fjalë të imzot Klaudio Maria Çelit , për të nënvizuar se figura si ajo e Kardinalit Mikel Koliqi, mbeten përgjithnjë në kujtesën e njerëzve, si simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste në Shqipëri. Ja si e kujtoi Imzot Çeli, vetëm dy ditë më parë, në sa përshkruante Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991:
“Sapo e kishim filluar Meshën, kur hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrësisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt.
Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë çast, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një çast kaq të pritur, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh!  Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa pasur nevojë fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!”.

E, Kardinali Koliqi vijon të jetë për popullin shqiptar edhe pas vdekjes një jetë kushtuar Zotit e popullit, në një kohë kur ky përkushtim paguhej me jetë. Një jetë e jetuar për Zot e popull, për fe e atdhe, për Ungjill e kulturë.

E vërtetë nuk është e thjeshtë të përmbledhësh me pak fjalë jetën e kardinalit Koliqi, një nga figurat më poliedrike në historinë e Shqipërisë.
Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t'i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos. Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles". Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994 në Vatikan.

Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin "Pishtar i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997. U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë të veçantë siç qe ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për Fé e Atdhé që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit.

E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi qe e është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra mbetët një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore e, kulturore e kombëtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.