2018-01-26 10:25:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut (1444-1468)” n. 9


Në emisionin e nëntë të rubrikës, vijojmë shfletimin e veprës me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, baza jonë për të kujtuar Gjergj Kastriotin. Autori është arbëreshi Alessandro Serra.

Emisionin e kaluar ju lamë me pyetjen “cili është studimi më i saktë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun?” Përgjigjet Serra: “Studimi më gjithëpërfshirës mbi bibliografinë e Kastriotasit i përket penës së një historiani rumun, Françesk Pall (1), i cili pa dyshim është një nga njohësit më të mirë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në vitin 1937, Pall, duke marrë në shqyrtim studimin e Gegajt, na jep një reçension shumë interesant përsa i përket pasurisë së vërejtjeve, të saktësimeve, të infromacionit të tij, si edhe për gjerësinë e njohurive dhe të këndvështrimit. Në të, Pall, duke theksuar konceptin e Babingerit dhe të Ohly-t, me logjikë të fuqishme dhe me dokumentacion të padiskutueshëm, dëshmonte fallsitetin e Biemmi-t dhe shfrytëzonte rastin për të nënvizuar se burimi historik më me autoritet përsa i përket Kastriotit mbetet gjithnjë Barleti, pavarësisht nga defekti i imitimit të historianëve humanistë të asaj kohe. Shkruan Pall: “Kjo do të thotë akoma se burimi i parë dhe kryesor narrativ për historinë e Skënderbeut, pavarësisht nga ekzagjerimet, mbetet edhe sot e kësaj dite vepra e Barletit”.

Mbi këtë argument, kthehej edhe pas një viti, më 1938, në një studim kritik mbi veprën e Barletit, në të cilin, duke bërë krahasime hap pas hapi, me një analizë të mprehtë, dëshmonte sa herë Barleti, duke ndjekur zakonin e historianëve humanistë, kishte pasur parasysh Livin, Valerin, Masimon, Ciceronin, Salustin (2).

Në vitin 1940, kësaj here një italian, Alessandro Cutolo, publikonte një histori të re të Skënderbeut (3), në të cilën, përsa i përket burimeve, ndiqte vazhdën e Babingerit, të Ohly-t dhe të Pall-it. Përveç kësaj, merrte në shqyrtim veçanërisht, burime gati të panjohura, ruajtur në dokumentet e Arkivave të Shtetit të Venedikut e të Milanos. Dilte në dritë një punim origjinal dhe interesant për nga ngrohtësia dhe qartësia e tregimit. Fatkeqësisht, koha e kufizuar në dispozicion dhe karakteri divulgativ i librit nuk i dhanë mundësi të meditonte më gjatë mbi dokumentet e shqyrtuara.

Babinger, në veprën e tij madhështore dhe të çmuar mbi jetën e Mehmetit II (4), gjeti rastin për të folur gjerësisht e përsëri mbi Kastriotin. Në të vërtetë, në një biografi të Mehmetit II nuk mund të flitet në përgjithësi për prijësin shqiptar, që përballoi denjësisht një nga pushtuesit dhe vrasësit më të mëdhenj të historisë së Mijëvjeçarit të dytë e që vonoi përparimin e Islamit drejt Perëndimit të krishterë. E Babinger, duke dashur të hartojë një vepër me interes të madh historik, shfrytëzoi rastin për t’iu kthyer çështjes së Kastriotit, duke përdorur pa kursim aftësitë e tij të veçanta, mprehtësinë, zgjuarsinë e tij, që e bëjnë orientalist të shquar; e kështu, depërtoi në errësirën [e historisë], shkoklaviti episode jo të qarta dhe shndriti me dritë të mjaftueshme ngjarjet e keqkuptuara të jetës së Kastriotasit. Për të cilin – duke iu referuar fitores së mrekullueshme që Skënderbeu arriti mbi sulltanin Murati II, më 1450, me çlirimin e Krujës – Babinger jep një gjykim, që përbën njohje me autoritet nga kritika historike.

“…Po krishterimi kishte te Skënderbeu një hero të ri, që mori përsipër rolin e Janosh Huniadit e akoma për 18 vjet të tjera, diti ta luajë për mrekulli…” (5).

Por ka edhe një burim historik, që nuk është zhdukur prej shekujsh: ai i këngëve popullore, që e ngrenë në qiell heroin shqiptar dhe i japin një aureolë legjende, e cila e kthen gati në mit, gati në gjysëmzot. Shqiptarët i përçuan kështu gjestet e tij, nga brezi në brez, gojarisht, në atdhe e jashtë atdheut. Jehonën e këtyre këngëve nga goja e shqiptarëve të Kalabrisë, ndërsa kërcenin “valljen” karakteristike kombëtare, me kostumet e atdheut të lashtë, e dëgjoi Garibaldi gjatë kalimit në Spezzano Albanese, gjatë marrshimit legjendar të Njëmijëve” e përfundon Alessandro Serra, jo pa një farë krenarie, këtë pjesë të librit kushtuar letërsisë historike mbi Skënderbeun.

 Në emsionin e ardhshëm do t’i kthehemi rolit të Papëve në historinë e Gjergj Kastriotit dhe të epokës së tij.

Bibliografia:

1- F. Pall, Une nouvelle histoire de Scanderbeg, “Latina Romanesca”, Valetinii-De-Munte (Roumanie) 1937.
2- F. Pall, Marino Barlezio, nw “Mélanges d’histoire génPrale” vol. II Cluy, 1938.
3- A Cutolo, Scanderbeg, I.S.P.I., Milano, 1940.
4- F. Babinger, Maometto il Conquistatore, Einaudi, 1957.
5- F. Babinger, op. cit. faqe 106.








All the contents on this site are copyrighted ©.