2018-01-25 17:30:00

Papa: Të krishterët të bashkuar nga martirizimi i persekutimit e ikja prej luftërave


Të krishterët të bashkuar nga martirizimi i persekutimit e ikja prej luftërave, të krishterët, janë e njëjta këngë lavdi për Zotin: kështu tha Papa Françesku gjatë kremtimit të lutjes së Mbrëmësores, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Palti jashtë mureve, në Romë, në praninë e delegacionit luteran të Finlandës, të Metropolitit Gennadios nga Patriarkati Ekumenik i Kostandinopojës, të përfaqësuesit të kryeipeshkvit të Kanterbërit, të studentëve të Institutit Ekumenik të Bossey-t, të të rinjve ortodoksë e të shumë të krishterëve të besimeve të ndryshme. Me këtë kremtim mbyllet Java e lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, që sivjet frymëzohej nga një frazë e Librit të Daljes: “E fuqishme është dora jote, o Zot”.

Duke komentuar Ungjillin, që këto ditë flet për çlirimin e popullit të Izraelit nga skllavëria e Egjiptit e për hapjen e Detit të Kuq para Moisiut, Ati i Shenjtë vë në dukje se “historia e shpëtimit të Moisiut nga uji ravijëzon një shpëtim më të madh”. “Janë mëkatet tona, që mbyten nga Hyji në ujin e gjallë të Pagëzimit”. E duke vënë në dukje himnin e falenderimit, që Populli i Izraelit i këndoi Zotit për dhembshurinë, që tregoi ndaj tij, Ati i Shenjtë nënvizoi se Hyji na shpëton të gjithë së bashku, ashtu siç shpëtoi jo vetëm Moisiun, por edhe sivëllezërit e simotrat e tij.

Prandaj, është e rëndësishme, t’i thurim së bashku lavde Zotit, nënvizon Papa, si një trup e një popull i vetëm, pasi edhe hiri i Tij arrin tek ne së bashku me të tjerët. “Gjatë shekullit të fundit – thekson më tej Ati i Shenjtë për gjithë të krishterët – e kuptuam se jemi së bashku në brigjet e Detit të Kuq. Përmes Pagëzimit jemi shpëtuar të gjithë e kënga e lavdit e vëllezërve e motrave të tjera na përket, sepse është edhe jona… Edhe kur divergjencat na ndajnë, e dimë se i përkasim popullit të të shëlbuarve, së njëjtës familje vëllezërish e motrash, dashur nga i njëjti Atë Qiellor”.

Udha drejt bashkimit të të krishterëve është e vështirë, vëren Papa Françesku, por në të duhet pasur parasysh se Zoti na qëndron gjithnjë pranë. Në këtë udhë ka rreziqe: “sa vëllezër, sot, persekutohen në emër të Jezusit! Kur derdhin gjakun, pavarësisht se u përkasin besimeve të ndryshme, ata bëhen së bashku dëshmitarë të fesë, martirë, të lidhur nga i njëjti pagëzim”.

Po ashtu, të krishterëve u duhet të përballojnë së bashku sfidat e botës së sotme. “Por si izraelitët e Librit të Daljes – thekson Papa – ata janë të thirrur ta ruajnë kujtimin e gjithçkaje ka bërë Zoti për ta. E duke e gjallëruar këtë kujtesë – përfundon Ati i Shenjtë – mund ta mbështesim njëri-tjetrin dhe të përballojmë, të armatosur vetëm me Jezu Krishtin dhe me forcën e ëmbël të Ungjillit, çdo sfidë, me guxim e shpresë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.