2018-01-25 22:10:00

Papa: fton pastorin Luteran pёr t’i bekuar sё bashku besimtarёt


Papa Françesku deshi qё pёr bekimin e besimtarëve dhe tё përfaqësuesve tё kishave të tjera të krishtera tё ishte pranë tij, në fund të kremtimit tradicional tё 25 janarit, me rastin e përfundimit tё Javës sё Lutjes pёr Bashkimin e tё Krishterëve, Dr. Jens-Martin Kruse, pastor Luteran i Romës i cili, tha Papa Bergoglio, "e lë qytetin tonë për të marrë një detyrë tjetër në Hamburg".

Gjatё homelisё, mes tjerash Papa Françesku tha se “është e rëndësishme, t’i thurim së bashku lavde Zotit, nënvizon Papa, si një trup e një popull i vetëm, pasi edhe hiri i Tij arrin tek ne së bashku me të tjerët. “Gjatë shekullit të fundit – thekson më tej Ati i Shenjtë për gjithë të krishterët – e kuptuam se jemi së bashku në brigjet e Detit të Kuq. Përmes Pagëzimit jemi shpëtuar të gjithë e kënga e lavdit e vëllezërve e motrave të tjera na përket, sepse është edhe jona… Edhe kur divergjencat na ndajnë, e dimë se i përkasim popullit të të shëlbuarve, së njëjtës familje vëllezërish e motrash, dashur nga i njëjti Atë Qiellor”.

Udha drejt bashkimit të të krishterëve është e vështirë, vëren Papa Françesku, por në të duhet pasur parasysh se Zoti na qëndron gjithnjë pranë. Në këtë udhë ka rreziqe: “sa vëllezër, sot, persekutohen në emër të Jezusit! Kur derdhin gjakun, pavarësisht se u përkasin besimeve të ndryshme, ata bëhen së bashku dëshmitarë të fesë, martirë, të lidhur nga i njëjti pagëzim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.