2018-01-25 15:02:00

Majlinda Dodaj, për konferencën “Rrënjët evropiane të Shqipërisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut”


“Rrënjët evropiane të Shqipërisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut”: kjo është tema e konferencës, me të cilën ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë hap Vitin mbarëkombëtar kushtuar Heroit Kombëtar të gjithë shqiptarëve. Siç shpjegon e dërguara me punë në këtë ambasadë dhe në Urdhërin Sovran të Maltës, zonja Majlinda Dodaj, e pranishme sot në studion tonë, konferenca do të mbahet në Sallën prestigjoze Zuccari të Senatit Italian, nesër, pra, më 26 janar, në orën 16.00. Të ftuar të nderit janë kardinali shqiptar, Ernest Simoni Troshani dhe nunci apostolik, imzot Francesco Canalini, si përfaqësues i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin.

I rëndësishëm, grupi i studiuesve që do të flasin nesër. Fillon vetë Majlinda Dodaj, si e dërguar me punë dhe organizatore, me përshëndetjen dhe me paraqitjen e “Dokumenteve themelore” për marrëdhëniet ndërmjet Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë; më pas, ipeshkvi i Heparkisë së Ungrës, imzot Donato Oliverio, në një kumtesë me temën “Skënderbeu: lidhja e bashkimit”; profesoresha e njohur italiane Lucia Nadin do të paraqesë “Shqipërinë dhe Skënderbeun në Venedik, ndërthurje shekullore jete, kulture, arti”; më pas, gazetari Loris Castriota Scanderbeg sjell “Kujtime nga një paraardhës i shquar” e flet për lidhjet e familjes së tij me Atletin e Krishtit, siç e quajtën Papët Skënderbeun; akademiku Aurel Plasari do të flasë për “Shqipërinë e Skënderbeut në ‘De Europa’ të Piut II”; e së fundi, profesoresha italiane Maria Gabriella Belgiorno, pedagoge e së drejtës së krahasuar të feve në Universitetin e Perugia-s, do të verë në dukje “Sistemin Evropë në mendimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”. Por më shumë për këtë veprimtari, na flet vetë e dërguara me punë në ambasadën e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonja Majlinda Dodaj, në studion tonë…

 








All the contents on this site are copyrighted ©.