2018-01-23 14:36:00

Thirrjet e Papës Françesku në kërkim të vërtetësisë së informacionit


Pritet nesër, publikimi i Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 52-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, me temë: “E vërteta do t’ju bëjë të lirë. Lajmet e rreme dhe gazetaria e paqes”. Ati i Shenjtë është ndalur disa herë mbi temën e vërtetësisë së informacionit, duke filluar që nga fjala për veprimtarët e mediave, tri ditë pas zgjedhjes në Katedrën e Shën Pjetrit. Në atë rast, më 16 mars 2013, Françesku u kujtonte gazetarëve se profesioni i tyre “kërkon një vëmendje të veçantë ndaj së vërtetës”.

Dizinformimi është “mëkati i mediave”

Një vit më vonë, më 22 mars 2014, duke u takuar me anëtarët e shoqatës së gazetarëve “Corallo” (Korali), Papa vinte në dukje tre mëkate të mediave: “dizinformimi, shpifja dhe përgojimi”. Dizinformimi, paralajmëron Ati i Shenjtë, “i thotë gjërat përgjysëm, zgjedh ato lajme që leverdisin, duke mos e thënë gjysmën tjetër. E kështu, ata që shohin televizionin, ose dëgjojnë radion, nuk mund të gjykojnë si duhet, sepse nuk i kanë elementet”. Mbi binomin vërtetësi e gazetari, Papa flet sërish pak muaj më vonë, kur më 15 dhjetor 2014, takon punonjësit e televizionit katolik italian Tv2000. Dizinformimi, nënvizon me atë rast, “nuk të jep mundësinë ta gjykosh saktë realitetin”. E vëren se “komunikimi i vërtetë nuk shqetësohet aspak” të bëjë zhurmë e bujë, sepse kur përpiqet vetëm për këtë, “nuk është shërbim i mirë” për njerëzit. “Të shmangen parrullat – bën thirrje Papa –informacioni të jetë në shërbim të njerëzve”.

Gazetarët ta duan të vërtetën, mediat të jenë transparente

Në fjalën e mbajtur para Këshillit kombëtar të Urdhërit të Gazetarëve italianë, më 22 shtator 2016, Papa i kthehet temës qendrore të së vërtetës. “Ta duash të vërtetën – nënvizon Françesku – do të thotë jo vetëm ta pohosh atë, por edhe ta jetosh, ta dëshmosh me punën tënde”. Pra, duhet të jetojmë e të punojmë, duke qenë “koherentë me fjalët, që përdorim për artikullin e gazetës, ose për shërbimin televiziv”. Edhe në intervistën për të përjavshmen belge “Tertio”, më 7 dhjetor 2016, Ati i Shenjtë thekson se dizinformimi “mund t’i bëjë shumë dëm mjeteve të komunikimit… Ai është, ndoshta, dëmi më i madh, sepse e orienton opinionin në një drejtim të caktuar, duke lënë mënjanë pjesën tjetër të së vërtetës”. E pastaj, Papa pohon me forcë se mediat duhet të jenë të qarta, transparente.

“Jo” sensacionalizmit, kultivoni mendimin kritik të lexuesve

Pak javë më parë, më 16 dhjetor 2017, duke u folur anëtarëve të Bashkimit të Shtypit Periodik Italian dhe Federatës Italiane të të Përjavshmeve Katolike, Ati i Shenjtë vë në dukje dëmet, që mund t’i sjellë informacionit, “shqetësimi për shpejtësinë” e dhënies së lajmit, si edhe “nxitja për sensacionalizëm”. “Nevojitet – ngre zërin Papa – një informacion i besueshëm, me të dhëna e lajme të verifikueshme, që nuk synon të habisë apo të emocionojë, por të zhvillojë tek lexuesit mendimin e shëndoshë kritik”. Vetëm kështu, nënvizon Ati i Shenjtë, “nuk do të jemi vazhdimisht në mëshirën e parrullave apo të fushatave të veçanta, që shihet qartë se synojnë ta manipulojnë realitetin, opinionet dhe vetë njerëzit, duke ngritur më kot pluhur mediatik”.








All the contents on this site are copyrighted ©.