2018-01-23 17:10:00

Forumi i Davosit: Oxfam, të kapërcehen pabarazitë në shpërndarjen e pasurive


Në botë mbretëron një pabarazi shoqërore dhe ekonomike në “nivele të papara”. Drejtori i përgjithshëm i Oxfam-Itali, Roberto Barbieri, e shpjegon kështu raportin e fundit të Konfederatës ndërkombëtare të organizatave, që merren me          zhdukjen e varfërisë globale. Raporti u bë i njohur me rastin e Forumit ekonomik botëror të Davosit.

Raporti i Oxfam-it

         Në studim, vërehet se nga e gjithë pasuria e krijuar gjatë vitit të fundit, në nivel botëror, 82% i ka shkuar vetëm 1% të popullsisë. “Jemi në një botë – shpjegon Barbieri – në të cilën të ardhurat nga kapitali i kapërcejnë në masë të madhe të ardhurat nga puna, prandaj, duke pasur parasysh edhe mbarëvajtjen e bursave gjatë vitit të kaluar, mund të themi së pasuria është shtuar për ata, që kanë kapital, pra për aksionistët e mëdhenj”. Vetëm një përqindje tejet e vogël e të ardhurave i ka shkuar 50% të popullsisë më të varfër të planetit, pra rreth 3,7 miliard personave.

Shpërndarje e pabarabartë e të ardhurave

         “Është e vërtetë – vëren drejtori i përgjithshëm i Oxfam-it në Itali – se është ulur numri i njerëzve në botë, që fitojnë më pak se dy dollarë në ditë, prandaj varfëria e skajshme është pakësuar, por raporti ynë vë në dukje se në shtresën e mëpasme, që fiton nga 2 deri në 10 dollarë në ditë, gjejmë 50% të popullsisë botërore. Ky është sinjali i qartë se në botë, shpërndarja e të ardhurave dhe e pasurisë nuk është e barabartë e kjo gjendje nuk mund të vazhdojë”.

Punë e papaguar dhe kushte më të këqija për gratë

         Oxfam-i pohon se pikërisht puna e rrezikshme dhe e papaguar e shumicës së popullsisë botërore ushqen pasurinë e pak vetëve. Kushtet më të këqia të punës i kanë gratë. Barbieri flet për një globalizim të qeverisur keq, në të cilin shumëkombëshet dhe ndërmarrjet e mëdha “privilegjojnë fitimet dhe shpërndarjen e tyre për aksionistët e vet, edhe aty ku kushtet e punës së punëtorëve janë mjerane”. Në shumë vende, si për shembull, në Azi, ku prodhohen stofra për gjithë botën, më se gjysma e popullsisë fiton më pak se paga minimale. Raporti i Oxfam-it vë në pah edhe pabarazinë ndërmjet burrit e gruas në punë. Për të njëjtën punë, gratë paguhen më pak e nëntë ndër dhjetë miliarderë janë burra.








All the contents on this site are copyrighted ©.