2018-01-23 17:52:00

Bashkimi i të krishterëve. Papa: lutja, karburant në udhën tonë


“Lutja që purifikon, përforcon dhe shndrit rrugën, është si karburanti i udhëtimit tonë drejt bashkimit të plotë të të krishterëve”. Në tweet-in e sotëm, Papa Françesku na kujton rëndësinë e kontaktit me Zotin, e dëgjimit të Shpirtit të Tij, edhe për rrugën drejt bashkimit të të krishterëve.

Të lutesh do të thotë të dëgjosh Zotin

 “Kështu është – komenton në mikrofonin tonë, drejtori i Qendrës për Bashkimin, italo-amerikani, atë Giacomo Puglisi – lutja nuk është vetëm sa për të thënë, por na nxit ta dëgjojmë zërin e Zotit, që e purifikon zemrën dhe mendjen, duke na dhuruar një vështrim të ri mbi gjërat. Pastaj, duhet t’i bindemi vullnetit të Tij”.

Tema e Javës nënvizon se është Zoti, që na çliron

 “E djatha jote, o Zot, fuqi e tmerrshme”: kjo është fraza e zgjedhur nga Libri i Daljes si temë e kësaj Jave. Ajo shpreh mirënjohjen e Moisiut dhe të popullit hebraik për Zotin, që i çliroi nga skllavëria e Egjiptit, duke hapur një rrugë në Detin e Kuq për izraelitët, por duke e mbyllur atë kur kaluan egjiptianët, të cilët u mbytën. Atë Puglisi shpjegon se tema e sivjetme u zgjodh nga një grup i Kishës së Karaibeve. “Në historinë e kaluar të tyre kanë pasur probleme me skllavërinë e kështu, deshën të nënvizojnë veprën e çlirimit nga ana e Zotit, nga e cila merr hov impenjimi i krishterë. Vërtet, vetëm Zoti është i aftë të na bëjë të kapërcejmë të gjitha llojet e skllavërisë, edhe ato të sotmet. Ne të krishterët duhet të bashkëpunojmë për këtë çlirim”.

Hapat përpara me Kishën ortodokse

Të shumta janë hapat e bëra në udhën drejt bashkimit të plotë. Për shembull, ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse ka lindur një impenjim i përbashkët për mbrojtjen e Gjithësisë. “Ndjeshmëri – nënvizon atë Puglisi – që lind nga feja e përbashkët në Zotin-Trini, i cili krijon, shpëton, shenjtëron e vijon ta bëjë këtë për krejt Gjithësinë, e cila na është lënë ne njerëzve që të kujdesemi për të”

Dialog edhe me luteranët e të tjerët

Në vitin 2017 u përkujtua 500-vjetori i Reformës luterane. Kisha Katolike nënvizoi aspektet pozitive të saj dhe e thelloi dialogun me Kishën Luterane. Marrëdhëniet e krijuara janë nxitje për hapa të tjera në të ardhmen, me të cilat, gjithnjë e më shumë, të dyja Kishat do t’i shpallin së bashku të vërtetat e fesë. E jo vetëm luteranët. Atë Puglisi përmend përmirësimin e marrëdhënieve me anglikanët, të reformuarit, metodistët, pentekostalët, ungjillorët. “Unë mendoj pozitivisht për hapat, që kemi bërë me ndihmën e Shpirtit Shenjt e, që do të vijojmë t’i bëjmë, nëse e dëgjojmë Zotin” – thekson ai.

Çfarë është Qendra për Bashkimin?

“Qendra për Bashkimin – paraqet atë Puglisi organizmin, që drejton – lindi 50 vjet më parë, paralelisht me Koncilin II të Vatikanit. Është qendër kërkimore dhe dialogu, vend ku të krishterët mund të takohen e të dialogojnë lirshëm për të verifikuar hapat e bëra së bashku. I është besuar bashkësisë sime rregulltare – fretërve françeskanë të Atonement – që lind nga thirrje ekumenike, sepse themeluesi ynë, atë Paolo Wattson, Shërbëtor i Zotit, pati propozuar Tetëditëshen e lutjes për bashkimin e të krishterëve në vitin 1908. Prandaj, për ne, promovimi i lutjes bën pjesë në thirrje e, jo vetëm i lutjes, por sidomos, i hapave për bashkimin e plotë e reciprok të Kishave të krishtera”.








All the contents on this site are copyrighted ©.