2018-01-22 16:30:00

Papa në Kili e në Peru: pesë fjalë për një bilanc të udhëtimit


Tani, pas udhëtimit të Papës Françesku në Kili e në Peru, është kohë bilancesh. Po përvijojmë një bilanc të vogël, duke përdorur pesë fjalë, që Ati i Shenjtë i shqiptoi në të dyja vendet.

Ensimismada

         Së pari, “Ensimismada”, që do të thotë “e mbyllur në vetvete”. Është fjala, që Papa përdor shpesh për të përkufizuar Kishën në Kili. Udhëtimi i Atit të Shenjtë synon pikërisht, t’i japë energji të re një realiteti, që në pak vite, e humbi vlerësimin e popullsisë, të cilin e kishte të plotë gjatë diktaturës së Pinoçetit, kur denonconte persekutimet e viteve ’70. Nga zë profetik, Kisha kiliane u shndërrua në institucion, të cilin populli e percepton si të largët, si autoreferencial.

         Pikërisht për këtë, Papa Françesku u thotë ipeshkvijve e meshtarëve kilianë se Kisha “nuk është e nuk do të jetë kurrë një elitë të shuguruarish, meshtarësh a ipeshkvijsh. Nuk mund ta mbështesim jetën, thirrjen dhe shërbimin tonë, pa vetëdijen se jemi popull… Mungesa e vetëdijes se i përkasim popullit besnik të Zotit si shërbëtorë e jo si pronarë, mund të na çojë drejt një tundimi, që i bën dëmin më të madh dinamizmit misionar, të cilin duhet të promovojmë: na çon drejt klerikalizmit, që është karikaturë e thirrjes së marrë prej Hyjit”.

Papagaj

         Fjala e dytë, që veçojmë nga vizita në Kili, është “papagaj”. Laikët, thotë Papa në fjalën e mbajtur para ipeshkvijve, “nuk janë shërbëtorët tanë, as punonjësit tanë. Nuk duhet të përsërisin si ‘papagaj’ çfarë themi ne… Klerikalizmi harron se pamja dhe shenjtëria e Kishës i përkasin gjithë popullit besnik të Zotit e jo vetëm pak të zgjedhurve e të shndriturve”.

Stuhitë

         “Stuhitë” është fjala e tretë, që shkëpusim nga udhëtimi i Papës. Kësaj radhe, Atin e Shenjtë e gjejmë në Peru e pikërisht, në qytetin e dytë të vendit, në Trujillo, i cili, vitin e kaluar, pësoi përmbytje të mëdha gjatë kalimit të urganit “Niño costiero”. Besimtarëve, që e dëgjojnë, Françesku u kujton se, ashtu si apostujt, edhe ata njohën “forcën e natyrës dhe provuan goditjet e saj. Plagë akoma të dukshme e, për këtë, Papa deshi të shkonte në këto vende për t’u lutur. Ta mbajmë gjithnjë gjallë shpresën, thotë Ati i Shenjtë, sepse ka stuhi të tjera, që mund të përfshijnë vende e njerëz: “Quhen dhunë e organizuar, si ‘sikariati’ (pra, vrasja me pagesë, e realizuar nga një sikar, tipike për bandat kriminale) dhe pasiguria, që krijon ai; mungesa e mundësive edukative dhe e punës, sidomos ndër më të rinjtë, gjë që i pengon të ndërtojnë një të ardhme në dinjitet; mungesa e një strehe të sigurtë për shumë familje, të detyruara të jetojnë në zona me paqëndrueshmëri të lartë e pa hyrje-dalje të sigurta… janë përmbytje, që vërshojnë mbi shpirtin dhe kërkojnë prej nesh vajin (e Ungjillit), të cilin e kemi për t’i përballuar”.

Fotoshop

         “Fotoshopoj”. Kjo është fjala e katërt e neologjizëm i Papës Françesku, i cili na ka mësuar tashmë me të tilla risi, që i përdor për të arritur tek dëgjuesit përmes një përfytyrimi pamor, përmes një imazhi. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, u drejtohet të rinjve, duke u kujtuar se ka gjendje të vështira, në të cilat mund t’u vijnë mendime negative e t’u duket sikur nuk ia dalin dot të realizojnë ëndrrat e tyre. Kështu, mund të mënjanohen nga bota. Për të dhënë një përfytyrim të këtij mënjanimi, Papa Françesku përdor, në Kili, imazhin e celularit me bateri të shkarkuar, ose të palidhur në rrjet. Në çastet e vështira, u thotë të rinjve kilianë, “pa lidhjen me Jezusin, rrezikojmë t’i mbysim ëndrrat”. E të rinjve në Peru, u shton: “Është bukur të shohësh fotografitë e retushuara në mënyrë dixhitale, por kjo vlen vetëm për fotografitë, nuk mund t’i retushojmë me ‘fotoshop’ edhe të tjerët, realitetin, vetveten… Ka fotografi shumë të bukura, por të retushuara, ama, më lini t’ju them se zemra nuk mund ‘të fotoshopohet’, sepse pikërisht aty luhet dashuria e vërtetë, aty, luhet lumturia”.

Depo e pashterrshme

         E fjala e pestë, që tërheq vëmendjen në këtë udhëtim apostolik të Papës, është “depo e pashterrshme”. Ati i Shenjtë e përdor në takimin e tij të parë në Peru, në Puerto Maldonado, me popujt e Amazonës. Tokë e rrezikuar, denoncon Françesku, nga format e reja të shfrytëzimit minerar dhe nga presioni i interesave të mëdha ekonomike, që shkojnë nga nafta tek gazi, druri dhe ari. Amazona, ngre zërin Papa, “nuk është depo e pashterrshme” në të cilën të marrim pa skrupuj e, sidomos, pa marrë parasysh banorët, “të cilët s’kanë qenë kurrë më të kërcënuar se sot”. Popullsitë autoktone “nuk janë peshë e rëndë e as pengesë”. “Amazona jonë” e quan Papa, duke kërkuar që mbrojtja e tokës të synojë mbrojtjen e jetës.

Fjalët e tjera të rëndësishme

         Në Trujillo, Ati i Shenjtë kujton dhunën kundër grave e, për herë të parë, përdor termin “feminicid” (vrasje e grave). Në Puerto Maldonado dënon “disa politika, që promovojnë mbrojtjen e natyrës pa marrë parasysh njeriun”. Në emër të mbrojtjes së pyjeve, këta të ashtuquajtur “ambientalistë”, “përvetësojnë hapësira të gjëra pyjore dhe hapin bisedime për to, duke krijuar gjendje shtypjeje për popujt e origjinës, për të cilët, në këtë mënyrë, territori dhe pasuritë natyrore bëhen të paafrueshme”.

         Pra, “jo” kolonializimeve ideologjike, që maskohen si përparimtare. E duke cituar Librin e Daljes, fjalët që Zoti i thotë Moisiut, Papa lë porosinë e tij për mënyrën si duhet trajtuar Amazona, kjo mushkëri e jashtëzakonshme e botës: “Hiqi sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin po shkel, është vend i shenjtë”.

(Fabio Zavattaro për agjencinë Sir)








All the contents on this site are copyrighted ©.