2018-01-21 12:36:00

Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skanderbeut n.4


Në emisionin e katërt të rubrikës, titulluar “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut”,  monumentet e Skënderbeut në Shqipëri e nëpër botë.

“Skenderbeun”, 550 vjet pas vdekjes, e takojmë në një mori qytetesh shqiptare, herë bust, here torz e herë monument, mbi kalë, me shpatë zhveshur.  Monumenti kryesor i  Kryetrimit është ai që lartohet në Tiranë, qysh më 1968, vepër e Odhise Paskalit, në bashkëpunim me Andrea Manon dhe Janaq Paçon. U vendos në qendër të kryeqytetit me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Për nder të tij sheshi njihet me emrin "Skenderbej".

Monumenti artistikisht më i realizuar është ai i Skënderbeut në Krujë, me autor Janaq Paçon, që punoi për ta realizuar që nga viti 1949 deri më 1959.

Skënderbeu vijon “të mbrojë lirinë e kombit të vet” nga piedestalet mbi të cilat e ka lartuar populli i Kosovës, i Prishtinës, i Shkupit.... Bustin e Skënderbeut e gjejmë që prej 8 qershorit 2010 edhe në San Cosmo Albanese,  në qendër të komunës, afër bustit të Zef Serembes.

Po tashmë Kryetrimi shqiptar, herë në bronz e herë në materiale të tjera të ndryshme tipike për skulpturën, “vijon të vigjilojë mbi Evropën e botën mbarë”, e cila edhe sot e kësaj dite do të kishte nevojë për të, për ta shpëtuar nga një “murtajë” tjetër, ajo e islamit ekstremist që, si në shekullin e XV e akoma më parë, në kohët e kalifatit, ëndërron të pushtojë botën, duke nisur nga Roma,  ku takohemi përsëri me Skënderbeun në bronz, me shpatë në dorë. Me atë shpatë, symbol i lirisë dhe i luftës kundër çdo ekstremizmi, Kryetrimin shqiptar e takojmë në Gjenevë, Londër, New York, Bruksel, Budapest…Nuk e takojmë, deri më sot, vetëm në Beograd, Athinë, Moskë…

Më së pari Skënderbeu u duk në Gjenevë, në formë busti, më 1 nëntor 1997. Më tej vijuan projektet për ta ngritur  edhe në metropole të tjera, ku sytë e shqiptarëve e kërkojnë, që të kenë me se të krenohen e shembullin e kujt të ndjekin.

 Më pas filluan përpjekjet për t’ia hapur rrugën drejt Londrës. Duke u njohur me këto përpjekje, takohemi me një mori emrash të shquar, presidentë, kryeministra e deri me mbretëreshën e Anglisë. Më në fund Skënderbeu “nisi të vigjëlojë edhe mbi Londrën” më 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Por menjëherë pas u sulmua përsëri, duke u dëmtuar, natyrisht jo nga anadollakët e vjetër, por ndoshta nga pasardhësit e tyre?!

Një shtatore me lartësinë rreth 5 metra ngrihet në një shesh të Parisit i cili, që nga viti 1977 mban emrin  e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Vepra në zonën 19 të kryeqytetit frëng, u realizua nga skulptori shqiptar Agim Rada.    

Flitet për buste e shtatore të  Skënderbeut në Spanjë,  në Berlin, në Pragë, në Melburn të Australisë, në Bronks të Nju Jorkut, në Detroit, para Kishës së Shën Palit, në Toronto të Kanadasë e deri në Madagaskar.  

E, një nga shtatoret e para të Skënderbeut, është ajo e ngritur në Romë, për të cilën do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm. Kryetrimi shqiptar është gjithnjë në shtegtim…








All the contents on this site are copyrighted ©.