2018-01-21 16:30:00

Lutja e Papës para relikeve të shenjtorëve peruvianë


Juan Macias, Shën Turibi i Mongrovejos, Shën Roza e Limës, shën Martin De Porres, Françesk Solanus, janë shenjtorët e Perusë, të cilët kontribuan në përhapjen e krishterimit jo vetëm në Peru, por në të gjithë Amerikën Latine. Para relikeve të tyre në katedralen e Limës, kushtuar Shën Gjonit Apostull e Ungjilltar, Papa Françesku u lut së bashku me më se 2.500 meshtarë, rregulltarë, seminaristë e anëtarë e veprimtarë të tjerë të lëvizjeve kishtare, rreth orës 16.30 evropiane (10.30 në Limë).

“O Zot, Ati ynë – janë fjalët e Bergoglios – Ti, përmes Jezu Krishtit, themelove Kishën, duke e bazuar mbi apostujt, që, e udhëhequr nga Shpirti Shenjt, të jetë në botë shenjë e mjet i dashurisë Tënde të mëshirshme, të falenderojmë për dhuratat, që i ke dhënë Kishës së Limës”.

 “Të falenderojmë veçanërisht – vijon Papa – për shenjtërinë, që lulëzoi në këto troje. Kisha jonë kryedioqezane, bërë e frytshme nga puna apostolike e shën Turibit të Mongrovejos; rritur nga lutja, pendesa e bamirësia e shën Rozës nga Lima dhe e shën Martinit të Porres; pasuruar nga zelli misionar i shën Françesk Solanus dhe nga shërbimi i përvujtë i shën Juan Macias; bekuar nga dëshmia e jetës së krishterë e vëllezërve të tjerë besnikë ndaj Ungjillit, të është mirënjohëse për veprimin Tënd në histori e të përgjërohet ta bësh t’i qëndrojë besnike trashëgimisë së marrë”.

 “Na ndihmo të jemi Kishë në dalje – lutet Papa Françesku – duke na afruar me të gjithë, sidomos me më fatkeqët; na mëso të jemi dishepuj misionarë të Jezu Krishtit, Zotit të Mrekullive, duke e jetuar dashurinë, duke e kërkuar bashkimin dhe duke e praktikuar mëshirën, në mënyrë që, të mbrojtur nga ndërhyrja e Zojës sonë të Ungjillëzimit, ta jetojmë e t’ia kumtojmë botës gëzimin e Ungjillit”.

Elteri më i lashtë i katedrales është pikërisht ai i kapelës ku ndodhet shtatorja prej druri e Zojës së Ungjillëzimit, dhuratë e perandorit Karli V. Shumë e nderuar nga banorët, ajo mban në dorë një trëndafil të artë, homazh i shën Gjon Palit II, gjatë vizitës së tij të dytë në vend, në vitin 1988. 








All the contents on this site are copyrighted ©.