2018-01-19 12:04:00

Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skanderbeut n.3


3. Rubrika: “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut”. Takimi me Papën Pali VI

Në emisionin e tretë të rubrikës, titulluar “Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Katriotit Skanderbeut”, pritja dhe përshëndetja e Papës Palit të VI-të me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut (më 17 Janar 1968), drejtuar shqiptarëve të diasporës, mbledhur për këtë kremtim, në Vatikan, më 25 prill 1968.

Portret i pikturuar me pak penelata

Më 17 janar të vitit 1468, ndërroi jetë Heroi Kombëtar i popullit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Atleti i Krishtit, i krishteri i flaktë, si e quajtën Papët e Romës. Prandaj çdo vit, më 17 janar, i gjithë kombi shqiptar e përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në përvjetorin e vdekjes. Atleti i Krishtit ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Pasi për 25-vjet me radhë i i vuri pritë Perandorisë Osmane, që ëndërronte të shikonte gjysëm hënën mbi Shën Pjetër e çallmën në kokën e Papës.

Gjergj Kastrioti u përpoq të realizojë shtetin e parë të centralizuar në trojet shqiptare. Me  Kuvendin e Lezhës, vuri gurin e themelit për krijimin e Shtetit të Pavarur. Të flasësh për Skënderbeun, do të thotë të  shkruash një libër historie, me beteja e fitore të papara në ndeshjen ndërmjet Evropës e osmanllinjve. Po ky nuk është qëllimi i rubrikës sonë. Prandaj po e kujtojmë sot me fjalimin e një Pape: Palit VI që, më 25 prill 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, e portretizoi kështu para atdhetarëve shqiptarë të diasporës, mbledhur rreth tij në Vatikan, në një kohë kur Shqipëria vuante nën thundrën e regjimit komunist. Shembull i gjallë, që tregon se Selia e Shenjtë nuk e pati harruar për asnjë çast popullin e martirizuar shqiptar.

Të dashur bij të Shqipërisë!

“Ju urojmë, në mënyrë të veçantë, mirëseardhjen ju, që u mblodhët për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skanderbeg, Hero i kombit tuaj dhe i krishterimit, në këtë Seli Apostolike, që mund ta  konsideroni si shtëpinë tuaj atërore.

Ju takojmë me shumë kënaqësi: e dimë se fryma, me të cilën po e kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e racës suaj, që vuri gjithnjë, përmbi çdo gjë tjetër, vlerat tradicionale të besës, të nderit, të burrërisë. (Kujtojmë se këto fjalë, tipike e themelore për karakterin shqiptar, Papa Pali VI  i tha në gjuhën shqipe, pasuar nga duartrokitje, që tundën sallën e moçme plot me afresket, kryevepra të Mjeshtrave të Rilindjes evropiane, që mbanin në dorë penelin, për t’i pikturuar, pikërisht në atë kohë, kur Skënderbeu vringëllonte shpatën, për t’i mbrojtur).

E Skënderbeu ishte personifikim i këtyre virtyteve - vijoi Papa Pali- të cilat jua la trashëgim, e njëheresh, edhe lidhjen e ngushtë me miqtë e kahmotshëm të atdheut tuaj, ndërmjet të cilëve ka kënaqësinë të rreshtohet  edhe Selia Apostolike, sepse u përket atyre, që nuk ju braktisën kurrë në baltë.

Këto virtyte Gjergj Kastrioti ia la amanet shqiptarëve në atdhe, në diasporë  e në mërgim.

E nëse historia ju pa të shtypur e të shkapërhapur, dora e Zotit bëri që ju, me gjithë gjymtyrët e gjakut të shprishur (përsëri një shprehje shqipe- arbëreshe, në gojën e Palit VI – që jehoi rishtas ndërmjet atyre mureve plot me heronj biblikë e ungjillorë), falë gjallërisë së trashëguar e mirëkuptimit të  fituar, u bëtë urë miqësish e bashkëpunimesh, duke u shquar si paraardhësit e ekumenizmit modern (shprehje që na kujton sot fjalët e Françeskut që, duke vizituar Shqipërinë, e quajti klimën e respektit dhe të besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, pasuri e çmueshme për vendin, me rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar.... duke e kthyer në faktor të rrezikshëm përplasjeje e dhune).

Ju urojmë prandaj, me këtë rast – vijoi Pali VI - ju dhe të gjithë shqiptarët, që t’i përballoni përherë vuajtjet me shpirtin heroik, të trashëguar nga të parët, e ky shpirt t’ju ndihmojë t’i shërbeni bashkëpunimit e paqes ndërmjet fisesh të përçara e gjuhësh të përhumbura në rrjedhë të historisë.

Do të vihet, kështu, në jetë, testamenti i Skenderbeut e do shkëlqejë rishtas  lavdia e Atdheut tuaj, që e duam aq shumë e që e bekojmë me gjithë shpirt”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.