2018-01-19 15:00:00

Ndërroi jetë Motër Tereza Viktorja e Shën Luigjit, Zoja Shtufi, karmelitane


Të mërkurën, më 17 janar në Zagreb, ndërroi jetë Motër Tereza Viktorja e Shën Luigjit, Zoja Shtufi, rregulltare Karmelitane. Zoja Shtufi, karmelitane, me prejardhja nga famullia e Zojës Rruzare e Bishtazhinit, komuna e Gjakovës, kaloi në amshim pranë Atit Qiellor, kaloi në Karmelin e saj qiellor, në moshën 55-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë e të gjatë.

Një jetë e tërë, ajo e motrës së jashtëzakonshme Zoja Shtufi, për Zotin, Kishën dhe për Karmelin, ku shërbeu me besnikëri, gëzim, dashuri e përkushtim për 33 vjet, sipas kushteve dhe rregullave të veçanta të jetës rregulltare karmelitane, duke u dalluar për virtytet njerëzore e shpirtërore, si dhe për dëshminë e gjallë plot dashuri e shërbim për Krishtin dhe Kishën e tij në popullin e Zotit.

Funerali i Motrës Zoja Shtufi u kremtua sot, në ora 14.00, në shenjtëroren e Zojës së Bekuar të Papërlyer, Mbretëreshë e Karmelit, pranë kuvendit të motrave Karmelitave, udhëhequr nga ipeshkvi ndihmës i kryedioqezës së Zagrebit, imzot Mijo Gorski, ndërsa pas kremtimit të Meshës së dritës, trupi i motrës Zoja Shtufi u vendos në varrezat e kuvendit të Motrave Karmelitane, gjithnjë në Zagreb.

“Me besim dhe shpresë, në udhën e jetës së përjetshme, drejt ringjalljes e deri në takimin e ri me ty – shkruajnë motrat e saj rregulltare – të përshëndesin plot dashuri e mirënjohje motrat tua, karmelitane, të Karmelit në Stepinçevo në Brezovci në Zagreb; babai yt Ndou, vëllezërit e motrat tua së bashku me familjen, si dhe farefisi e miqtë që qajnë largimin tënd nga kjo botë”. 

Jeta e motrës Zoja Shtufi qe një jetë shembullore që dëshmoi dashurinё e Zotit pёr ne.

Një jetë në dhe me lutje, përkushtim e veprimtari kushtuar Zotit e njerëzve, sipas rregullave të Karmelit. Një jetë dedikuar njohjes dhe rëndësisë së jetës rregulltare kushtuar Zotit, duke e parë të kaluarën më mirënjohje; duke jetuar të tashmen me pasion e dashuri; duke përqafuar të ardhmen me shpresë në jetën e përjetshme me Zotin. 

Mbi këto u mbështet jeta rregulltare e Motrës Zoja Shtufi, duke na dhuruar dëshminë e ndritshme të jetës së saj rregulltare karmalitane si dritë mbi pishtar, për të ndriçuar e ngrohur të gjithë ata që pati njohur, takuar, dashur e shërbyer gjatë shtegtimit të saj tokësor.

Motra Zoja Shtufni, me jetën e saj rregulltare, po e edhe me dёshminё gjatë sëmundjes sё saj, na foli për domethënien dhe vlerën e kësaj forme të veçantë të ndjekjes së Jezu Krishtit, duke bartur me durim, qёndresё, forcё e dashuri çdo ditё kryqin. Si karmelitane po edhe si person që vuajti shumë gjatë sëmundjes, jeta e Motrёs Zojё qe dëshmi bindëse e atyre njerëzve, që kanë vendosur të lënë gjithçka, për t’i përngjarë Jezu Krishtit më nga afër, përmes zbatimit të këshillave ungjillore.

Jeta e Motrës Zoja Shtufi, karmelitane, u karakterizua si jetë plot gëzim, duke u treguar të gjithëve se ndjekja e Krishtit e jeta sipas Ungjillit, ta mbush zemrën me lumturi. Si jetë e guximshme, plot forcё, qëndresë ngaqë, e ndjente gjithmonë se Zoti e donte, edhe në sëmundje, ajo diti kurdoherë t’i mbështesë në Jezu Krishtin Shpëtimtar të gjitha shpresat. Dhe si jetë bashkimi. Qe ndërtuese e palodhur e vëllazërisë mes motrave karmelinate, me të gjithë e në mënyrë të veçantë me të varfrit, dëshmoi se vëllazëria nuk është utopi, por vetë ëndrra e Jezusit për mbarë njerëzimin! Jetoi, besoi e shërbeu me bindje e dashuri duke u mbështetur në fjalët e Mësuesit Hyjnor, Jezusit: kushdo, që shpreson në Zotit, nuk mbetet kurrë i zhgënjyer. 








All the contents on this site are copyrighted ©.