2018-01-16 13:43:00

Papa, autoriteteve të Kilit: dëgjojini të papunët, indigjenët, të rinjtë, emigrantët


Kili duhet të jetë “vend, në të cilin të gjithë, pa përjashtim, ta ndjejnë se janë të thirrur për të ndërtuar shtëpinë, familjen, kombin. Një vend, një shtëpi, një familje, që e ka emrin Kili: bujar, mikpritës, që e do historinë e vet, që punon për të tashmen e bashkëjetesës së vet dhe e sheh me shpresë të ardhmen”. Kështu u tha Papa Françesku autoriteteve, anëtarëve të shoqërisë civile dhe të Trupit Diplomatik, të cilët i takon sot në Pallatin “La Moneda” të Santiagos, veprimtaria e parë e vizitës së tij në Kili.

         Papa Bergoglio lavdëron përpjekjet e kilianëve për vendosjen e demokracisë, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, si edhe përparimin ekonomik e zgjedhjet e fundit politike, që tregojnë për arritjen e pjekurisë shoqërore nga ana e popullit. Sivjet, kujton Ati i Shenjtë, përkujtohet 200-vjetori i pavarësisë së vendit e, pikërisht në këtë rast, populli nuk mund të mos e shohë të kaluarën, për të mësuar prej saj e për të shkuar me guxim drejt së ardhmes.

         “Çdo brez duhet t’i bëjë të vetat luftën dhe fitoret e brezave të mëparshme dhe t’i çojë drejt majave më të larta. E mira, ashtu si edhe dashuria, drejtësia dhe solidariteti, nuk arrihen një herë e përgjithmonë; duhen fituar çdo ditë – u thotë Papa autoriteteve. – Nuk është e mundur të kënaqemi me ç’kemi fituar në të kaluarën e të ndalemi për ta gëzuar në mënyrë të tillë, sa kjo gjendje të na bëjë të mos e pranojmë se shumë vëllezër vuajnë akoma padrejtësi”.

        Sipas Papës Françesku, e ardhmja e kombit kilian, që karakterizohet nga pluraliteti etnik, kulturor e historik, do të varet shumë nga aftësia e tij për të dëgjuar. Duhen dëgjuar të papunët, që nuk arrijnë të mbajnë familjet; duhen dëgjuar popujt autoktonë, të cilëve u duhen mbrojtur të drejtat dhe kultura; duhen dëgjuar emigrantët, që trokasin në dyert e vendit, në kërkim të një jete më të mirë; duhen dëgjuar të rinjtë, të cilëve u duhen dhënë më shumë mundësi, sidomos në planin edukativ e, duhen mbrojtur nga droga; duhen dëgjuar të moshuarit, sepse urtia e tyre është e nevojshme; duhen dëgjuar fëmijët, që presin prej të rriturve një të ardhme me dinjitet.

E këtu, Papa nuk mund të mos përmendë abuzimet me të miturit nga ana e disa anëtarëve të Kishës. “Dëshiroj të bashkohem me vëllezërit e mi në episkopat – nënvizon – sepse është e drejtë të kërkohet falje e të mbështeten me të gjitha forcat viktimat, ndërsa impenjohemi që kjo të mos përsëritet”.

Së fundi, ambienti dhe kujdesi për shtëpinë e përbashkët, temë themelore e papnisë së Françeskut, që Papa e thekson para autoriteteve të Kilit, për t’u kërkuar atyre “‘një vështrim të ndryshëm, një mendim, një politikë, një program edukativ, një stil jete e një përshpirtëri, që t’i japin formë rezistencës kundër përparimit të paradigmës teknokratike’, e cila privilegjon sulmin e pushtetit ekonomik ndaj ekosistemeve natyrore e, për pasojë, edhe ndaj së mirës së përbashkët të popujve tanë”.

“Urtia e popujve autoktonë – këshillon Papa Françesku – mund të japë kontribut të madh. Prej tyre mund të mësojmë se nuk ka zhvillim të vërtetë të një populli, që i kthen shpinën tokës dhe gjithçkaje e rrethon. Kili e ka në rrënjët e veta urtinë, që mund të ndihmojë për ta kapërcyer konceptin thjesht konsumist të jetës e për të fituar një qëndrim të vetëdijshëm para së ardhmes”.

Pas takimit me autoritetet, Ati i Shenjtë shkon për vizitë kortezie tek presidentja e Republikës së Kilit, zonja Michelle Bachelet, e burgosur gjatë diktaturës së Pinoçetit, pasi i vranë të atin nën tortura. Me arritjen e demokracisë, ajo kthehet në profesionin e saj si pediatre dhe merr përsipër një sërë detyrash politike, deri në zgjedhjen në krye të presidencës kiliane në vitin 2006. Tashmë, do t’ia lërë vendin presidentit të ri të sapozgjedhur, Sebastian Piñera.








All the contents on this site are copyrighted ©.