2018-01-15 13:29:00

Puna e Karitasit Shqiptar, në këndvështrimin e strategjisë së Papës Françesku


Shqipëria, një vend i vogël, të cilin  migracioni e ka prekur në forma të ndryshme, ku shumë shqiptarë vitet e fundit janë larguar nga vendi për një jetë më të mirë, në mënyrë të veçantë të rinj dhe fëmijë të pashoqëruar të cilët kanë kërkuar në dyert e Evropës një të ardhme që premton dhe garanton zhvillim. Por nga ana tjetër Shqipëria është një vend tranzit për migrantët e refugjatët të cilët largohen nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës duke ndjekur një rrugëtim të pasigurtë, të rrezikshëm dhe plot peripeci.

Karitasi Shqiptar, si organizëm i Kishës Katolike në Shqipëri prej tre vitesh i është përgjigjur situatës migratore që ka prekur rajonin dhe vendin tonë. Para një situate të tillë nuk mjaftonte veç të hapnim zemrat përpara kësaj vuajtje por të organizonim edhe aktivitete, të cilat në mënyrë direkte kanë ndihmuar grupet miks migratore dhe shtetin tonë për të ofruar shërbime sa më dinjitoze për këta persona.  

Pranë kongregatave tona në Gjirokastër, Bilisht dhe Shkodër janë hapur zyrat e migracionit të cilat me financimin  e donatorëve si UNHCR, CRS, Ambasada Amerikane, Qeveria Angleze, janë mbështetur për shërbimet që kemi ofruar.

Të gjitha veprimet tona janë të bazuara në katër shtyllat që Papa propozon në mesazhin e tij të Paqes:

Mikpritja:  Karitasi Shqiptar ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e planit të emergjencës në vend dhe është pjesë e grupit zbatues. Stafi ynë ka asistuar në pikat kufitare hyrëse dhe dalëse të vendit të gjithë ata migrantë dhe refugjatë të identifikuar nga policia duke i informuar mbi të drejtat e tyre nëpërmjet fletepalosjeve në gjuhë specifike si pashtu, farsi, arabisht, anglisht etj. Gjithashtu është siguruar dhe përkthim nga misionarë për persona që flisnin gjuhë të rralla. Karitasi ka kontribuar edhe për rinovimin e ambjenteve pritëse për refugjatët si ambjentin e intervistimit, fjetjes, ngrënies, dhoma e mjekut, higjienës personale, ambjente sociale për gra dhe fëmijë, sigurimi i vazhdueshëm i ujit etj. Jemi angazhuar të eliminojmë ndjenjën e “frikës kombëtare” duke i mikpritur dhe trajtuar me dinjitet.

Mbrojtja: kjo shtyllë ka qenë një nga pikat më të forta të punës sonë. Prej tre vitesh jemi angazhuar në fuqizimin e kapaciteteve të policisë shqiptare për të identifikuar dhe referuar raste shfrytëzimi, dhune, trafikimi tek grupet mikse migratore. Shumë prej tyre udhëtojnë të shoqëruar edhe me trafikantë duke u ekspozuar kështu ndaj fenomeneve të rrezikshme. Shpesh herë janë identifikuar edhe fëmijë të pashoqëruar dhe ofrimi i shërbimeve mbrojtëse për ta ka forcuar njëkohësisht edhe bashkëpunimin tonë me strukturat shtetërore në nivel lokal dhe kombëtar. Duke parë dhe sfidate problematikat me të cilat përballen këta fëmijë, Karitasi ka ofruar rekomandimeve për përmirësimin e ligjit për TË drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës dhe aktet përkatëse nënligjore.

Nxitja: ashtu siç është shkruar edhe në Bibël “Hyji e do të ardhurin, i jep ushqim dhe veshmbathje”. Karitasi Shqiptar i ka asistuar dhe vazhdon të ofrojë për të gjithë migrantët dhe refugjatët ushqim, veshmbathje, ilaçe dhe shërbim shëndetësor sipas nevojave që ato paraqesin, transport dhe mbështetje në përkthim dhe çdo situatë të vështira me të cilat përballen.

Integrim: është mundësuar, falë donatorëve, një proces integrues dhe zhvillues për grupe të ndryshme azil kërkuesish. Është fuqizuar me anë të kurseve të ndryshme si kurse gjuhe apo kurse profesionale, sipas kërkesave të azilkërkuesve, si dhe është hartuar një Udhëzues me informacione të detajuara mbi jetën sociale në Shqipëri. Gjithashtu janë asistuar dhe fëmijët me aktivitete argëtuese, interaktive dhe edukative. 

Duke i parë migrantët dhe refugjatët me një vështrim plot besim dhe mikpritje, Karitasi Shqiptar do të vazhdojë të ketë në themelin e punës së tij solidaritetin dhe shërbimin ndaj njerëzve në nevojë.

Atë Antonio Leuci

Drejtor i Karitasit Shqiptar








All the contents on this site are copyrighted ©.