2018-01-15 14:10:00

Papa në avion: kam frikë luftën bërthamore. Të punojmë për çarmatimin


Papa Françesku fluturon tashmë mbi oqean, në udhëtimin e tij të 22-të apostolik ndërkombëtar, që do ta çojë fillimisht në Kili e pastaj, në Peru. Në avion, i kërkoi drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke, t’u shpërndante 70 gazetarëve të pranishëm fotografinë e një fëmije në Nagasaki, pas shpërthimit të bombës atomike të vitit 1945. Fëmija mban mbi supe të vëllanë e vrarë, në pritje për djegjen e tij në kremator, siç është tradita japoneze. Mbrapa fotografisë, firma e Papës Françesku dhe fjalët: “Fryti i luftës”. Në diçiturë nënvizohet “dëshpërimi i fëmijës, shprehur në gjestin e kafshimit të buzëve, nga ku dalin pika gjaku”.

Fotografia, simbol i tragjedisë së luftës

         “Një pamje e tillë mallëngjen më shumë se njëmijë fjalë” u tha Papa disa gazetarëve, duke u shpjeguar se e kishte gjetur rastësisht dhe i kishte bërë kaq shumë përshtypje, sa që deshi ta ndante me të tjerët. Lajmin për këtë fotografi e pati dhënë gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” ditë më parë dhe, edhe ne të redaksisë shqipe, e patëm dhënë në emisionin tonë. Fotografia është bërë nga amerikani Joseph Roger O’Donnell, pas dy bombave atomike në Hiroshima e Nagasaki. Në të duken dy fëmijë: njëri ngjan sikur fle mbi supet e tjetrit, por në të vërtetë, është pa jetë. I vëllai, me një fytyrë që shpreh dhimbje plot dinjitet, pret që ta djegin kufomën e vogël.

“Fryti i luftës” dhe frika e Papës

         Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje nëse ka vërtet frikë nga lufta bërthamore, Ati i Shenjtë theksoi: “Po, kam vërtet frikë. Jemi në zgrip. Mjafton një aksident çfarëdo për të filluar luftën. Nëse vijojmë kështu, ka rrezik të biem në greminë. Prandaj, duhet t’i shkatërrojmë armët, të punojmë për çarmatimin bërthamor”.

Ju uroj udhë të mbarë

         Gjatë përshëndetjes së shkurtër me gazetarët, Papa Françesku i falenderoi për punën e gjatë dhe impenjuese që i pret, si edhe u shpjegoi se në Kili “nuk do të jetë aq e vështirë, pasi kam studiuar aty një vit, kam shumë miq, e njoh mirë”. “Ndërsa, Perunë e njoh më pak. Kam shkuar tre herë për konferenca e takime”, vërejti Ati i Shenjtë, para se hynte në pjesën e avionit, të rezervuar për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.