2018-01-14 09:00:00

Prof. Bruno Giardina: Mesazhi i Papës, edhe për emigrantët e rinj në Shqipëri


Mesazhi i Papës Françesku për Ditën Botërore të Paqes përqendrohet edh mbi çështjen e emigrantëve e të refugjatëve, e vlen edhe për emigrantët e rinj në Shqipëri. Pra, pikërisht për mesazhin e Papës Françesku, kësaj radhe për atë të Ditës Botërore të Paqes, i cili, gjithsesi, përqendrohet në çështjen e emigrantëve e të refugjatëve, do të flitet nesër pasdite, në orën 14.30, në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë. Kontributi i emigrantëve dhe i refugjatëve për paqen do të jetë argumenti mbi të cilin do të debatojnë, meshtarë, profesorë, akademikë e personalitete të tjera. I ftuar i nderit do të jetë presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe nunci apostolik në Shqipëri, imzot Charles Brown, siç thekson në një intervistë telefonike, rektori i Universitetit, prof. Bruno Giardina, në bisedë me Klaudia Bumçin:

Vit pas viti, tashmë, është bërë traditë kjo ditë në Universitetin tonë, kushtuar reflektimit mbi Mesazhin e Atit të Shenjtë. Pra, nesër, do të flasim mbi Mesazhin që dha Papa më 1 janar e do të kemi nderin dhe kënaqësinë të presim presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, si edhe nuncin apostolik, imzot Charles Brown. Është rasti për të nxjerrë në pah gjithçka dëshiron e këshillon Papa për një temë kaq delikate, siç është ajo e emigrantëve dhe refugjatëve, e cila është sfidë globale ku përfshihemi të gjithë e që, në fund të fundit, përfaqëson sfidën për të ardhmen tonë e të botës.

Si mund të shihet ky Mesazh nga pikpamja e situatës në Shqipëri?

Shqiptarët janë popull shumë europeist, me dëshirë të madhe për të hyrë në Evropë e me frymë europeiste serioze e të rëndësishme. E kërkojnë integrimin, bashkëpunimin dhe dialogun në të gjitha nivelet, si në planin kulturor, ashtu edhe në atë fetar. Edhe këtë temë, që është temë e paqes, e kanë shumë për zemër. Si mund të promovohen ndjenjat e paqes pa luftë? Shqiptarët janë shumë të ndjeshëm për këtë, siç tregon edhe pjesëmarrja e presidentit të Republikës, ditën e nesërme. Është e rëndësishme që këto reflektime të bëhen në një vend kulture, siç është universiteti, sepse përfaqësojnë investime kulturore për të ardhmen.

Deri më sot, shqiptarët kanë qenë emigrantë e, në një farë mase, vazhdojnë të jenë. Por, po fillojnë të vinë emigrantë nga vende të tjera për në Shqipëri. Si mund të ndihmojë Mesazhi i Papës, tani që fenomeni është në fillesat e tij?

Mesazhi i Papës nxit drejt integrimit, mikpritjes, mbrojtjes së më të brishtëve. Aktualisht, Shqipëria është vend me zhvillim të madh, prandaj, s’ka dyshim që ka njerëz, të cilët kanë dëshirë të marrin pjesë në këtë zhvillim, të shkojnë në Shqipëri. Natyrisht, punojnë, duke përfituar edhe për vete, por me frymë të theksuar integrimi e bashkëpunimi. Mesazhi i Papës nënvizon rëndësinë e mikpritjes e të pranimit të kulturave e të popujve të tjerë, për ta pasuruar vetveten. Sepse çdo njeri e pasuron veten, nëse arrin t’i mirëpresë me qetësi e pozitivitet popujt e tjerë. Shqipëria është gati të presë e këtë e vërejnë të gjithë, e shohin me sytë e tyre. Nuk do të ekzistonte ky zhvillim në Shqipëri, nëse shqiptarët nuk do ta kishin këtë frymë.








All the contents on this site are copyrighted ©.