2018-01-14 13:00:00

Papa kremtoi meshën në Ditën e Emigrantit e të Refugjatit. Koment i don Aldo Skoda Pashkja


10 mijë emigrantë, nga bashkësi të ndryshme të pranishme në Itali, e kthyen sot në festën e tyre, meshën e Papës Françesku, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Ati i Shenjtë jo vetëm deshi të kremtonte me ta Ditën Botërore të Emigrantëve dhe të Refugjatëve, por thirri edhe rreth 400 meshtarë e misionarë, që veprojnë në botë në favor të integrimit të emigrantëve - të gjithë në Eukaristinë e sotme, kremtuar në orën 10 e më pas, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në mesditë.

“T’i mirëpresim, t’i mbrojmë, t’i promovojmë dhe t’i integrojmë emigrantët dhe refugjatët”: kjo, tema e zgjedhur nga Papa për këtë Ditë Botërore, që i bën jehonë Mesazhit të tij për Ditën e Paqes, kremtuar më 1 janar. Katër folje, që përbëjnë katër thirrje për veprim e katër udhë, të cilat Françesku i ka përvijuar që me zgjedhjen e tij në fronin e Shën Pjetrit.Vërtet, nuk e ka humbur asnjëherë rastin për të na kujtuar se takimi me të tjerët – qofshin fqinjët e shtëpisë, të varfërit e lagjes, emigrantët që kërkojnë kushte më të mira jetese apo refugjatët, që ikin nga luftrat, persekutimet, ose fatkeqësitë natyrore – është mënyrë për t’u takuar me Krishtin.

Vëmendja për dinjitetin e njeriut, që kemi përballë, – siç shkruan në Mesazh Ati i Shenjtë – duhet të na nxisë të kujdesemi për të jo vetëm në çastin e parë të mikpritjes e të dëgjimit, por edhe më vonë, duke e mbrojtur e duke ndihmuar që t’i njihen të drejtat, edhe në mungesë të dokumenteve të ligjshme

Prandaj, promovimi dhe integrimi i emigrantëve dhe i refugjatëve janë hapa themelore e të nevojshme. Papa këshillon t’i njihen emigrantit kompetencat e njohuritë, që ka fituar në vendin e vet, duke e shoqëruar atë në udhën delikate të rifitimit të autonomisë, që nuk do të thotë vetëm aftësi për të lëvizur e për të folur gjuhën e vendit mikpritës, por sidomos punësim e plotësim nevojash.

Të pranishëm sot, në meshën e kremtuar nga Ati i Shenjtë, edhe skalabrinianët, të cilët punojnë prej vitesh me emigrantët e refugjatët. Njëri prej tyre e, pikërisht drejtori i Institutit Ndërkombëtar të Skalabrinianëve për Emigracionin (SIMI), është shqiptar. Quhet don Aldo Skoda Pashkja dhe u lidh telefonikisht me ne për të na treguar mbi meshën e sotme në Vatikan…








All the contents on this site are copyrighted ©.