2018-01-08 18:16:00

Papa Trupit diplomatik: të mbrohet paqja e të nxitet çarmatimi


Thirrje edhe për dialog në gadishullin korean, paqen në Siri e dy shtete të pavarura për izraelitët e palestinezët.

183 shtete, ndërmjet të cilave, edhe Shqipëria, kanë lidhje diplomatike me Selinë e Shenjtë. Vendi i fundit - Mianmari, i cili i vendosi këto marrëdhënie më 4 maj 2017, në nivel Nunciature Apostolike e Ambasade.  Shteteve u duhet shtuar edhe Bashkimi Evropian si dhe Urdhëri Sovran Ushtarak i Maltës. Kancelaritë e Ambasadave, me seli në Romë,  janë 89. Jashtë Rome, 78.  Nga 1 janari 2017 deri më 7 janar 2018 paraqitën Letrat Kredenciale 31 ambasadorë të rinj, duke e shtuar radhën e vendeve, që kanë lidhje diplomatike me Selinë e Shenjtë.

Mbrojtja e jetës, angazhimi për paqen “njohur universalisht si një nga vlerat më të larta,  që duhet kërkuar e mbrojtur” - me të cilën lidhet ngushtë çarmatimi. E akoma, një mendim i posaçëm për familjen, nxitja për strehimin e emigrantëve dhe integrimin e tyre, liria fetare, e drejta për punë dhe mbrojtja e ambientit. Këto, temat kryesore  të audiencës së Papës me anëtarët e Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë Apostolike, të cilët u pritën sot në audiencë, në Sallën Regia, me rastin e shkëmbimit të urimeve për Vitin e Ri.

 

Pas përshëndetjes së dekanit, Armindo Fernandes do Espírito Santo Viera, ambasador i Angolës, Françesku kujtoi se sivjet kremtohet njëqindvjetori i përfundimit të Luftës I Botërore  dhe shtatëdhjetë  vjetori i adoptimit i  Deklaratës universale të të drejtave të njeriut, nga ana e OKB-së. Papa ripropozoi, në mënyrë të veçantë, “qendërsinë e dinjitetit të njeriut, sepse i dëshiruar dhe i krijuar nga Zoti sipas shëmbëlltyrës së Tij, për t’i tundur nga vendi muret, që e ndajnë familjen njerëzore dhe për të favorizuar  zhvillimin e gjithanshëm të saj”. E, megjithatë - kujtoi Françesku - gjatë lëvizjeve  të shumta shoqërore të 68-tës, interpretimi i disa të drejtave shkoi progresivisht duke u përmirësuar e duke përfshirë edhe të drejta të reja, shpesh në kundërshtim me njëra-tjetrën. E kjo nuk e favorizoi gjithnjë thellimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kombeve, sepse u afirmuan nocione të diskutueshme të të drejtave të njeriut, që i bien ndesh kulturës së shumë vendeve, të cilat nuk shikojnë në to traditat e tyre shoqërore-kulturore e nevojat reale, që duhet të përballojnë. Krijohet, kështu, rreziku, që  të vendosen format moderne të kolonializmit ideologjik të më të fortëve e më të pasurve,  në dëm të më të varfërve e më të ligshtëve.  

Shumë të drejta themelore - vijoi Françesku - vijojnë të shkelen edhe sot e kësaj dite. Para e mbi të gjitha, e drejta për jetën, për lirinë e për paprekshmërinë e çdo njeriu”.

Të mbrosh  të drejtën për jetën dhe integritetin fizik - nënvizoi më pas - do të thotë të mbrosh të drejtën për shëndetin e të krijosh për të gjithë mundësitë për të marrë  mjekimet e nevojshme. Ashtu si dhe për t’i siguruar ilaçet  kryesore, që shpëtojnë jetë njerëzore.

E drejta për jetën kërkon edhe përpjekjen për paqen, përballë logjikës absurde  të luftës.

Një skenar i tillë nuk mund ta pakësojë dëshirën dhe angazhimin tonë për paqen, të vetëdijshëm se pa të, zhvillimi i gjithanshëm i njeriut nuk mund të arrihet. Të sigurosh paqen – nënvizoi Papa - do të thotë ta luftosh padrejtësinë e të çrrënjosësh në mënyrë jo të dhunshme, shkaqet e armiqësive, që çojnë në shpërthimin e luftërave. Në këtë kontekst  Françesku kujtoi adoptimin e Traktatit të ndalimit të armëve bërthamore, vitin e kaluar. Edhe Selia e Shenjtë e nënshkroi dhe e ratifikoi  këtë dokument - kujtoi Papa- duke ripohuar se mosmarrëveshjet ndërmjet popujve nuk duhen zgjidhur kurrë me armë, por me bisedime.  Një fakt i paparashikueshëm e i pakontrollueshëm - nënvizoi, duke kujtuar Gjonin XXIII - mund të ndezë shkëndijën për të vënë në lëvizje gjithë aparatin luftarak, me armë gjithnjë më të ndërlikuara, gjithnjë më të përsosura. Në këtë perspektivë , Papa vuri theksin mbi dialogun në gadishullin korean, në kërkim të rrugëve të reja për kapërcimin e konfliktit, për thellimin e besimit reciprok e sigurimin e ardhmërisë me paqe për popullin korean e për botën mbarë. Duke kujtuar, në vijim, se pas gjithë atij shkatërrimi, tani ka ardhur koha për rindërtim. Për të rindërtuar zemrat, para ndërtesave. E për të bërë të gjitha përpjekjet, që krijojnë kushtet  juridike, politike e ato të sigurisë, për rifillimin e një jete shoqërore, në të cilën secili qytetar, pavarësisht nga përkatësia fetare, të mund të marrë pjesë në zhvillimin e vendit. Në këtë perspektivë, është jetike të mbrohen pakicat fetare, të sigurohet rikthimi në atdhe i refugjatëve të shumtë, që ndodhen akoma në viset fqinje dhe të rikthehet Libani në mesazh respekti e bashkëjetese.  Papa foli për nevojën e dialogut edhe në Irak e, sidomos, për tensionet ndërmjet izraelitëve e palestinezëve javët e fundit, duke nënvizuar se Selia e Shenjtë fton të respektohet status quo e Jeruzalemit, “qytet i shenjtë për të krishterët, hebrenjtë, myslimanët”. Pas 70-vjet ndeshjesh, është më se urgjente të gjindet rrugëzgjidhja politike, që krijon kushtet për praninë në rajon të dy shteteve të pavarura, me kufij të njohur ndërkombëtarisht.

Papa nuk e harroi as krizën në Venezuelë, duke kërkuar të plotësohen nevojat e dorës së parë për popullsinë e të rikthehet sa më shpejt qetësia. Kujtoi, më pas, Kontinentin afrikan, ku e drejta për jetën kërcënohet nga shfrytëzimi i parregullt i pasurive, nga terrorizmi, nga grupet e armatosura e konfliktet e vazhdueshme. Papa kujtoi edhe konfliktin në Ukrainë, që edhe këtë vit vijoi të shkaktojë viktima e vuajtje të reja. Për të kaluar, më pas, tek problemet e familjes, “që nuk duhet ndërtuar mbi rërë, por mbi shkëmb e për të cilën  duhen hartuar politika që e mbështesin, pa harruar se nga ajo varet edhe vetë zhvillimi e ardhmëria e shteteve”.   

Nga familja - tek emigrantët - temë tejet e dashur për Papën që, duke cituar Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes 2018, kërkoi përsëri “të mirëpriten, të promovohen, të mbrohen e të integrohen”. Me një kujtim të veçantë për Rohingya-t, që i takoi në Bangaladesh, për mikpritjen e të cilëve falënderoi qeverinë vendase. Falënderime edhe për qëndrimin e Gjermanisë e të Greqisë në mikpritjen e refugjatëve, për të kaluar tek Evropa e tek tema e integrimit, me detyra e të drejta reciproke e me zhvillim integral, duke respektuar  parimet identitare të secilit vend e duke u kujdesur për mbrojtjen e të gjithë njerëzve, posaçërisht atyre, që jetojnë në kushte të vështira.

Më pas Papa kujtoi edhe të drejtën për lirinë fetare, lirinë e mendimit, të ndërgjegjes e të fesë, që përfshin edhe lirinë për të ndërruar besim. Për fat të keq - shtoi - e drejta për lirinë fetare shpesh nuk respektohet e, edhe më shpesh, feja bëhet rast për të përligjur forma të reja të ekstremizmit ose pretekst për përjashtimin nga shoqëria a, edhe më keq akoma, për persekutim. Por - kujtoi - shoqëria gjithëpërfshirëse ka si kusht themelor  mirëkuptimin e gjithanshëm të njeriut, që mund të ndjehet me të vërtetë i mikpritur, vetëm kur pranohet në të gjitha përmasat, që përbëjnë identitetin e  tij, duke përfshirë edhe fenë.

Françesku nënvizoi me forcë rëndësinë e së drejtës për punë,  edhe pse në botën e sotme ndjehet fort mungesa e saj. Shkaktare, ndërmjet tjerash, teknologjitë e reja, që zëvendësojnë krahun e punës, shpërndarja e padrejtë e mundësive për punë, pretendimi për të kërkuar nga njeriu i punës ritme gjithnjë më të ankthshme, reduktimi i kohës e i ditës së pushimit, që shërben për përtëritjen fizike e shpirtërore.

Në këto rrethana, Françesku e përqendron vëmendjen tek fëmijët  e angazhuar në punë të ndryshme dhe viktimat e skllavërive të reja, të cilëve u grabitet fëmijëria. Papa u kërkon qeverive t’i zhdukin shkaqet strukturore të kësaj plage e t’i japin fund punës së të miturve, në të gjitha format e  saj.

Në përfundim kujton detyrat që ka çdo njeri ndaj bashkësisë, me vëmendje të përqendruar tek “kujdesi për Tokën tonë”. Kujton tërmetet në Meksikë e Iran, uraganet në Karaibe, në brigjet e SHBA-ve e të Filipineve, pa harruar të vërë theksin mbi përgjegjësinë që ka njeriu në lidhje me natyrën, ndryshimet klimaterike, ngritjen globale të temperaturave e pasojat e tyre shkatrrimtare. Duhen bërë, prandaj, të gjitha përpjekjet e mundshme për t’u lënë breznive të ardhshme një Tokë më të bukur, ku mund të jetohet, duke punuar edhe nën dritën e angazhimeve të marra në Paris, më 2015, për të reduktuar emetimin e gazeve  helmuese në atmosferë e të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Duke kujtuar figurën e “ndërtuesve të katedraleve të lashta mesjetare”, Papa uroi “të kultivohet e njëjta frymë  shërbimi e solidariteit ndërbreznor, për të qenë shenjë shprese për botën tonë plot me travajë”.    








All the contents on this site are copyrighted ©.