2018-01-08 12:13:00

Dekani i Trupit diplomatik për Papën Françesku: dialogu, mjet për paqen


"Dialogu është mjeti kryesor për të përballuar sfidat, që kërcënojnë paqen”. Në fillim të shkëmbimit të urimeve për Vitin e Ri me Papën Françesku, ishte dekani i Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, ambasadori i Angolës, zoti Armindo Fernandes do Espirito Santo Vieira, ai që përshëndeti Bergoglio-n, në emër të gjithë të pranishmëve.

Fjala e tij qe një bilanc i veprimtarisë së Papës, që ka shërbyer si frymëzim për punën e diplomatëve, por edhe përvijimi i ngjarjeve të ardhshme dhe i impenjimeve, për rezultatin e mirë të të cilave, mund të japin kontributin e tyre edhe ambasadorët pranë Selisë së Shenjtë. Sipas thënies së shën Augustinit, që e citoi dekani: “Shpresohet, duke besuar dhe besohet, duke realizuar”.

 Ambasadori i Angolës përmendi shpresën e krishterë, në frymën e së cilës jo vetëm që u mbajtën të gjitha audiencat e përgjithshme të këtij viti, duke e pasur si argument, por u zhvilluan edhe veprimtaritë kryesore të Papës e të Vatikanit. Kujtoi udhëtimin e Françeskut në Fatima, ku i ftoi të gjithë të bëhen shtegtarë; në Kolumbi, ku foli për pajtimin; në Mianmar e në Bangladesh, ku i dha vlerë të re urtisë për arritjen e drejtësisë; në Egjipt, ku nënvizoi nevojën për të pasur ndërtues të paqes; në FAO (Organizata Botërore për Ushqimin dhe Bujqësinë), ku vuri në pah tragjedinë e emigracionit të detyruar, për të përfunduar me Mesazhin e Ditës Botërore të Paqes, me të cilin u kërkoi institucioneve politika largpamëse për emigrantët e refugjatët.

 “Zgjidhjet janë të ndërlikuara – pranoi dekani i Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë – por jo të pamundura e, duhet të jenë të pranueshme për të sotmen, me pasoja pozitive për të ardhmen, pa e harruar të kaluarën e rastet e mirënjohura. Jezusi dhe familja e Tij, duke gjetur strehë në Egjipt, - kujtoi ambasadori angolan - pasqyrojnë shpresën e atyre, që kërkojnë mikpritje dhe frymëzojnë ata, që përpiqen t’u japin përgjigje. Tokës afrikane i takoi detyra të ofrojë rrugën, që përfaqësonte ndihmën e duhur e që, fatkeqësisht, sot, duhet përshkuar në kahen e kundërt, me të njëjtin besim për zgjidhje”.

Duke vijuar të përmendë sfidat e vitit të kaluar, përfshirë atentatet terroriste nëpër botë, ambasadori i Angolës nënvizoi se sivjet bie 100-vjetori i fundit të Luftës I Botërore, rast për të hedhur poshtë të gjitha zgjidhjet me armë të konflikteve e për t’i hapur udhën dialogut. Arritje e vitit të kaluar në këtë drejtim ishte, për shembull, nënshkrimi i Traktatit për ndalimin e armëve bërthamore, për të cilin Papa u impenjua personalisht, duke mbledhur në Vatikan përfaqësues kombesh dhe ekspertë të fushës. Pastaj, impenjimet e sivjetme të Papës Françesku, nga Sinodi i Ipeshkvijve për të rinjtë, tek përgatitja e Ditës Botërore të Rinisë, që do të mbahet në fillim të vitit 2019 në Panama; nga Takimi Botëror i Familjeve, që do të mbahet në gusht, tek Sinodi i veçantë i Ipeshkvijve për rajonin Panamazonik, përqendruar në analizën e gjendjes së kësaj zone pyjore dhe të popujve indigjenë, që banojnë në të - tema të Enciklikës “Laudato Si’”.

Duke i uruar Papës Françesku sukses në këto veprimtari të vitit 2018, sidomos në udhëtimin e javës së ardhshme në Kili e në Peru, dekani i Trupit Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, zoti Vieira, e përfundoi fjalën, duke cituar shën Filip Nerin, i cili i pati pyetur të rinjtë: “Vëllezër, kur do të fillojmë të jemi të mirë?”. “Qoftë kjo pyetje, nxitje për punën e diplomacisë, sidomos para vështirësive, si edhe burim shprese për të gjithë ne, që besojmë se bota mund të jetë më e mirë”, uroi ambasadori i Angolës.








All the contents on this site are copyrighted ©.