2018-01-07 14:06:00

Papa: në Engjëllin e Tënzot na kërkon ta kujtojmë datën e Pagëzimit


Ta ruajmë gjithnjë në kujtesë datën e Pagëzimit tonë, datë e shenjtërimit fillestar. Këtë theksoi Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, menjëherë pas Meshës, kremtuar në Festën e Pagëzimit të Zotit, në të cilën - kujtoi - “pata gëzimin të pagëzoj 34 fëmijë”. Është fjala për një festë, që e fton çdo të krishterë ta kujtojë këtë sakrament. E, në të vërtetë, Françesku, siç ka bërë edhe disa herë të tjera, nxit t’ua kërkojmë familjarëve, nunëve e nunave, datën e Pagëzimit, nëse nuk dihet ose është harruar.

E këtë datë duhet ta ruajmë gjithnjë në kujtesë, sepse është datë feste, është data e shenjtërimit fillestar, datë në të cilën Ati na dha Shpirtin Shenjt, që na shtyn të ecim, është data e faljes së madhe. Mos harroni: cila është data e pagëzimit tim?

Përvujtëria e Jezusit, që na merr mbi vete

Papa Françesku u ndalua, më pas, tek përvujtëria e madhe e Jezusit: Ai, që nuk kishte mëkat, vihet në radhë me pendestarët për të marrë Pagëzimin në lumin Jordan, duke treguar kështu, “gatishmërinë për t’u zhytur në lumin e njerëzimit”, duke marrë mbi vete ligështitë e të gjithë njerëzve e duke ndarë me ta dëshirën për të kapërcyer gjithçka të largon nga Zoti e të bën të huaj mes vëllezërve. - Ashtu si në Betlehem - sintetizoi Françesku -  edhe  gjatë brigjeve të Jordanit, Zoti e mban premtimin. E merr mbi vete  fatin e qenies njerëzore. E Jezusi është shenja e prekshme e përfundimtare. “Na mori mbi vete të gjithëve: mori mbi vete ditët tona, jetën tonë”.

Shpirti Shenjt, dhuratë që na bëri Ati ditën e Pagëzimit

Së fundi Papa kujtoi se “Shpirti Shenjt është autori i Pagëzimit të Jezusit e tonit. Ai na i hap sytë e zemrës, për të parë të vërtetën e na nxit të ecim në rrugën e dashurisë së krishterë, duke na transmetuar dhembshurinë dhe ndjesën hyjnore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.