2018-01-06 17:01:00

Patriarkana e Moskës. Atë Destivelle: Krishtlindje në shenjën e ekumenizmit


Jemi në një fazë të re të marrëdhënieve ndërmjet Patriarkanës ortodokse të Moskës dhe Selisë së Shenjtë: kështu shprehet atë Hyacinthe Destivelle, i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, natën kur Kishat lindore, që ndjekin kalendarin julian, kremtojnë Krishtlindjen.

Për Kishat lindore të kalendarit julian, sonte është nata e Krishtlindjes, festë që, sipas traditës së tyre liturgjike, bie më 7 janar. Posaçërisht në Moskë kanë përfunduar përgatitjet e Katedrales së Krishtit Shëlbues, për kremtimin  e Meshës së Mesnatës. Të njëjtat përgatitje, në Jeruzalem, Serbi, Bullgari, Ukrainë e deri në Etiopi. Me këtë rast atë Hyacinthe Destivelle, përgjegjës i seksionit lindor të Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, bën bilancin e vitit të kaluar, me syrin e ngulur posaçërisht mbi faqet e bukura, që u shkruan  në marrëdhëniet ndërmjet Patriarkanës së Moskës e Selisë së Shenjtë.

Fazë e re në marrëdhëniet ndërmjet Patriarkanës të Moskës e Selisë së Shenjtë

Pa dyshim - tregon atë Destivelle - ky vit ishte i pasur me ngjarje të rëndësishme,  organizuar pas takimit të Papës Françesku me Patrikun Kirill, në Kubë, në vitin 2016. Me këtë takim hymë në një fazë të re të marrëdhënieve tona. E ngjarja e parë e rëndësishme për Kishën Ruse, që kujton atë Destivelle, është nderimi i relikeve të Shën Nikollës, që shtegtoi nga Bari - në Moskë e në Shën Petersburg.

Populli rus merr pjesë në përvojën ekumenike

“Ishte ngarje historike e Kisha ruse e kremton këtë Krishtlindje me gëzim, sepse mundi  ta nderojnë këtë figurë Shenjti, aq të dashur në trojet e veta. Edhe kultura është fushë e privilegjuar ekumenizmi - pohon atë Destivelle - duke kujtuar dy ekspozitat me pasurinë kulturore të Selisë Apostolike, që u pritën me shumë dashamirësi e patën sukses të madh. “Kemi të njëjtin besim në Krishtin e të njëjtin koncept për Kishën, edhe pse në kultura të ndryshme, shprehen në mënyra të ndryshme”. Këto nisma - shton -  krijojnë mundësitë për t’u njohur më mirë e duken si hapa të një udhe të përbashkët drejt unitetit.

Projekti i 12 shkurtit në Vjenë

Pas Krishtlindjes, më 2018, do të ketë një mori ngjarjesh. E para, ajo e 12 shkurtit, në Vjenë, në dyvjetorin e takimit të Papës me Patrikun Kirill në Kubë. “Kjo ngjarje, organizuar në praninë e kardinalit Kurt Koch dhe të Metropolitit Hilarion të Volokolamsk, do t’i kushtohet ndihmës që ne, katolikët e ortodoksët mund t’u japim të krishterëve të Lindjes, temë kryesore e Deklaratës, nënshkruar në Kubë, më 2016.








All the contents on this site are copyrighted ©.